Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Kthesa e dramës moderne” zbërthen transformimet dhe pyetjet mbi qenien

Drama bashkëkohore sipas akademik Muhamedin Kullashit nxjerr në shesh pjesë shumë të rëndësishme të qenies së njeriut ndaj botës, politikës, por edhe ndaj katrahurave. “Drama bashkëkohore sjell pjesë teatrore që janë më të begatshme sesa ato klasiket. Ato e dinë se çfarë ka ndodhur me njeriun e shekullit të 20-të”, ka theksuar Kullashi, i cili tema si këto e të tjera i ka zbërthyer në veprën e re studimore, “Kthesa e dramës moderne (shek. XIX – XX)” e përuruar të mërkurën

Është promovuar vepra “Kthesa e dramës moderne (shek. XIX – XX)” si studim disavjeçar i akademikut Muhamedin Kullashi, me fokus të veçantë në dramaturgjinë e Henrik Ibsenit dhe August Stindbergut.

Autori i cili ka studiuar filozofinë dhe letërsinë franceze në Zagreb, për të qenë pastaj edhe profesor në Universitetin e Parisit e të Prishtinës, në vepër ka përmbledhur gjurmët historike të rrugëtimit të dramës evropiane, gjendjen e krijuar në shekullin e 20-të dhe transformimet epokale të këtij zhanri.

Ish-ambasadori i Kosovës në Francë ngriti studimin e tij edhe nëpërmjet analizës së veprave dramaturgjike të dy autorëve me prejardhje skandinave, Ibsen, i cili njihet si “babai i realizmit” dhe që është ndër emrat më eminentë të kohës së tij dhe Stindberg, emri i të cilit është i lidhur ngushtë me dramën moderne suedeze.

Për KOHËN autori ka theksuar se ideja i ka lindur gjatë studimeve dhe ballafaqimit me literaturën e filozofinë franceze.

“Kjo temë lidhet me atë se çka ndodh me dramën në fund të shekullit XVIII, pse kjo kthesë e madhe. I kam veçuar disa interpretime, njëri thotë (se ekziston) shuarja e dramës, ka mizaskenë ose çkado, por që s’mund ta quajmë dramë”, ka thënë akademik Kullashi, që ka botuar në revista shkencore të Kanadasë, Turqisë, Argjentinës e Tunizisë.

Edhe Një libër me vlerë filozofike, historike, politike e diplomatike Shtojca për Kulturë 4 muaj më parë Një libër me vlerë filozofike, historike, politike e diplomatike

Tutje akademik Kullashi ka theksuar se drama bashkëkohore nxjerr në shesh pjesë shumë të rëndësishme të qenies së njeriut ndaj botës, politikës, por edhe ndaj katrahurave.

“Drama bashkëkohore sjell pjesë teatrore që janë më të begatshme se ato klasiket. Ato e dinë se çfarë ka ndodhur me njeriun e shekullit të 20-të”, ka theksuar ai.

Autorët e kësaj periudhe, sipas Kullashit, kanë arritur të zbulojnë pjesë të pazbuluara.

Pjesa e parë e librit kryesisht merret me gjendjen e dramës në fund të shekullit XIX, bashkë me kalimet nga drama romantike tek ajo realiste esimboliste, absolutja, tranzicionin e shfaqjen e elementeve të reja dramaturgjike.

Gjatë promovimit, moderatorja Justina Shiroka - Pula para fjalimeve të recensentëve ka thënë se akademik Kullashi ka sjellë risi përmes kësaj vepre.

“Autori në libër tenton të ndriçojë probleme, si dhe të ballafaqojë disa interpretime me peshë në mendimin evropian mbi teatrin”, ka thënë Shiroka – Pula.

Kullashi, i cili mban autorësinë edhe të veprave “Filozofema”, “Vetpërkufizimi i njeriut”, “Mendimi politik modern” e shumë të tjera, në këtë vepër prej 3 kapitujsh ballafaqon disa interpretime për të krijuar një pasqyrë për gjendjen e teatrit e dramës.

Recensenti Eqrem Basha ka thënë se përfitimet nga ky libër janë të shumta.

Edhe Karakteri emancipues i veprimtarisë krijuese të Rexhep Qosjes Shtojca për Kulturë 2 muaj më parë Karakteri emancipues i veprimtarisë krijuese të Rexhep Qosjes

“Libri është i dobishëm jo vetëm për ata që e studiojnë teatrin e poetikën, por edhe për ata që merren me historinë e teatrit”, ka thënë ai.

Ndërkaq gjatë përballjes me këtë libër, recensenti Haqif Mulliqi ka thënë se hapësirat teatrale dhe dramatike janë fushë e studimit dhe hulumtimit, ndërkaq pyetjet janë tërheqëse e sfiduese. “Nuk është e rastit që në këtë libër autori mbi subjektin e veprave dramatike ka vendosur dy autorë kultë, që përmes krijimtarisë së tyre krijohet shëmbëlltyrë e dramës shqipe”, ka thënë ai.

Pjesa e dytë e veprës shtjellon kryesisht veprimtarinë krijuese të Ibsenit, duke përfshirë emrin e tij tok me përmbysjen teatrore, lindjen e modernizmit dhe elemente të veçanta të dramave të tij, si “Ëndërra e Ibsenit dhe shpella e Platonit”, “Simbolizimi i malit te Ibseni apo ‘dramaturgjia e frikës’”.

“Kullashi dëshiron të sqarojë faktin se si është e mundshme që dramat e kthesës moderne në Evropë të bëhen nga dy autorë të Skandinavisë dhe pse s’ndodhi në Gjermani apo Francë, ku krijimtaria letrare ka pasur zhvillim të shumëfishtë”, ka thënë Mulliqi.

Ka theksuar se Kullashi mban qëndrim pajtues mes traditës së ashpër dhe ekstremeve të postmodernes.

Sipas akademik Eqrem Bashës, autori Kullashi i ka kompetencat e studiuesit të vëmendshëm.

“Është i qartë, konciz, i mbështetur në literaturë kredibile. Ka realizuar një studim më se të nevojshme”, ka thënë ai.

Pjesa e tretë e veprës merret me Strindbergun dhe natyralizmin e ekspresionizmin e tij, teatrin ekspresionist, intim, karakterin dhe shpirtin, teatrin e ëndrrës si teatër i ri, jopersonalen dhe jopersonazhin e shumë studime të tjera.

Edhe Zëri i akademik Kullashit në Francën e përballjes me të vërtetën e Kosovës Kulturë 4 muaj më parë Zëri i akademik Kullashit në Francën e përballjes me të vërtetën e Kosovës

Autori në vepër përfundon se të dy autorët skandinavë janë të ndikuar nga filozofia e Kierkegaardit dhe Niçes.

Vepra “Kthesa e dramës moderne (shek. XIX – XX)” është botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.