Themeluesi e dirigjenti i korit “Siparantum” është njëri prej anëtarëve themelues dhe pjesë e Këshillit Drejtues të Rrjetit Botëror të Dirigjimit Koral. “Emri im ka filluar të njihet në arenën ndërkombëtare, në botën e muzikës korale. Njerëzit që e kanë parë punën, aktivitetet që ne zhvillojmë dhe sukseset, kanë bërë që njerëzit të na respektojnë dhe kanë votuar pro, që për mua është një nder i veçantë, mundësi e jashtëzakonshme të vazhdoj tutje këtë rrugëtim dhe me idenë që të jap kontribut edhe përbrenda Rrjetit dhe mundësive që veprimtaria jonë korale të shpaloset në skenën ndërkombëtare”, ka thënë Kelmendi
Jehona e “Siparantumit” të Pejës ka qenë jo veç rezultat fitoresh. Sukseset e njëpasnjëshme, veçmas këtë vit në nivel evropian e botëror të korit të udhëhequr e dirigjuar nga Memli Kelmendi, kanë hapur edhe të tjera rrugë. Kësaj radhe për themeluesin dhe dirigjentin e “Siparantumit” dhe jo vetëm. Kelmendi është njëri prej anëtarëve themelues dhe pjesë e Këshillit Drejtues të Rrjetit Botëror të Dirigjimit Koral. Pozita e tij në këtë institucion e lidh edhe më tej muzikën korale të vendit me skenën ndërkombëtare.
“Siparantumi” me talent e profesionalizëm e ka bërë publikun e vlerësuesit e muzikës korale në botë. Mjeshtëria e loja me zërin, përkrah dirigjimit dhe prezantimit të veprave unike të Kelmendit ka qenë tjetër etapë. Fillimisht duke marrë dy çmime në “World Choir Games” në Korenë e Jugut e më pak se një muaj më parë në “Lojërat Evropiane të Koreve – Grand Prix of Nations” që janë zhvilluar në Norrköping të Suedisë.
Paraqitja dinjitoze në skenë është bërë sebep i ftesës dërguar Kelmendit nga Këshilli Drejtues i Rrjetit Botëror të Dirigjimit Koral për ta themeluar e drejtuar atë bashkë me dirigjentët e çdo cepi të botës. Edhe vetë ai ka thënë se kjo vjen si rrjedhojë e punës intensive viteve të fundit dhe kontakteve që ka krijuar në gara e festivale.
“Emri im ka filluar të njihet në arenën ndërkombëtare, në botën e muzikës korale. Njerëzit që e kanë parë punën, aktivitetet që ne zhvillojmë dhe sukseset, ka bërë që njerëzit të na respektojnë dhe kanë votuar pro, që për mua është një nder i veçantë, mundësi e jashtëzakonshme të vazhdoj tutje këtë rrugëtim dhe me idenë që të jap kontribut edhe përbrenda Rrjetit dhe mundësive që veprimtaria jonë korale të shpaloset në skenën ndërkombëtare”, ka thënë Kelmendi për KOHËN derisa e ka vlerësuar tejet domethënëse dhe respekt të veçantë ftesën e ideatorëve të Këshillit.
Me përfshirjen e tij në këtë institucion, muzika korale e vendit është më pranë mundësive për të depërtuar në skenën ndërkombëtare.
“Për mua është tepër domethënëse, sepse vetë pjesëmarrja ime dhe vetë ftesa për të qenë pjesë e këtij Këshilli është një respekt i punës. Për mua është një mundësi shumë e mirë për të qenë në lidhje me botën e muzikës korale dhe respektivisht me njerëzit që kanë ndikim të fuqishëm në botën në këtë fushë. Është një tjetër mundësi që nëpërmjet këtyre lidhjeve vendi ynë mund të jetë pjesë e rrjetëzimit dhe pjesë integruese e muzikës korale botërore”, ka thënë Kelmendi, dirigjent dhe drejtues i “Siparantumit” e kompozitor i shumë veprave korale e muzikore. “Është pak më e lehtë tash të ketë referenca dhe të kemi kontakte për pjesëmarrje eventuale të koreve kosovare në festivale ndërkombëtare apo bashkëpunimeve, për të qenë pjesë e masterklasave me njerëz kompetentë. Mbi të gjitha, një mundësi shumë e mirë për të rritur nivelin dhe kapacitetet e muzikës korale në vend”, ka shtuar Kelmendi.

Pjesë e Këshillit janë edhe dirigjentët: Andrea Angelini nga Italia, norvegjezi Thomas Caplin, polaku Kamil Gojoëy, austriaku Heike Henning , Klaus Levermann, Nicol Matt, Nils Jensen, Martina van Lengerich dhe Sebastian Weidenhagen nga Gjermania, belgu Jeroen Keymeulen. Gjithashtu Këshillit Drejtues të Rrjetit Botëror të Dirigjimit Koral (World Choral Conducting Network - WCCN) i janë bashkuar edhe: Lorissa Mason, Michael Murphy e Bret Scott nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Alena Pyne e Bernie Sherlock nga Irlanda, Susanna Saw nga Malajzia, Hakon Matti Skrede nga Norvegjia e Helene Stureborg nga Suedia.
Në komentin e Kelmendit dërguar Këshillit shkruhet se “çdo dirigjent sjell një perspektivë dalluese, duke nxitur ndërlidhjen e thellë shpirtërore dhe artistike”.
“Duke lundruar në sfida dhe duke eksploruar një spektër emocionesh, kam formuar lidhje të thella me shprehjen artistike. Me konvergjencën e zërave, muzika korale krijon një harmoni që unifikon ndjenjat individuale dhe shfaq aftësitë muzikore kolektive. Zanati i ndërlikuar i moderimit të harmonive përcakton udhëtimin tim dhe unë kam për qëllim ta ndaj këtë pasion globalisht. Pse Rrjeti Botëror i Dirigjimit Koral? Pjesëmarrja aktive na lejon të shprehim përzemërsinë tonë të thellë për këtë formë arti dhe të kontribuojmë në mënyrë thelbësore në një mjedis kolegjial”, shkruhet në komentin e Memli Kelmendit për ngjarjen dhe muzikën korale.
Qëllimi i Këshillit është të forcojë dhe promovojë globalisht profesionin e dirigjimit koral. Gjithashtu edhe të nxjerrë në pah domethënien e saj për shoqërinë në botë dhe komunitetin e muzikës.
“Këshilli Drejtues i Rrjetit Botëror të Dirigjimit Koral është veçanërisht i përkushtuar ndaj mbështetjes së synuar të të gjithë dirigjentëve koralë, udhëheqësve të grupeve të këndimit dhe atyre që janë të interesuar në drejtimin koral. Ky qëllim arrihet nëpërmjet një sërë masash që mund të zbatohen si online ashtu edhe në mjedise fizike”, shkruhet në prezantimin e tij.
“WCCN-OpportunityStreet” do të jetë programi i këtij institucioni të themeluar më 13 nëntor për aktivitete dhe ngjarje. Programe të mentorimit, ato të praktikave korale, për hulumtime dhe burime digjitale, për zhanre e stile korale, shkëmbime kulturore do të jenë prej aktiviteteve që do të zhvillohen.
Këshilli është themeluar në takim virtual ndërmjet nismëtarëve dhe anëtarëve themelues ku ishin adresuar dhe miratuar çështjet që lidhen me Këshillin.