Ekspozita e Blerim Racajt në Galerinë Kombëtare të Kosovës nuk është vetëm një retrospektivë e rrugëtimit të tij artistik, por edhe një ftesë për ta parë Kosovën me një sy të ri. Përmes lentave të ndryshme, nga filmi analog deri te telefoni, Racaj dëshmon se teknologjia mund të ndryshojë, por ndjeshmëria artistike dhe lidhja me rrënjët mbeten të pandryshuara. Aty është Kosova siç e sheh ai. Por mbi të gjitha siç mund ta shohë secili në mënyrën e vet
Nisur me kamerë analoge, me film, është ndërtuar koncepti i parë i veprave të fotografit Blerim Racaj. Përgjatë dy dekadave të krijimtarisë, ky koncept ka ndryshuar duke kaluar në kamerë digjitale dhe krejt në fund edhe me kamerë telefoni, e përmes syrit të tij, Racaj ka mbledhur fotografitë më të veçanta që ka shkrepur për t’i paraqitur për publikun në një ekspozitë e cila në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës, të mërkurën mbrëma ka pasur hapjen e vet dhe do të vazhdojë të jetë e hapur për një muaj e gjysmë.
Janë krejt tema të ndryshme por që kur bëhen bashkë, fotot si në mozaik krijojnë një rrëfim përditshmërie. Personazhet janë krejt të zakonshëm: diku një kasap, larës makinash, motorist... Dikur tjetër një objekt i lënë pas dore, zonë e minuar... Pa ndonjë rend por që emërues të përbashkët kanë estetikën. Racaj përcjell disponimin dhe fuqishëm e përçon atë te shikuesi. Mbi të gjitha imazhi i tij është dokumentues.
Ekspozita personale me titull “To feel your mood like the weather”, kuruar nga Bardhi Haliti, i cili e njeh punën e fotografit për më shumë se 15 vjet, e ka burimin te pesë projektet e tij kryesore: “Kosovars” (Kosovarët), “Indecisive Moment” (Moment pavendosmërie), “Ephemeral Notes” (Shënime kalimtare), “Vend” dhe “Rruga B”. Si fotograf që jeton në Londër me rrënjë në Kosovë, Racaj është artist edhe vendor, edhe i huaj dhe këtë vetëdije të dyfishtë e përçon edhe në punën e tij.
Duke qenë artist pamor kosovaro-britanez, Blerim Racaj merret kryesisht me fotografi dhe veprimtaria e tij përdor gjuhën pamore dokumentare për t’i eksploruar temat e kombinimit kulturor dhe identitetit nga diaspora. Puna e tij është shfaqur anembanë Evropës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Spanjën, Kroacinë dhe Kosovën.
Mes ekspozitave të tij më të njohura janë “Global Photography: Looking at/ Looking for” në Venecie (2010); “Photodays Photo Festival” në Rovinj (2013); “Renaissance Photography Prize” (2014), “Getty Gallery” në Londër (2014); “Reflect the Truth” në Londër (2016), “Nexos” në Valencia (2017), dhe “Nisesos Chronicles” në Prishtinë (2023). Ka kryer studimet e fotografisë në Universitetin e Westminster në Londër dhe më 2014 është nderuar me çmimin fotografik “Taylor Wessing” nga Galeria Kombëtare e Portreteve në Londër.
Ai ka treguar se fillimisht ka punuar për një kohë të gjatë me kamerë analoge, me film. Gjatë asaj procedure edhe koncepti i veprave ka qenë i ndryshëm, sepse në analog është më komplekse, dhe sipas tij, “mënyra e prodhimit të veprave me kamerë analoge lyp të jesh më i fokusuar mentalisht”, por më vonë ka pasur një punë më praktike me kamera digjitale.
“Me kalimin e kohës u bë shumë më praktike të punohet me kamerë digjitale, kështu që kam pasur faza kur më shumë më ka konvenuar të punoj me film, por ka pasur edhe faza ku më praktike ishte të punoja përmes digjitales, kështu që kjo ekspozitë përmban vepra që janë bërë fillimisht me analog, por me kohë kam mbërritur që veprat e fundit t’i bëj edhe me kamerë të telefonit”, ka thënë për KOHËN artisti Blerim Racaj.

Meqenëse ka jetuar në Londër, ai ka treguar se gjatë studimeve është munduar ta gjejë gjuhën e tij artistike.
