Shtojca për Kulturë

Kronikë e një profesori ambasador në Francë

Në librin “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës: analiza dhe refleksione”, të botuar në vitin 2021 nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Muhamedin Kullashi, i cili ka ligjëruar filozofinë në Universitetin Paris 8, analizon debatin e ngjeshur për Kosovën në hapësirën intelektuale e mediatike në Francë, prej vitit 1991 deri në vitin 2001. Kullashi ka qenë profesor i filozofisë atje, prej vitit 1992 deri në vitin 2017, ndërsa ambasador i Kosovës prej vitit 2008 deri më 2016. Libri lexohet si një kronikë e një profesori shqiptar nga Kosova në Francë, por del si një kronikë e ngjeshur me analiza, interpretime e diskutime të teksteve të caktuara, por edhe të kontekstit të gjerë politik e kulturor, që mbretëronte në sferën publike të Francës së asaj dekade

Në vitin 1993, gazetari amerikan, Robert Kaplan, kishte botuar librin “Balkan Ghosts: A Journey Through History” (Fantazmat e Ballkanit: udhëtim nëpër histori”), ku kishte stërtheksuar idenë se popujt e Ballkanit kanë një “urrejtje” të madhe të rrënjosur në historinë e tyre që nga lashtësia. Edhe pse në një recension në revistën “National Interest” (1993), historiani britanik, Noel Malcolm, e kishte çkokluar plotësisht cektësinë njohëse të Kaplanit, imazhi i “urrejtjes së lashtë ndëretnike” në Ballkan kishte filluar të ngulitej në opinionin intelektual evropian e amerikan, por edhe në opinionin publik perëndimor në përgjithësi.

Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e intelektualëve të qarqeve kulturore në Perëndim, ende ushqeheshin nga optika e Jugosllavisë së “udhës së tretë”, tokës së painkuadruar, logut neutral mes Lindjes dhe Perëndimit, që kishte krijuar një ngrehinë të re për t’i bërë banesë multietnicitetit dhe multikulturalizmit, përmes sistemit “vëllazërim-bashkimit” dhe “vetëqeverisjes”. Kur kjo ngrehinë u shpërbë, disa shkrimtarë e filozofë perëndimorë fajësonin “urrejtjen e lashtë”, disa të tjerë “nacionalizmin e ri”, disa të tjerë “neoliberalizmin imponues”. Megjithatë, duket se në vetëdijet kolektive të disa shteteve në Evropën Perëndimore, ende ekzistonte ideja e Serbisë si një vend që kishte atribute të një vendi të mbrumur në politikën demokratike evropiane. Ky diskurs ishte më i përhapuri në Francë. Në fakt, Franca njihej për një lidhje të hershme me Serbinë, si në aspektin politik ashtu edhe në atë kulturor. Por, kur Milosheviqi nisi luftërat në Kroaci e Bosnjë, opinioni publik në Francë filloi të ndryshojë. Një numër i madh i shkrimtarëve, filozofëve, antropologëve, sociologëve, historianëve, gazetarëve e politikanëve, nisën kritikën e ashpër kundër Milosheviqit në Serbi. Kosova, mori vëmendjen e shtuar në këtë debat intelektual për shkeljen e të drejtave të njeriut të shqiptarëve, gjithnjë në kontekst të gjendjes politike të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ngritjes së regjimit autoritar në Serbi.

Realiteti i Kosovës dhe opinioni francez

Në librin “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës: analiza dhe refleksione”, të botuar në vitin 2021 nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Muhamedin Kullashi, i cili ka ligjëruar filozofinë në Universitetin Paris 8, analizon debatin e ngjeshur për Kosovën në hapësirën intelektuale e mediatike në Francë, prej vitit 1991 deri në vitin 2001. Kullashi ka qenë profesor i filozofisë atje, prej vitit 1992 deri në vitin 2017, ndërsa ambasador i Kosovës prej vitit 2008 deri më 2016. Ai ka shkruar një mori librash në gjuhën shqipe, frënge e angleze, të natyrës akademike, por edhe shkrime të shumta në gazeta e revista të Francës, për ta njoftuar opinionin francez me Kosovën dhe realitetin e saj. Duke qenë mësimdhënës në universitet parisien, Kullashi ka arritur të bashkojë një rrjet të madh të intelektualëve, prej shkrimtarëve e filozofëve, deri te gazetarët e politikanët, për t’u njohur me Kosovën dhe pozitën e saj, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe okupimit të Kosovës nga Serbia, në vitin 1989.

