Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kosova lidh histori e kujtesë në Panairin e Leipzigut

Shtandi i Kosovës në Panairin e Librit në Leipzig

Paneli në temën “Kujtesë e kontestuar, zëra të lidhur: Letërsia dhe politika në Ballkan”, i mbajtur të enjten në Panairin e Leipzigut, në qendër të vëmendjes ka pasur mënyrën se si temat e migrimit, identitetit dhe historisë vazhdojnë të ndikojnë thellë në krijimtarinë letrare bashkëkohore

“Aty ku historitë na lidhin”, është motoja e Panairit të Librit në Leipzig, i cili të enjten ka hapur dyert për vizitorët, e Kosova tashmë ka lidhur atje histori e kujtesë me një traditë në prezantim. Krahas shtandit, ka nisur edhe serinë e ngjarjeve. “Kujtesë e kontestuar, zëra të lidhur: Letërsia dhe politika në Ballkan” ka qenë e para, e cila ka shpalosur ndërthurjen e fuqishme midis përvojës individuale dhe historisë kolektive

Me gjithë rëndësinë dhe peshën që ka, Panairi i Librit në Leipzig shënon më shumë sesa një ngjarje të zakonshme kulturore për Kosovën. Është moment i rëndësishëm afirmimi e prezantimi në një prej skenave më të mëdha të librit në kontinent. Kështu libri bëhet edhe diplomaci kulturore duke qenë se krijues e udhëheqës të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës synojnë të kthehen prej atje me arritje që fuqizojnë dhe rrisin ndikimin e letërsisë shqipe.

Pjesëmarrja e vendit në ngjarjen me traditë shekullore i jep zë letërsisë që ka lindur dhe ka marrë formë në rrethana të veçanta historike. Në këtë kontekst përshtatet edhe paneli në temën “Kujtesë e kontestuar, zëra të lidhur: Letërsia dhe politika në Ballkan”, që ka shpalosur ndërthurjen e fuqishme midis përvojës individuale dhe historisë kolektive. Është ngjarja e parë –  e mbajtur të enjten – në kuadër të serisë së aktiviteteve me të cilat prezantohet Kosova atje, krahas shtandit që tashmë është hapur. “Aty ku historitë na lidhin”, është motoja e Panairit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Moderuar nga fotografja dhe shkrimtarja Mimoza Veliu dhe përkthyer nga Suzana Finger, përkthyese e shumë veprave shqipe në gjermanisht dhe anasjelltas, diskutimi ka sjellë në qendër të vëmendjes mënyrën se si temat e migrimit, identitetit dhe historisë vazhdojnë të ndikojnë thellë në krijimtarinë letrare bashkëkohore.

Shkrimtarja, përkthyesja dhe profesoresha e letërsisë frënge, Nerimane Kamberi, e ka vënë theksin te ndërthurja e përvojave të ndryshme historike në letërsi. Ka bërë me dije se edhe libri i saj i fundit ka këtë temë.

“Libri im ‘Qershitë’ është botuar në të dy gjuhët, në shqip dhe frëngjisht. Flet për luftën, por një luftë tjetër, që është pandemia. Në tregimet e mia thuren tema e kësaj lufte të shekullit të 21-të dhe lufta jonë, migracioni dhe të gjitha këto tema që i bartim edhe si njerëz, edhe si krijues”, ka thënë Kamberi.

Sipas saj, letërsia bashkëkohore pritet të rishkruajë historinë.

“Ende nuk ka ardhur koha që tema e politikës dhe rishkrimit të historisë, të demitizimit të disa personazheve, heronjve, po i jep një dimension të një letërsie të angazhuar, të një letërsie ndryshe. Por mendoj se ende nuk jemi aty. Do të vijë kjo lloj letërsie”, ka thënë Kamberi.

  Panairi i Librit në Leipzig në edicionin e sivjetmë pret 300 mijë vizitorë

Nga një këndvështrim tjetër, shkrimtarja e re Jehona Kicaj, e cila me romanin e saj “ë” po bën emër në skenën letrare gjermane, ka sjellë perspektivën e diasporës si shtresë thelbësore në rrëfimin letrar. Ka ndarë edhe rrëfimin e romanit të saj.

“Luan rol të rëndësishme në letërsinë time. Tema e luftës nuk pengohet nga perspektiva nga Kosova, por nga perspektiva protagoniste që jeton jashtë Kosovës. Ka disa perspektiva: në Kosovë njëkohësisht është luftë dhe protagonistja në Gjemani bën përvoja të tjera shumë komplekse, sepse në Gjemani përjeton ngjarje që nuk ndodhin në Kosovë e as që njihen madje në të dy vendet. Ajo përjeton racizëm, ndjenjën e të qenit i huaj në Gjermani. Janë përvoja shumë specifike të diasporës dhe për mua kjo perspektivë deri tash i ka munguar letërsisë gjermane”, ka thënë ajo në panel, ngjarje që është transmetuar drejtpërdrejt në rrjete sociale nga kanalet e BKK-së.

