Kulturë

Kori i Filarmonisë, te publiku në Pejë me energjinë pozitive të muzikës

Kur shpërtheu pandemia, në pamundësi për të mbajtur koncert, institucioni më i lartë i muzikës në vend, filloi ritransmetimin nëpër rrjete sociale të koncerteve të mbajtura më parë. Në një mënyrë, kësisoj ia dëshmoi publikut se do të jetë afër edhe në kohë të vështirë. Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, do të thoshte se muzika mund të shërbejë si lehtësues për situata të tilla.

Sapo u lehtësuan masat, Kori i Filarmonisë së Kosovës u rikthye me koncertin e parë në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren më 16 tetor. Me të paralajmëruan një lloj mini-turneu nëpër vend. Të premten mbrëma, stacioni i radhës ka qenë Peja, ku u shpalos ai që është përshkruar si “rrugëtim muzikor nëpër meloditë e Evropës veriore deri te krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë”. Po ky program qe prezantuar edhe më 10 mars në Kishën Shën Ndou në Prishtinë, që shënoi koncertin e fundit para izolimit.

Edhe Orkestra tashmë i është rikthyer skenës, kur të enjten e javës së kaluar mbajti koncert në Sallën e Kuqe në Prishtinë. “Aksesorë” të domosdoshëm të koncerteve të tanishme, janë ca ulëse boshe, shirita për distancë, të cilën duhet ta respektojnë edhe instrumentistët e koristët. Por, kur muzika del në pah me potencën e vet, pamje sikur këto sikur zbehen.

Syndyze Haxhijakupi, profesoreshë e muzikës, ishte në mesin e atyre që e ndoqën koncertin në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Me të përfunduar koncerti me dashamirësi i është afruar drejtorit të Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

“Faleminderit shumë për këtë koncert. Është shumë mirë kjo ardhja juaj në Pejë, sidomos tani gjatë pandemisë. Ne kemi nevojë për muzikë dhe të vazhdojmë mbajtjen e aktiviteteve të tilla”, i ka thënë ajo.