Prishtinë, 2 prill – Me tinguj që u takojnë botëve të ndryshme, për të sjellë ndër të tjera edhe një mesazh lamtumire me edicionin e 14-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, në natën e fundit të tij është paraqitur me kryevepra botërore kuarteti italian “Quartetto di Cremona”. I përbërë nga violinistët Cristiano Gualco dhe Paolo Andreoti, violisti Simone Gramaglia dhe violonçelisti Giovanni Saglione, ky formacion ka debutuar në Sallën e Kuqe, të dielën mbrëma.
Mbrëmjen përmbyllëse e hapi fjalimi i ambasadorit italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, i cili ka thënë se ky edicion i “DAM”-it për më pak se një javë ka zhvilluar një numër të madh të koncerteve dhe ngjarjeve, duke bashkuar kështu edhe një numër të madh të njerëzve dhe muzikëdashësve mes vete.
Sardi ka thënë se kuarteti italian arriti që për këta nëntë vjet të bëjë emër si njëri prej ansambleve më të mira kamertale në skenën ndërkombëtare.
Ky fjalim i la radhën një udhëtimi njëorësh mes tingujsh të veprës “Krizantemë-elegji për kuartet harqesh”, të Giacomo Puccinit. “Kuartet harqesh” e kompozitorit hungarez Béla Bartók në pesë kohët ka sjellë një kontrast dinamikash.
Pas koncertit përmbyllës violina e dytë e kuartetit Paolo Anreoli ka thënë se si kuartet që nga 2010 kanë pësuar ndryshime. Së bashku me violonçelistin Giovanni Scaglione i janë bashkuar pas dy vjetësh, ngase dy të tjerë e kishin braktisur për t’u bërë pjesë e një orkestre që i paguante më shumë.
Në përmbyllje të festivalit drejtoresha ekzekutive e “DAM”-it, Rreze Kryeziu-Breznica, ka thënë se nuk ka qenë e lehtë, por vetë faktin që është arritur në edicionin e 14-të është tregues se festivali tashmë është shndërruar në mënyrë të jetesës së organizatorëve.
Edhe
Nën tingujt e “Kuartetit të Parisit” nis edicioni i 14-të i DAM Festival
“DAM”-i i sivjetmë për herë të parë ka organizuar Garën e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë. Të premten e javës së kaluar për herë të parë ka ndarë “Rrëqebullin e argjendtë”, të cilin e kanë marrë Anda Kryeziu nga Kosova dhe Nemanja Radivojeviq nga Serbia.
Për natën përmbyllëse, Kryeziu-Breznica ka thënë se do të mbahet shumë gjatë në mend.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Diutore")