“Qasja ime më shumë ka pasur të bëjë me eksperiencën time, duke marrë parasysh që vij prej Kosove, por jetoj në Londër, kështu që gjatë studimeve në fotografi, ti mundohesh ta gjesh gjuhën tënde, unë e kam ndier veten më komfort t’u qasem temave që kanë të bëjnë me mua, që ta shpreh njëfarë sinqeriteti se çka është në filozofinë time krijuese”, ka treguar më tej Racaj.
Idetë i ka formuar sa ka qenë në Londër, duke pasur parasysh që kur të vijë, do ta ketë një pasqyrë të qartë, ndonjëherë ka bërë edhe lista të caktuara se çka ka pasur ndërmend të punojë, kështu që kur ka ardhur, ai tregon se është “munduar që të paktën 70 për qind të listës ta plotësojë”.
“Ideja kryesore ka qenë ta shoh Kosovën prej syrit tim. Për njerëzit që jetojnë këtu është shumë e zakonshme, pamja e njerëzit qysh janë, por kur je një kohë të gjatë jashtë, i sheh sendet ndryshe”, ka thënë artisti në lidhje me synimin e shkrepjeve të aparatit të tij fotografik.
Kuratori i ekspozitës, Bardhi Haliti ka treguar se me artistin njihen prej shumë kohësh dhe se gjithmonë e ka pasur një pëlqim për punën e tij si fotograf dhe si artist. Sipas tij, “pavarësisht distancës që ia krijon jetesa e tij në Londër, ai prapëseprapë është i lidhur ngushtë me Kosovën”.
“Puna e tij më ka pëlqyer gjithmonë, sidomos qasja e tij jo vetëm ndaj tokës e njerëzve, por edhe ndaj ambientit ku njerëzit funksionojnë dhe jetojnë e merren me profesione të ndryshme, domethënë është një lloj tipologjie kulturore e popullit të Kosovës”, ka thënë për KOHËN kuratori Haliti.
Ai ka treguar se në fillim nuk ka qenë plani të bëhet një ekspozitë, mirëpo pas një kohe të gjatë, pasi artisti s’ka pasur kurrë një ekspozitë institucionale, kanë menduar që është mirë ndoshta që puna e tij dydekadëshe të shfaqet në Kosovë, që edhe njerëzit e tjerë ta shohin njëfarë formësimi të tij që është bërë përmes jetës së tij në Kosovë dhe përmes jetesës dhe shkollimit në Angli.
“Më shumë kemi punuar gjatë vitit të kaluar për ta ndërtuar ekspozitën dhe jemi të dy krenarë që pas shumë viteve që njihemi dhe që kemi njëfarë shkëmbimi të shpeshtë përmes komunikimit online, kur e kemi përcjellë punën e njëri-tjetrit, dhe ky ka qenë instinkti fillestar për fillimin e kësaj ekspozite”, ka treguar ai fillet e bashkëpunimit me artistin.
E sa i përket leximit të fotografive nga publiku, ata nuk kanë pasur ndonjë qëllim të veçantë. Kanë dashur që publiku vetë ta përjetojë dhe ta interpretojë ashtu siç e sheh vetë ekspozitën. Sipas tyre, me tema të ndryshme si emigracioni, toka, paslufta, është tentuar “të paraqiten këto ndjenja të vendit në mënyrë sa më subtile, që njerëzit të mund ta lexojnë ashtu siç ata dinë vetë”.
Të pranishmit në ekspozitë i kanë vështruar me vëmendje fotografitë e varura, e me stilin e veçantë të artistit edhe kanë përjetuar emocione. Fotografi Afrim Spahiu ka thënë se Racaj ia kujton një fotograf të njohur amerikan.
“Duke i parë të gjitha këto tematika dhe në veçanti ato formate pak të mëdha, më çojnë mallin e një fotografi të njohur amerikan, Gregory Crewdson, i cili qe prezantuar para disa viteve në botën e fotografisë apo të imazhit me një stil të veçantë që bëri jehonë të madhe me origjinalitetin e prezantimit të fotografisë edhe bardhezi, por edhe të asaj me ngjyra”, ka thënë për KOHËN fotografi Spahiu.
Ekspozita e Blerim Racajt në Galerinë Kombëtare të Kosovës të zhvendosur te “Qafa” nuk është vetëm një retrospektivë e rrugëtimit të tij artistik, por edhe një ftesë për ta parë Kosovën me një sy të ri. Përmes lentave të ndryshme, nga filmi analog deri te telefoni, Racaj dëshmon se teknologjia mund të ndryshojë, por ndjeshmëria artistike dhe lidhja me rrënjët mbeten të pandryshuara.