Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kosova, në kërkim të emrit që e përfaqëson në jubileun e Bienales së Artit në Venecia

Kosova ka nisur përgatitjet për pjesëmarrje në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen për artistë dhe kuratorë që do ta përfaqësojnë vendin në ngjarjen me nam të artit, e cila në mot është jubilare. Edicioni i 60-të shtrihet prej 20 prillit deri më 24 nëntor të vitit të ardhshëm. Nën temën “Të huaj kudo” (Foreigners Everywhere), Bienalja vjen me konceptin për emigrantët dhe fokusohet te vetë artistët që jetojnë larg vendit të tyre. Jubilare është edhe pjesëmarrja e Kosovës. Debutoi atje në Bienale me Petrit Halilajn, më 2013.

Detyrat e përcaktuara në ftesën publike të MKRS-së për artistët, ndër të tjera, janë të zhvillojnë konceptin origjinal të veprës, të përcaktojnë mediumin, të hartojnë planin e programit kulturor të Pavijonit, të menaxhojnë ekspozitën deri në hapjen e Pavijonit dhe më pas, sikurse edhe prezantimin dinjitoz në Pavijon.

Në thirrjen tashmë të lansuar bëhet e ditur se një juri pesanëtarëshe do të shqyrtojë aplikacionet. Punimet duhet të jenë të punuara në përputhje me rregulloren e edicionit të 60-të të Bienales së Artit në Bienalen e Venecias, përkatësisht konceptit të kuratorit brazilian, Adriano Pedrosa.

Në faqen zyrtare të Bienales bëhet e ditur se Bienalja në edicionin e ardhshëm do të fokusohet në artistët që janë vetë të huaj, duke përmendur saktësisht emigrantët, artistët që jetojnë në diasporë a që janë refugjatë. Në njoftimin e kuratorit Pedrosa, të publikuar në ueb-faqen e Bienales së Venecias shkruhet se “ekspozita shpaloset dhe përqendrohet edhe në prodhimin e lëndëve të tjera të ndërlidhura me të: artistin ‘queer’, i cili ka lëvizur brenda gjinive të ndryshme, shpesh duke u përndjekur ose jashtë ligjit; artisti i jashtëm, i cili ndodhet në kufijtë e botës së artit, pak a shumë si autodidakti dhe i ashtuquajturi artist folklorik; si dhe artisti indigjen, i trajtuar shpesh si i huaj në vendin e vet”.

Historia e përfaqësimit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie daton prej vitit 2013, kur Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019 nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Vitin e kaluar, Jakup Ferri i ishte përgjigjur temës së edicionit të 59-të me temën “Monumentalitetin e përditshmërisë”. Vizatime, piktura e tapiceri të artistit që jeton midis Kosovës dhe Holandës kishin veshur Pavijonin e Kosovës në ngjarjen më të madhe të artit bashkëkohor në botë. Ishin paraqitur si propozime të gjalla për bashkëjetesë dhe si vepra që ngjallin shpresë. Kosova që prej vitit 2012, merr pjesë edhe në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. Sivjet përfaqësohet nga Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri me “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent). Kur debutoi në këtë ngjarje u përfaqësua prej Përparim Ramës me veprën “Punuesi i filigranit”. Më 2014, Gëzim Paçarizi e kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Më 2016, sherri i Ministrisë së Kulturës, Kosova s’u përfaqësua për të vazhduar më 2018, kur kuratore e Pavijonit të Kosovës ishte artistja Eliza Hoxha me temën “Qyteti është gjithandej”. Më 2021, Kosovën e përfaqësoi Maksut Vezgishi, me veprën “CONTAINPORARY”.