Kulturë

Kosova në “NOmade Biennale” bart kujtesën e luftës dhe identitetin

Vepra “Evidenca” me të cilën Ismet Jonuzi prezantohet në “NOmade Biennae”, ka të bëjë me zjarrin dhe djegien, të cilat simbolikisht përfaqësojnë dhembjen e kosovarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë

Vepra “Evidenca” me të cilën Ismet Jonuzi prezantohet në “NOmade Biennae”, ka të bëjë me zjarrin dhe djegien, të cilat simbolikisht përfaqësojnë dhembjen e kosovarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë

Një nga pikat kyçe të “NOmade Biennale” këtë vit synon ta zgjerojë fushëveprimin e saj përtej qendrave tradicionale të artit, duke krijuar “akte rezistence” përmes praktikave bashkëpunuese dhe përfshirjes së artistëve nga vende e kontekste të ndryshme socio-politike. Dy artistët e Kosovës, Ismet Jonuzi e Jeton Muja, kontribuojnë me vepra që trajtojnë identitetin, kujtesën dhe format alternative të ekzistencës jashtë skemave të sistemit kapitalist. Ekspozita e parë e projektit “EXTENSIONES I: Post-Capitalism” është çelur të shtunën në galerinë “Casa D’Alva” në Fortaleza të Brazilit. Pjesëmarrja e artistëve nga Kosova është më shumë se përfaqësim gjeografik

Dy artistë nga Kosova jenë pjesëmarrës sivjet në edicionin e dhjetë të “NOmade Biennale”, një platformë ndërkombëtare e artit bashkëkohor që sfidon konvencionet e kapitalizmit përmes kolektivitetit, kujtesës estetike dhe aktivizmit vizual. Ekspozita e parë e projektit “EXTENSIONES I: Post-Capitalism” është çelur të shtunën në galerinë “Casa D’Alva” në Fortaleza të Brazilit. Kanë kaluar 10  edicione nga fillimi i projektit “NOmade Biennale”, i cili ka lëvizur përmes më shumë se 20 vendbanimeve nomade dhe 14 qyteteve në 8 shtete e dy kontinente, me ndërhyrje artistike në hapësira të pazakonta si burgje të braktisura, spitale, zona lufte apo kisha gotike. Tani, një përzgjedhje artistësh nga ky rrjet prej 120 pjesëmarrësish nomadë nga 58 kombe, prezantohet në Muzeun AAL si pjesë e retrospektivës së këtij projekti unik.

Kjo ekspozitë shënon një nga pikat kyçe të bienales, që këtë vit synon ta zgjerojë fushëveprimin e saj përtej qendrave tradicionale të artit, duke krijuar “akte rezistence” përmes praktikave bashkëpunuese dhe përfshirjes së artistëve nga vende e kontekste të ndryshme socio-politike. Dy artistët e Kosovës, Ismet Jonuzi e Jeton Muja, kontribuojnë me vepra që trajtojnë identitetin, kujtesën dhe format alternative të ekzistencës jashtë skemave të sistemit kapitalist.

“NOmade Biennale” ka për qëllim të krijojë një arkiv ndryshe, jo si depo statike e kujtimeve historike, por si një hapësirë emocionale, e ndjeshme dhe eksperimentale që e shikon arkivin si akt rezistence dhe kujtese të dashur. Duke u frymëzuar nga filozofë si Foucault, Borges e Vilar, themeluesit dhe kuratorët e këtij projekti kanë theksuar rëndësinë e krijimit të një bote të mundshme, të çliruar nga rendet e ftohta të racionalizmit dhe pragmatizmit.

Kuratori Victor Hugo Bravo, një nga figurat kryesore të bienales, e quan këtë format një “arkiv të pashkrirë të artit”, ku vepra të ndryshme, nga vende dhe gjuhë të ndryshme, krijojnë një rrjet reflektimi kritik ndaj botës dhe strukturave që e sundojnë atë.

Në këtë kuptim, pjesëmarrja e artistëve nga Kosova është më shumë se përfaqësim gjeografik: është kontribut në një narrativë kolektive që e vë theksin mbi përvojën e periferive, të identiteteve të papërfaqësuara dhe të artit si formë rezistence ndaj harresës sistematike dhe diktatit të tregut.

Ismet Jonuzi, ka treguar se për të nuk është hera e parë që merr pjesë në aktivitetet e të ashtuquajturve nomadë, ku ka prezantuar artin e tij përmes mediumeve të ndryshme.

“Prej vitit 2021 marr pjesë me këta të Amerikës Latine në vende të ndryshme, si në Ekuador. Vitin e kaluar kemi marrë pjesë në Poloni, këta janë një grup artistësh kryesisht të Amerikës Latine, por kah fundi kanë vendosur të përziejnë pak edhe me Evropë. Ata i kanë thyer rregullat e veta, sepse shteti i tyre nuk na njeh neve, Kili dhe Ekuadori nuk na njohin”, ka thënë Jonuzi në një përgjigje për KOHËN.