Libri lexohet si një kronikë e një profesori shqiptar nga Kosova në Francë, që më vonë edhe bëhet ambasador zyrtar i Kosovës. Por, libri del si një kronikë e ngjeshur me analiza, interpretime e diskutime të teksteve të caktuara (sidomos atyre në konferenca, tryeza, takime, gazeta e libra), por edhe të kontekstit të gjerë politik e kulturor, që mbretëronte në sferën publike të Francës së asaj dekade. Në fillim, Kullashi rrëfen për themelimin e Komitetit të Kosovës, në vitin 1992, si një qendër që ngjasonte me ato të Bosnjës dhe Kroacisë. Kullashi tregon se si ishte bërë praktikë që në komitetet e Kroacisë e Bosnjës të flitej edhe për Kosovën. Kështu, pranë Komitetit të Kosovës në Francë u mblodhën një numër i madh filozofësh, antropologësh, shkrimtarësh e studiuesish të tjerë francezë e shqiptarë, duke formuar kështu një log të madh veprimi për të njoftuar Francën me gjendjen në Kosovë.

Të rrëfyerit me argumente

Kullashi rrëfen me argumente që dalin nga citimet e diskutimeve se në qarqet diplomatike franceze mbretëronte ideja e kornizuar nga propaganda serbe se kinse çështja e Kosovës i përket argumentit historik, që kishin serbët, dhe atij etnik, që u referoheshin shqiptarët. Shpesh diplomatët francezë, siç rrëfen Kullashi, tentonin që t’i ndanin këto çështje në çështje të politikës dhe moralit – krejt kjo nga mosnjohja e historisë, kurthimi në propagandën serbe dhe ndjekja e kursit të kornizës së argumentit që kishin mbjellë serbët tradicionalisht në Francë. Ai tregon edhe polemikat e shumta që ka pasur me shumë prej tyre, sidomos ata që mbanin anë pa njohur as historinë as gjendjen e viteve ’90.

Kullashi rrëfen historinë e zhvillimit të mendimit intelektual francez mbi Kosovën, duke qenë edhe pjesëmarrës aktiv, por edhe vrojtues e njohës i mirë i gjithë këtij debati. Faqe pas faqeje theksohet rëndësia e botimeve të autorëve francezë për Kosovën, shkelja e të drejtave të njeriut, kërkesat e përfaqësuesve të shqiptarëve, etj. Diskutohet jehona që kishte pasur libri me intervista i presidentit Rugova, realizuar nga Marie-Fraçoise Allain dhe Xavier Galmiche, botuar nga “Fayard” në vitin 1994. Pastaj jepen raporte të ngjeshura të pjesëmarrësve në konferenca e tryeza të ndryshme gjatë atyre viteve, të cilat nuk janë vetëm një kronikë për Kosovën, por lexohen edhe si një kronikë e preokupimit të vetë plejadës së intelektualëve francezë të asaj dekade.

Në ndonjë rast, tekstit duket sikur i mungon redaktura e duhur, sidomos evitimi i përsëritjes së argumenteve të përgjithshme. Po ashtu, edhe ndarja e “kapitujve” apo “seksioneve” në libër do të mund të ishte më e organizuar. Duhet theksuar edhe faktin se në disa raste, Kullashi jep analiza më se të gjata të shkrimeve të autorëve që analizon. Për shembull, 12 faqe i kushtohen përshkrimit e interpretimit të kumtesës së Pierre Hassner-it, në një konferencë të vitit 1995, prej faqes 101 deri në faqe 113.

Kullashi i kushton kohë edhe përshkrimit të opinionit pro e kontra ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, duke theksuar argumentet kryesore të disa intelektualëve që synonin të mbronin idenë se nuk duhet ndërhyrë në një shtet sovran dhe atyre që mbronin idenë se Milosheviqi kishte kaluar çdo prag të lejuar dhe mosndërhyrja ushtarake për të shpëtuar shqiptarët hapte udhë për gjenocid ndaj tyre në Kosovë. Kullashi rrëfen se me ardhjen e Zhak Shirakut si president, pas Fransua Miteranit, nisi të dyllosej qartë se kush ishte “agresori” e kush “viktima” në Kosovë. Po ashtu, ai përshkruan takimet me Shirakun, argumentet e Shirakut për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, artikulimin e argumentuar të tij pro ndërhyrjes e me radhë. Kullashi kujton se pas sulmit të forcave serbe në Prekaz, më 5 mars të vitit 1998, pas tubimit të madh protestues në Paris më 7 mars dhe apelit të Komitetit të Kosovës të nënshkruar nga më se 300 intelektualë të Francës, presidenti Shirak pret presidentin Ibrahim Rugova në zyrën e tij. Në prononcimin medial, presidenti Shirak deklaron se ka “agresion ndaj Kosovës” nga forcat policore serbe (pra, duke e barazuar Kosovën si shtet me Serbinë) dhe po ashtu në të njëjtin prononcim thekson “barbarinë serbe”. Nuk duhet harruar edhe imazhin që ka pasur Rugova në Francë si politikan intelektual. Kullashi tregon se si intelektualët francezë flisnin me shumë respekt për Rugovën, “për kulturën e tij letrare e politike, për maturinë me të cilën fliste për situata të rënda që e cilësonin jetën në Kosovë, përfshirë sfidat me të cilat ai vetë ballafaqohej” (f. 84).

