Shtandi i Kosovës në Panairin e Librit në Leipzig është hapur për vizitorë bashkë me ngjarjen e madhe të librit që ka nisur të enjten në Gjermani. Panairi – një prej atyre më me traditë në Evropë – sivjet u bën vend edhe rreth 100 titujve të Kosovës që janë atje në kuadër të programit promovues të rrjetit “Traduki”.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, si përfaqësuese e vendit, ka njoftuar se në këtë panair Kosova po prezantohet në njërën prej hapësirave të përzgjedhura, që gjendet përballë shtandit dhe hapësirës promovuese të “Tradukit”.
Në ditën e parë të ngjarjes aty ka qëndruar edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
“Ambasadori Ajeti së bashku me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku, morën pjesë në takime me përfaqësues të Panairit të Librit në Leipzig dhe me drejtues të ‘Tradukit’”, shkruhet në njoftim.
Po të enjten, BKK-ja në bashkëpunim me “Tradukin” – rrjetin e themeluar më 2008, me synimet për komunikim nëpërmjet librit duke përkthyer vepra, e në të cilin rrjet Kosova synon të anëtarësohet sivjet – kanë organizuar promovimin e veprës “Libërthi i dashurisë” të Shpëtim Selmanit. Për një orë e gjysmë aty është diskutuar mbi temën “Poezia mes poetit dhe lexuesit: ‘Personizmi’ dhe Konsumerizmi”. Diskutimi është moderuar nga përkthyesja Zuzana Finger. Më pas në ditën e 29-të të këtij muaji, në bashkëpunim me programin e Panairit do të promovohet vepra “Një grua amerikane në Kosovë 1981–1997” i autores Janet Reineck. Do të diskutohet mbi temën “Kujtimet personale në Kosovë (një pasqyrë personale e përshtypjeve dhe përvojave të autorit për jetën shqiptare në Kosovë)”. Moderatore e kësaj ngjarjeje do të jetë profesoresha universitare e gjuhës gjermane, Blertë Ismajli. Ajo po ashtu do të moderojë edhe diskutimin “Koleksioni historik: Diskutim historiografik i tetë grave të jashtëzakonshme në historinë e Ballkanit”, që mbahet në kuadër të promovimit të veprës “No Man’s Lands: eight extraordinary women in Balkan history” me autorë Elizabeth Gowing dhe Robert Wilton. Ky promovim mbahet në kuadër të ngjarjeve të Panairit.
Edhe
Kosova në Panairin e Leipzigut me pesë promovime e njëqind tituj
Në bashkëpunim me “Tradukin” të shtunën do të promovohet edhe vepra “Kësulëkuqja (përrallë për të rritur)” e autorit Ag Apolloni. Tema e diskutimit do të jetë “Letërsia: Mimesisi dhe fiksioni (raporti midis imagjinares dhe reales në letërsi)”, ngjarje kjo që po ashtu moderohet nga Blertë Ismajli. E të dielën do të promovohet romani grafik i Gani Jakupit, “Le Serpent à deux tetës”, ku temë diskutimi do të jetë “Optika grafike dhe letrare - një roman grafik për aborigjenët australianë”.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës është organizatore që përkrahet nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Punëve të Jashtme. Shtandi i Kosovës do të jetë në sallën 4 dhe me numër “D404”.
Me rreth dy mijë e 500 ekspozues nga më shumë se 40 vende, me mbi tre mijë e 400 pjesëmarrës, mbi 3 mijë e 600 ngjarje në 550 skena, Panairi i Leipzigut sivjet hap portat të enjten për t’i dhënë fund këtij edicioni të dielën. Është ngjarja e cila edicionin e parë e mbajti këtu e 391 vjet më parë, në vitin 1632. Më 2021 e më 2022 nuk u mbajt për shkak të pandemisë.
Panairi, njëri prej atyre më me ndikim në Evropë, synon që edhe sivjet të jetë adresë e shumë njerëzve të botës së librit.
Edhe
Dy ura për librin e Kosovës në Leipzig dhe Washington
“Bota e botimeve po shikon nga e ardhmja dhe rrjedhimisht edhe te ne në Leipzig”, ka thënë Martin Buhl-Wagner, drejtor menaxhues i Panairit. Sipas tij, shumë botues të njohur, nga grupe të mëdha e deri te kompanitë më të vogla, janë regjistruar për këtë edicion.
“Ata vijnë këtu për të festuar botën e letërsisë së bashku me ne, si dhe për të ofruar ushqim për mendje dhe për të krijuar mundësi për diskutime shumë të nevojshme në këto kohë të pasigurta”, citohet të ketë thënë ai, në një komunikatë për media të Panairit. Sivjet mysafir nderi është Austria.