EXPRESS

Kori i Filarmonisë me koncert pas shtatë muajsh

Kori i Filarmonisë së Kosovës është rikthyer në skenë pas shtatë muajsh pauzë.

Për publikun e kufizuar në numër në kinemanë “Lumbardhi”, anëtarët e korit të Filarmonisë së Kosovës kanë sjellë një program të larmishëm të veprave.

Nën udhëheqjen e dirigjentit Hajrullah Syla, përmes zërave të tyre kanë përshkuar një rrugëtim muzikor nëpër meloditë e Evropës veriore deri tek krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë, raporton KOHA.

Për publikun prizrenas u interpretuan tri këngë popullore të kompozitorit Thoma Smaku. “Moj e bukura More”, “Qenke veshur moj me të bardha” e “Trendelinë” bëri bashkë zërat femërorë të Korit të Filarmonisë së Kosovës.

Ares Shporta thotë se ishte kënaqësi që “Lumabardhi” ishte nikoqir i këtij koncerti që e ktheu korin para publikut.

Filarmonia e Kosovës, që sivjet shënon jubileun e 20-të që nga themelimi, është detyruar të anulojë koncertet e planifikuara për përvjetorin jubilar. Njëri prej tyre ishte planifikuar të mbahej në prill, në një prej sallave me akustikën më të mirë në Evropë. E në tre muajt e mbetur të këtij viti, ky institucion do të vazhdojë rrugëtimin në Kosovë e Shqipëri.

Kori i Filarmonisë së Kosovës më 23 tetor do të prezantohet me koncert në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, në qytetin e Pejës.