Jeton Muja ka artikuluar vazhdimisht idenë e hetimit si proces artistik dhe të kujtesës, duke ndërlidhur estetikën me dimensionin politik dhe njerëzor, e kësaj radhe në bienale vjen me disa vepra arti. Përmes peshoreve me ngjyra të ndryshme, në Brazil shpalos veprën “Peshoje veten”

Ai ka treguar se vepra me të cilën prezantohet sivjet, ka të bëjë me zjarrin dhe djegien, të cilat simbolikisht përfaqësojnë dhembjen e kosovarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë. “Evidenca” është titulli i saj.

“Unë e kam marrë një cikël që e kam punuar me të djegura, që direkt lidhet me Kosovën, lidhet me luftën tonë këtu më herët, ku janë disa imazhe që paraqesin pasojat e luftës dhe djegia në njëfarë mënyre simbolizon shkatërrimin dhe dhembjen edhe të atyre që janë të pagjetur dhe pasojat në përgjithësi”, ka shtuar ai.

Katalogët që tregojnë veprat e secilit prej artistëve që do të prezantohen në këtë bienale, tregojnë edhe fotografi të prezantimeve, e Jonuzi këtë herë ka vendosur ta paraqesë idenë përmes imazheve të siluetave të djegura.

“Në katalog e kam edhe një video me zjarr, e me atë zjarrin kam krijuar imazhet ku janë siluetat e njerëzve të vdekur apo të djegur apo që paraqesin një shkatërrim të humanizmit dhe njeriut, por kryesisht jam i preokupuar me këto, secili në njëfarë mënyre e paraqet një pjesë të gjendjes për shtetin e vet. Për shembull i Brazilit diku atje e ka pasur një instalacion diçka me kafe këtu te ne dhe e ka paraqitur se si shfrytëzohen njerëzit, në vend të kafes fusin drogë dhe mandej ata mashtrohen”, ka përshkruar dhe rikujtuar ai.

Për edicionin e nëntë të “NOmade Biennale” nga Ekuadori, Prishtina kishte qenë para dy vjetësh vendi i prezantimit të artit latin dhe jo vetëm. Gjurmët e artit jo veç në materiale, por edhe në muret e Galerisë së Fakultetit të Arteve kishin qenë të stampuara. Midis artit bashkëkohor të huaj, vend kishte zënë edhe ai shqiptar. Skulptura e artistit Guri Çavdarbasha ishte bërë për ta lënë shikuesin të lirë ta perceptojë veprën që kishte qenë pjesë e ciklit të veprave të tij “Bllok portret”.

“Black Book” e Hatixhe Ibrahimit kishte ardhur si një instalacion i përcjelljes së vijave të rrëfimit me anë të materialit ku shprehet. Një ditar shfletues mundësonte eksplorimin nëpër kujtimet dhe të kaluarën e artistes. “The had” e Monika Dukajt kishin paraqitur kokat e tre njerëzve, që paraqiteshin në karaktere të ndryshme.

Për atë kohë ka treguar Jonuzi, e çka kishte ardhur pas saj kishte qenë një përfaqësim i denjë për Universitetin e Prishtinës.

“Unë jam ai që i ka afruar tre-katër artistë, në Prishtinë kanë qenë tre-katër. Jetoni dhe unë bashkëpunojmë me ta për gati katër vjet, që ata në çdo aktivitet na ftojnë. Madje edhe kur e kam bërë në Fakultetin e Arteve në UP, atë edicionin, një edicion të tyre, e kanë futur edhe në universitetin e tyre fakultetin tonë si bashkëpunëtor, edhe pse ata nuk na pranojnë, domethënë i kanë thyer rregullat e shtetit të vet por janë artistë shumë të lirë dhe nuk frikësohen as prej pasojave”, ka thënë Ismet Jonuzi që këtë vit në bienale sjell përmes artit tragjeditë e popullit të Kosovës.

Jeton Muja, i cili prej filleve të veta praktikën artistike e ka ndërtuar mbi kërkimin dhe eksplorimin e formave të ndryshme të shprehjes, duke e kthyer në lajtmotiv sintagmën “Hetimet vazhdojnë”, një slogan që në Kosovë përdoret për personat e zhdukur gjatë luftës. Përmes vizatimeve, videove, instalacioneve dhe performancave, Muja ka artikuluar vazhdimisht idenë e hetimit si proces artistik dhe të kujtesës, duke ndërlidhur estetikën me dimensionin politik dhe njerëzor, e kësaj radhe në bienale vjen me disa vepra arti. Përmes peshoreve me ngjyra të ndryshme, ai sjell veprën “Peshoje veten”.

Sipas katalogut, “Peshoje veten” është një thirrje për reflektim të thellë dhe vetëdije. Ajo i drejtohet individit, duke e ftuar të sfidojë veten dhe të kuptojë lidhjen e tij me shoqërinë dhe botën përreth. Ky titull përfaqëson një akt të brendshëm vetëvështrimi, ku secili inkurajohet të shqyrtojë pozicionin e vet dhe rolin që luan në një shoqëri shpesh të shtyrë nga impulse dhe emocione të papërpunuara.