Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka njoftuar të premten shpalljen e konkursit publik për përzgjedhjen e përfaqësimit shqiptar në edicionin e 61-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Kjo bienale do të mbahet nga 9 maji deri më 22 nëntor 2026.
Tema e Bienales, kuruar nga Koyo Kouoh, është “In the Eye of the Storm – Chronicles of the Minor Key”. Kouoh vdiq papritur në majin e sivjetmë në moshën 57-vjeçare. Ishte një nga figurat kryesore të botës së artit dhe avokuese e pakompromis e krijuesve afrikanë. E lindur në Kamerun, Kouoh ishte në kulmin e karrierës së saj. Gonxhja citohet të ketë thënë, “kjo është një ftesë për të eksploruar narrativat e heshtura, kujtesat e shtypura dhe gjuhët artistike që burojnë nga skajet, si një formë poetike e rezistencës dhe reflektimit ndaj historive të papërfaqësuara”.
Ndërkaq Kosova thirrjen për përfaqësim shtetëror e kishte hapur qysh në maj. Sipas ftesës për aplikim të Ministrisë së Kulturës, thirrja ishte e hapur për projekt-propozim të përbashkët artist-kurator apo edhe kolektiv, për realizimin e një ose më shumë veprave të reja artistike. Në thirrje shkruhej se projektet mund të jenë të formave të ndryshme, përfshirë ekspozita personale, grupore apo ekspozita tematike. Afati i fundit i aplikimit ka qenë 20 qershori. Në edicionin e kaluar, më 2023, Kosova ishte përfaqësuar me “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të artistes së gjeneratës së re, Doruntina Kastrati, nën kurimin e Erëmirë Krasniqit e me komisionere Hana Halilaj. Ishte përfaqësimi i gjashtë i Kosovës në Bienalen e Artit që kulmoi me sukses. Pavijoni i Kosovës në garë me 80 shtete mori “Mirënjohje Speciale” në edicionin e 60-të, ku “Luanin e Artë” e mori Australia.
“Historia” e Kosovës me Bienalen Ndërkombëtare në Venecia nisi më 2013 me Petrit Halilajn, që ishte paraqitur me instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019-n nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Më 2022, Jakup Ferri do të trajtonte “Monumentalitetin e përditshmërisë”.