Kulturë

Kori nga Peja drejt Filharmonisë së Berlinit me thirrje për mbështetje

Të martën drejtuesi i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, ka takim me ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku. Do t’i shpalosë detaje për koncertin që është pjesë e agjendës koncertale të Filharmonisë së Berlinit. E ka të vendosur ta theksojë se ky është “një kapitull i ri për muzikën korale në vend”. Do t’i kërkojë edhe mbështetje financiare në mënyrë që të realizohet udhëtimi drejt sallës, që njihet si ndër më të mirat në botë. “Unë dua të besoj që kjo do të ndodhë, jam optimist dhe dua të mbetem optimist në realizimin e kësaj ëndrre të rëndësishme për skenën e muzikës korale kosovare”

Dirigjenti dhe themeluesi i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, është i vetëdijshëm se sa e rëndësishme është ftesa që kanë marrë për të interpretuar në sallën e Filharmonisë së Berlinit. Mundësinë e konsideron legjendare. Tregon edhe se ka kohë që orkestra e madhe edhe salla radhiten si më të mirat në botë. “Të koncertosh në shtëpinë e Filharmonisë së Berlinit është ëndërr e çdo muzikanti duke e marrë parasysh se në të kanë koncertuar artistët më të mëdhenj që njeh historia e muzikës”, ka thënë ai. Të jesh pjesë e agjendës koncertale të këtij institucioni, sipas tij, nuk është vetëm një sukses i jashtëzakonshëm. “Është kapitull i ri për muzikën tonë korale në vend”, ka theksuar ai. Këtë e ka ndërmend ta potencojë edhe në takimin që do të ketë nesër me ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku. Do t’i kërkojë edhe mbështetje financiare, në mënyrë që të realizohet udhëtimi drejt kësaj salle.

Në anën tjetër, koncerti në ueb-faqen e Filharmonisë së Berlinit është përshkruar si vështrim brenda muzikës së Gjermanisë, Hungarisë dhe Kosovës. Tri grupe do të jenë pjesë e këtij koncerti që pritet të mbahet të dielën e 6 marsit, duke nisur nga ora 16:00. “Sing-Along Concert within the Choral Celebrations” është titulli i koncertit, ku “Siprantum” do të paraqitet me një program të shkurtër “a cappella” e që në fokus do të kenë dy vepra të kompozitorëve kosovarë.

Koncerti do të nisë me korin nga Hungaria “Ars Nova Vocal Ensemble choir” nën udhëheqjen e Katalin Kiss, për t’i lënë vend korit nga Berlini “Kammerchor Canzonea” nën udhëheqjen e Nils Jensen për të përmbyllur pjesën e parë me muzikë shqiptare.

Për pjesën e dytë në skenë do të ngjitën të tri koret për të kënduar veprën vokalo-instrumentale të kompozitorit George Frideric Handel, “Himni i kurorëzimit”. Kësaj radhe nën dirigjimin e Simon Carrington.

“Për shkak të konfidencialitetit, momentalisht nuk e kemi të lejuar të shpalosim programin. Gjatë ditëve në vijim do të bëhet publike edhe programi ‘a cappella’”, ka thënë Kelmendi. Ka treguar se ky koncert nuk ka karakter garues, por ka një rëndësi tjetër.

“Sot në botë është e rëndësishme rrjetëzimi i muzikës korale, unë jam më shumë i fokusuar momentalisht në këtë rrugë, por kjo nuk do të thotë qe ne në vijim do të përjashtojmë festivalet që kanë karakter garues”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, pas suksesit në “World Choir Games” dhe tri koncerteve të fundit në Berlin – në kuadër të festivalit dimëror ‘ChoralSpace’ - ky është një sukses tjetër i kulturës korale.

“Sigurisht, bashkëpunimi me dy koret e tjera pjesëmarrëse, solistët, orkestrën dhe njerëzit që ne do të rrethohemi gjatë këtyre ditëve, pa dyshim që do të ngjyrosin eksperiencën tonë. Për këtë ne jemi duke punuar qe shumë kohë. Po ashtu në tri festivalet e fundit ne kemi pasur tri programe krejtësisht të ndryshme, pra them që kemi bërë një punë tejet voluminoze dhe një sakrificë të jashtëzakonshme për të qenë pjesë e këtij rrugëtimi”, ka thënë Kelmendi.

Është kthyer edhe te problemi financiar që ua vështirëson këtë udhëtim. Ka thënë se janë duke punuar intenzivisht për të gjetur fonde për të realizuar këtë “ëndërr të rëndësishme”.

“Duke e marrë parasysh që ne jemi kor vullnetar dhe të gjithë ne funksionojmë mbi baza vullnetare, bazuar në suksesin që e dëshmojmë, përkrahja është tepër minimale. Momentalisht po përballemi me këtë sfidë, i gjithë stafi jemi në kërkim të sponsorëve që do të përkrahin këtë sukses”, ka thënë ai.

Ka treguar se për këtë i është drejtuar edhe MKRS-së dhe tashmë i është konfirmuar takimi me ministrin Hajrullah Çeku.

“Shpresoj që kësaj radhe do të gjejmë mbështetjen e duhur. Kemi dritën e gjelbër edhe nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe mendoj që bashkërisht duhet të punojmë për këtë sukses, sigurisht që në fokus kemi edhe bizneset apo artdashësit që duan të na ndihmojnë punën”, ka thënë ai.

Ka shtuar se ai dëshiron të besojë që kori nga Peja do të arrijë të interpretojë në Berlin. “Jam optimist dhe dua të mbetem optimist në realizimin e kësaj ëndrre të rëndësishme për skenën e muzikës korale kosovare”, ka thënë ai.

Kori “Siparantum”, si qëllim të rëndësishëm ka edhe promovimin e Kosovës në rajonin e Ballkanit dhe në mbarë botën përmes muzikës artistike dhe ndërkombëtare me vepra kompozitorësh të mirënjohur të shekujve të kaluar e të ditëve të sotme.

Së fundmi kori “Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë, që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën 460-të dhe ka 896 pikë. Në mars të 2021-tës kori mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe sivjet virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetor, kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medalje si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.