Pavijoni i Kosovës është gati për inaugurim këtë të enjte në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës e ndërkohë është hapur thirrja për atë të Artit për vitin që vjen. Por hapja e thirrjeve në Kosovë, hap edhe debatin nëse institucionet përgjegjëse arrijnë t’i shpëtojnë politikës kur e përzgjedhin përfaqësuesin. Në mesin e disa artistëve ka edhe dilema sikurse ajo nëse institucionet e vendit sivjet janë ngutur në hapjen e thirrjes për aplikim
Përderisa ditët deri në hapjen zyrtare të Pavijonit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie numërohen së prapthi, artistëve e kuratorëve u është kujtuar ajo e Artit e vitit që vjen, pasi Galeria Kombëtare tashmë ka hapur thirrjen për përfaqësimin e vendit në ngjarjen madhore. E ka bërë këtë më herët se zakonisht e gati një muaj para shpalljes së temës së ekspozitës qendrore që organizohet me artistë pjesëmarrës, paralelisht dhe e pavarur prej pavijoneve shtetërore. Pjesëmarrja në Bienale, pos prestigjit për secilin shtet pjesëmarrës që futet në një lloj gare, është arritje edhe për artistin.
Por hapja e thirrjeve në Kosovë, hap edhe debatin nëse institucionet përgjegjëse arrijnë t’i shpëtojnë politikës kur e përzgjedhin përfaqësuesin, përderisa ende pa u shpallur fituesi, jopublikisht nisin lakimet e emrave të paracaktuar. Kësisoj ka ngjarë edhe viteve të kaluara, ani pse emrat e lakuar rrallë kanë dalë fitues dhe kanë qenë befasues.
Edicioni i 61-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, në vitin 2026 mbahet prej 9 majit deri më 22 nëntor, ndërsa tema e ekspozitës do të prezantohet më 20 maj nga presidenti i Bienales dhe kuratorja e edicionit të radhës.
Venecia tashmë është nën ethet e asaj të Arkitekturës, në edicionin e 19-të të së cilës Kosova përfaqësohet me veprën “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje”, një instalacion ndijor i arkitektes Erzë Dinarama, që do të inaugurohet të enjten e javës së vjen.
Për Bienalen e Artit, sipas ftesës për aplikim të institucionit shtetëror të artit pamor, thirrja është e hapur për projekt-propozim të përbashkët artist-kurator apo edhe kolektiv, për realizimin e një ose më shumë veprave të reja artistike. Në thirrje shkruhet se projektet mund të jenë të formave të ndryshme, përfshirë ekspozita personale, grupore apo ekspozita tematike. Afati i fundit i aplikimit – 20 qershori.
Një dilemë e një grupi artistësh – në mesin e të cilëve edhe vizitorë të kësaj ngjarjeje – është ajo nëse Kosova është ngutur në hapjen e thirrjes, përderisa presidenti i saj, Pietrangelo Buttafuoco, dhe kuratorja e edicionit të ardhshëm, Koyo Kouoh, do t’i shpallin titullin dhe temën në një konferencë për media më 20 maj, në Venecia. Por kjo nuk ka dilemë, sepse dihet qartë.
Zëvendësuesja e drejtorit në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani, ka qenë e qartë: ka thënë se puna e artistëve përfaqësues të shteteve është e pavarur nga tema që përcaktohet.
“Tema që hapet në Bienale nuk ka të bëjë asgjë me Pavijonet. Ajo hapet për ekspozitën bazë që ndërtohet nga kuratori i përcaktuar, ku fton edhe artistë nga vende të ndryshme. Janë dy gjëra të ndryshme: artisët aplikojnë për ta përfaqësuar vendin varësisht prej temës që zgjedhin, ndërsa tema që përcaktohet është për ekspozitën bazë prej kuratorit që përzgjidhet për Bienale”, ka sqaruar Gojani.
Për edicionin e kaluar, thirrja qe hapur në korrik të 2023-tës, kur veçse dihej tema e asaj që zyrtarisht quhet Ekspozita Ndërkombëtare e Artit. “Foreigners Everywhere” (Të kuaj kudo) ishte tema e përcaktuar nga braziliani Adriano Pedrosa, kuratori i përgjithshëm i atij edicioni, i cili si në çdo edicion organizon ekspozitën sipas konceptit të vet. “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” kishte qenë titulli i veprës së artistes së gjeneratës së re, Doruntina Kastrati, nën kurimin e Erëmirë Krasniqit e me komisionere Hana Halilajn. Ishte përfaqësimi i gjashtë i Kosovës në Bienalen e Artit që kulmoi me sukses. Pavijoni i Kosovës në garë me 80 shtete mori “Mirënjohje Speciale” në edicionin e 60-të, ku “Luanin e Artë” e mori Australia.
Por dilema tjetër, po në komunitetin artistik vendor, është politizimi i përzgjedhjes.
Artisti e profesori universitar, Eshref Qahili, ka thënë se konkurset për përzgjedhjen e përfaqësuesve të Kosovës në Bienale edhe ashtu nuk bazohen në temë, porse, sipas tij, janë politike.
“Unë në vitin 2000 e kam pasur një pyetje dhe dy artistë italianë më kanë thënë se Bienalja e Venecias është politike, pra shteti i cakton artistët. Sigurisht se shkojnë artistë të mirë, por nuk do të thotë se janë më të mirët. Kush është afër shtetit, afër ministrit të Kulturës, ata mund të shkojnë në Bienale, përndryshe nuk ndodh pse është më i miri, nuk mendoj se shkon artisti më i mirë”, ka thënë ai derisa është shprehur se ky perceptim i është krijuar bazuar në artistët që janë përzgjedhur deri më tash.