Memoar diplomatik i Kosovës së viteve ‘90

Konferencat, tubimet, takimet, diskutimet, shkrimet në gazeta ditore, revista javore e mujore, janë disa nga aktivitetet e shumta që përshkruhen në libër, duke treguar gjithë kontekstin e zhvillimit të aktivitetit intelektual të Kullashit dhe kolegëve të tij në Francë, gjatë një dekade – asaj mes vitit 1991 dhe 2001. Libri lexohet si ditar, kronikë, memoar, por edhe si një monografi recensore për mendimin intelektual mbi Kosovën në Francë. Një ndërmjetëze e ngjeshur me analiza, kujtime, reflektime, polemika e interpretime.

Ky libër ka vlerë të shtuar si memoar diplomatik i Kosovës së viteve ’90 dhe pasuron bibliotekën diplomatike të shtetit të Kosovës. Përshkrimet e diskutimeve të tilla, ndonëse jo monografi akademike, janë të çmueshme për studimet antropologjike e politologjike. Libra të tillë do të duhej, thënë kushtimisht, të kishim edhe për Britaninë, Gjermaninë, SHBA-në, Italinë e vendet e tjera mike.

Ky libër është edhe një “vini re” – se nuk duhet harruar kurrë se Kosova është bërë e lirë dhe shtet i pavarur falë miqve të shumtë, që e kanë mbrojtur të drejtën e qytetarëve të saj për të qenë të lirë e pastaj edhe të pavarur, si në diskutime e argumente filozofike e politike, ashtu edhe me intervenim ushtarak; se këta miq nuk janë bërë me arrogancë e kreni, por me respekt, kulturë e maturi.

Muhamedin Kullashi nuk harron. Librin ua kushton “miqve francezë, të cilët gjatë shumë viteve punuan me përkushtim për lirinë e Kosovës”. As Kosova nuk do të duhej t’i harronte, siç nuk e harruan ata, kur ajo kishte më së shumti nevojë.


Fjala e presidentit Chirac

[...]Më 24 mars 1999 presidenti i Francës, Jacques Chirac, në një paraqitje televizive e njoftoi opinionin francez për pjesëmarrjen e aviacionit francez, me më se 100 aeroplanë në bombardimet e Serbisë, përkatësisht të caqeve ushtarake e strategjike të saj. Asokohe Franca nuk bënte pjesë në NATO. Pas Luftës së Dytë Botërore presidenti De Gaulle kishte marrë vendimin të dilte nga NATO-ja dhe ta ndërtonte një sistem të pavarur të mbrojtjes, përfshirë edhe armatimin nuklear; ky vendim ishte shprehje e vullnetit politik për ta afirmuar “krenarinë kombëtare” të Francës.

Në këtë fjalim Chiracu shpjegon arsyet dhe qëllimet e këtij intervenimi: “Kemi marrë vendim t’u japim fund praktikave barbare të regjimit serb, spastrimeve etnike, masakrave dhe dëbimeve masive të shqiptarëve nga Kosova”. Ai thekson se kanë marrë vendim t’i kundërvihen “vullnetit metodik” të regjimit serb “për ta zhdukur tërë një popull”. Këto praktika, saktëson Chiracu, rikujtojnë orët më të errëta të barbarisë. Sikur t’i pranonim këto praktika dëshmitarë të të cilave jemi, kjo do të thoshte të humbasim shpirtin tonë, të lejojmë që gangrena e të pathënshmes (l’innomable) të vendoset sërish në kontinentin tonë […]. Brezave të cilët nuk e kanë njohur luftën, lufta e sotme është shembullore, ajo nuk bazohet mbi konsiderata ekonomike apo strategjike, por në një ide të caktuar të “moralit” dhe “të së drejtës së kombeve”.

Dimensioni etiko-politik i qëndrimit të presidentit Chirac ndaj çështjes së Kosovës shpërfaqet qartazi edhe në këto formulime.

Fragment nga “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës“ të Muhamedin Kullashit