Filarmonia e Kosovës i është rikthyer publikut në Gjakovë, pas një mungese prej pesë vjetësh. Orkestra nën dirigjimin e Gridi Krajës nga Tirana, të martën mbrëma ka interpretuar program me frymë shqiptare. Ky qytet ka qenë destinacioni i radhës, në kuadër të turneut që institucioni më i lartë i muzikës serioze në vend po bën për të shënuar 20-vjetorin e themelimit. Duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, instituti më i lartë i muzikës ka vendosur që t’i qëndrojë afër publikut. Distanca është diçka me të cilën kanë nisur të mësohen të dyja palët. Publiku në sallën e teatrit të qytetit “Hadi Shehu” ka qenë i shpërndarë, njëlloj siç ishin edhe anëtarët e orkestrës në skenë. Mbajtja e maskave është obligative. Me gjthë masat, koncerti në Gjakovë ishte dëshmi që interesimi i publikut nuk është zbehur.
Për dirigjentin Gridi Kraja, në këtë kohë pandemie, muzika është ilaç. Ai për herë të dytë dirigjoi orkestrën. Fillimisht dha direktivat në tetor në koncertin që patën anëtarët e orkestrës në Prishtinë, që shënoi edhe rikthimin në skenë pas shtatë muajve pauzë për shkak të pandemisë. Repertori në Gjakovë ishte i ngjashëm me paraqitjen në kryeqytet, mirëpo erdhi më i tkurrur. Edhe orkestra nuk u paraqit me formacionin e saj të plotë. Për shkak të masave është zvogëluar edhe kohëzgjatja e koncerteve në paraqitjet e orkestrës, por edhe të Korit të Filarmonisë.
“E mira është që në këtë kohë pandemie muzika të mos ndalet. Njerëzit po përjetojnë momente të vështira, momente stresi dhe padyshim muzika është një ilaç që frymëzon njerëzit, i bën të ndihen më optimist, më mirë, në situata si këto”, ka thënë dirigjenti.
Kraja në hapje të koncertit i është drejtuar publikut, tek i ka thënë se me muzikë do të kalohet më lehtë situata e krijuar për shkak të pandemisë. Ka komunikuar me artdashësit duke dhënë sqarime për çdo vepër të interpretuar.
“E mira është që të mos rrezikojmë njëri-tjetrin dhe të mos qëndrojmë shumë gjatë pasi që jemi në një ambient të mbyllur”, ka thënë ai.
Orkestra është prezantuar me një program të larmishëm kryesisht me vepra të kompozitorëve shqiptarë. Në mesin e veprave shqipe që u luajtën ishte edhe uvertura nga opera “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit, “Valle shqiptare Nr.2” nga Thoma Gaqi, fragmente prej poemës simfonike “Skënderbeu”, si dhe vepra “Albanian Dance” nga kompozitori, Hajrullah Syla.
Interesimi i publikut, sipas drejtorit të Filarmonisë së Kosovës është dëshmi se ka nevojë për muzikë. “Ishim shumë të befasuar me numrin dhe me interesimin e madh të publikut këtu në Gjakovë. Për fat të mirë salla i ka mbi 700 ulëse dhe natyrisht respektohen të gjitha masat anti-COVID që po kërkohen për manifestime të tilla”, ka thënë ai.
Për ata që ndoqën koncertin, dalja e Filarmonisë nga kryeqyteti është për t’u lavdëruar. Flutistja Jeta Gerqari, e cila është mësuese në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ka thënë se muzika është shumë e nevojshme pasi që në situata të tilla pandemie, i bashkon më shumë njerëzit dhe i bën të ndihen më mirë.
“Koncerti sonte ishte shumë i mirë. Besoj të gjithë e kanë pritur mirë një koncert të tillë e në rrethana të tilla. Është për t’u vlerësuar shumë që Filarmonia ka ardhur këtu. Publiku me padurim e ka pritur dhe jemi kënaqur sonte”, ka thënë Gerqari. Sipas saj, në qytetin e Gjakovës ka shumë të interesuar që ndoshta jo gjithmonë kanë mundësinë që të shkojnë në Prishtinë për të ndjekur aktivitetet e Filarmonisë. Prandaj, siç ka thënë ajo, daljet e saj nga kryeqyteti dhe zhvillimi i turneve të tillë është i mirëseardhur.
Për baritonin Adhurim Grezda, i cili është ndjekës i aktiviteteve të Filarmonisë, programi ka qenë jashtëzakonisht i mirë.
“Vërtet në këtë lloj periudhe ku jemi duke jetuar globalisht, koncerti ishte i mirëseardhur sidomos Filarmoninë e Kosovës është kënaqësi me e pasë në Gjakovë”, ka thënë ai. Sipas tij, Filarmonia duhet të shqyrtojë mundësitë që të realizojë koncerte të tilla edhe më shumë.
“Turneu është iniciativë shumë e mirë sidomos për faktin se këtu ekziston hapësira, pra në Pallatin e Kulturës dhe ne kemi mundësinë që ta ftojmë Filarmoninë për të performuar”, ka thënë ai.
Orkestra, paraqitjen e parë pas shkëputjeve të detyrueshme nga aktiviteti koncertal, e pati në Sallën e Kuqe më 22 tetor. Pikndalesa e dytë ishte Gjakova. Kori, paraqitjen e parë e pati në kinemanë “Lumbardhi” më 16 tetor në Prizren. Pikëndalesa e radhës ishte qyteti i Pejës dhe kryeqyteti i Maqedonisë. Anëtarët e korit, më 23 tetor performuan në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë dhe në Shkup më 31 tetor. Për javën e ardhshme Orkestra ka paraparë koncert në Shkup. Në agjendën e Orkestrës e të Korit të Filarmonisë janë edhe Tetova dhe Tirana.
{gallery}