Shkrimtarja dhe studiuesja, Majlinda Bregasi, ka thënë se natyra e letërsisë ballkanike është thellësisht politike.

“Letërsia e Ballkanit është politike deri në palcë, duke filluar që nga Ismail Kadare deri te të gjithë shkrimtarët më të mëdhenj të Ballkanit. Që nga romani i parë ‘Ikja’, personazhi kryesor, pasi kërkon vëllain e zhdukur në luftën e Kosovës, detyrohet të lërë Kosovën dhe të shpërngulet në Francë, ku nga përkthyese punon në përkujdesje për një invalid që nuk flet. Edhe pse ata të dy nuk flasin, prapë komunikojnë”, ka thënë ajo duke shtuar se barriera e parë që duhet të kalohet për t’u integruar në një shoqëri a kulturë tjetër është gjuha.

Në Panair do të marrin pjesë disa autorë dhe studiues që përfaqësojnë breza dhe përvoja të ndryshme të skenës letrare në Kosovë. Pos atyre që ishin pjesë e panelit të diskutimit, atje po marrin pjesë edhe studiuesja dhe kritikja letrare, Meliza Krasniqi, antropologia dhe poetja Eli Krasniqi, si dhe poeti Arbër Selmani. Të tre janë pjesë e panelit tjetër me temë “Gjuhë të vogla, histori të mëdha: Letërsia shqipe në kontekst global”, që diskuton sfidat dhe potencialin e letërsisë së vogël shqipe në kontekstin global. Drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova-Gaxha është gjithashtu pjesë e këtij paneli që mbahet të premten.

“Kemi panelin tjetër të organizuar nga Biblioteka Kombëtare.
Aty gjithashtu jam unë si drejtoreshë e Bibliotekës në një panel të ‘Tradukit’, ku flitet për bibliotekat kombëtare nën kryqëzimin politik, së bashku me Bibliotekën e Bosnjës”, ka bërë me dije ajo.

Sa i përket atmosferës në shtand në ditën e parë të panairit, drejtoresha Rogova-Gaxha ka thënë se ka pasur mjaft vizitorë. Ka bërë me dije gjithashtu se takimet me institucionet kulturore veçse kanë nisur.

“Siç e keni parë ka qenë ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, si dhe zëvendësministrja Nora Arapi që kanë zhvilluar takime me drejtoreshën e panairit të Leipzigut, Astrid Böhmisch, si dhe me përfaqësues të ‘Tradukit’. Kemi pasur shumë interesim. Kemi pasur  shumë të pranishëm edhe në panelin që zgjoi interesim shumë të madh”, është shprehur ajo për KOHËN.

Deri të dielën, dy mijë e 44 ekspozues dhe përfaqësues nga 54 vende do të shfaqin veprat e tyre në Panairin e Librit në Leipzig. Sipas organizatorëve, këtë vit shënohet rritje e vogël krahasuar me vitin e kaluar, kur pati dy mijë e 40 ekspozues nga 45 vende. Krahas motos, “Wo Geschichten uns verbinden”, tema e këtij viti është “Danubi – Rrjedha midis dy botëve” që ka për fokus letërsinë dhe lidhjet kulturore të rajonit të Danubit. Sivjet pritet të marrin pjesë rreth 300 mijë vizitorë në Panair.

Shtandi i Kosovës në Panairin e Librit në Leipzig

Zyrtarisht u hap të mërkurën mbrëma me një ceremoni, ku i pranishëm ishte edhe ministri gjerman i kulturës, Wolfram Weimer, i cili në ngjarje u prit me protesta si rrjedhojë e vendimit të tij për të përjashtuar tri biblioteka të krahut të majtë nga Çmimi Gjerman i Bibliotekave dhe si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve mbi zgjerimin e Bibliotekës Kombëtare Gjermane në Leipzig.

Drejtoresha e Panairit të Librit në Leipzig, Astrid Böhmisch, ka theksuar rëndësinë e tregut të librit në gjuhën gjermane.

“Midis tjerash, të ftuarit ndërkombëtarë demonstrojnë rëndësinë e tregut të librit në gjuhën gjermane.  Këtë vit, ekspozues nga më shumë vende se kurrë më parë po prezantojnë letërsinë e tyre në Leipzig. Panairi i Librit në Leipzig është vendi ku historitë na lidhin”, ka thënë ajo.

Në ditën e hapjes së Panairit të pranishëm ishin ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, zëvendësministrja Nora Arapi-Krasniqi dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Panairi me traditë prej vitit 1632 e në formatin aktual që prej vitit 1946 pritet të zhvillojë më shumë se dy mijë ngjarje.

Prezantimi i Kosovës në Leipzig nuk është vetëm simbolikë, por synon që kësaj here të bëhet hap konkret drejt ndërkombëtarizimit të një letërsie të vogël.