“Sigurisht se është i caktuar kush do të shkojë, pavarësisht se çfarë teme është. Është një grup i caktuar. Nga Ministria e Kulturës pastaj shkojnë nja 40 veta në përcjellje të artistit, gjoja se marrin vesh në art, me harxhimet e Ministrisë, sikurse kanë bërë më parë. Nuk ka një sinqeritet, një realitet se si do të duhej të ndodhte”, ka thënë Qahili për KOHËN.
Duke u ndërlidhur me vizitat e delegacionet e Qeverisë së Kosovës në Bienalen e Venecias, ka thënë se plot ish-pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Durrës, që mbajti edicionin e parë vitin e kaluar prej 5 tetorit deri më 24 nëntor. Porse aty munguan zyrtarët qeveritarë.
“Pjesëmarrësit në këtë Bienale të Durrësit, një numër i madh i tyre, kanë marrë pjesë edhe në Bienalen e Venecias dhe Qeveria e Kosovës nuk ka pasur mundësi ta vizitojë. Por në Venecia shkojnë nga 20-30 veta, gjoja se janë shumë të interesuar për kulturë. Kjo është përkrahja e kulturës së Kosovës jashtë vendit”, është shprehur artisti Qahili, që ishte pjesëmarrës në këtë ngjarje.
Ka thënë se shtetet e tjera shikojnë veprat dhe jo artistin, ndërsa, sipas tij, në Kosovë ndodh e kundërta.
“E përzgjedhin atë që është në rrethin e tyre ose që mendojnë se mund të përfitojnë nga njerëzit tanë që marrin pjesë në Bienale”, ka thënë ai.
Sipas artistit e profesorit të artit, Mehmet Behluli, duhet koordinim me Bienalen, si dhe distancë nga ndikimet politike.
“Do të duhej të koordinoheshin. Personalisht mendoj se kohëve të fundit konkurset që po shpallen nga Galeria e Ministria e Kulturës janë më profesionale se më parë. Duhet ta mësojmë një herë e përgjithmonë që partitë politike vijnë e shkojnë, por sistemi, mënyra e aplikimit, do të kenë shumë rëndësi. Nuk duhet të përzihet politika dhe thjesht duhet të mësohemi të administrojmë konkurset e mëdha siç na ka hije”, ka thënë ai derisa ka shtuar se uron që të përzgjedhurit për këtë edicionin e ardhshëm të jenë sikurse ata të fundit.
“Shpresoj se do të jetë sikur herët e kaluara, të fundit, ku komisionet kanë qenë shumë profesionale. Duhet të shihet se vërtet po punohet, pavarësisht animeve, çfarëdo qofshin”, ka thënë ai më tej.
Sipas artistit Rrezeart Galica, ka kohë që Kosova po përfaqësohet në Bienalen e Venecias me artistë “që nuk sjellin rezultate konkrete, por manifestohet si promovim i tyre i margjinalizuar”.
“Vepra që do të prezantohet në këtë Bienale do të duhej të kishte efekt dhe të sillte rezultate më të prekshme dhe jo vetëm të jetë një arritje sipërfaqësore, bazuar në këtë, kriteri mund ta zbehë shprehjen artistike të artistit krijues që nga ideja deri te realizimi. Andaj duhet që autoriteti që merret me këtë përzgjedhje t’i ketë parasysh të gjitha këto në mënyrë që vepra që paraqitet në Bienale t’i ketë të gjitha tiparet e një vepre dinjitoze e krijuar me kujdes dhe kuptimplote”, është shprehur ai.
Për kuratorin Zeni Ballazhi, puna e artistëve dhe kuratorëve varet nga tema e Bienales.
“Krejt varet prej temës kryesore. Secili kurator dhe artist konkurrent garon në bazë të asaj teme. Nëse mbërrihet ligjërisht nga 20 maji, derisa shpallet tema, atëherë mund ta shfrytëzojnë atë periudhë për të aplikuar konkurrentët e tjerë”, ka thënë ai.
Derisa përgatitjet për Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia janë në fazën fillestare, Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës me veprën “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje” të arkitektes Erzë Dinarama tashmë është gati në ngjarjen, e cila për publikun do të qëndrojë e hapur prej 10 majit deri më 13 nëntor. Projekti me të cilin merr pjesë Kosova në edicionin e 19-të në Bienalen e Arkitekturës cilësohet si ftesë për të dëgjuar, nuhatur dhe ndier ndryshimin përmes shqisave.
Sa i përket edicionit të artit gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe
“Historia” e Kosovës me Bienalen Ndërkombëtare në Venecia nisi më 2013 me Petrit Halilajn, që ishte paraqitur me instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019-n nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Më 2022, Jakup Ferri do të trajtonte “Monumentalitetin e përditshmërisë”.
Në atë të Arkitekturës debutoi më 2012, me “Punuesin e filigranit”, të kuratorit Përparim Rama – tash kryetar i Prishtinës – dhe për komisionar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. Instalacioni mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Dy vjet më vonë, sherri i Ministrisë së Kulturës, që nuk ishte kujdesur për procedurat, Kosova s’u përfaqësua, për t’u rikthyer më 2018 me Eliza Hoxhën, me veprën “Qyteti është gjithandej”, që zhvendosi atje shtëpinë kosovare të viteve ’90. Në edicionin e 2020-s, Maksut Vezgishi me “Containporary” zbërthente pyetjen se si mund të jetojmë së bashku. Kurse më 2023, Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri me temën “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) kishin trajtuar fenomenin e migrimit dhe ndikimin e tij në arkitekturën e qyteteve.
LEXO EDHE: