Publiku “pushtoi” ulëset, solistët e Korit të Filharmonisë së Kosovës zunë vendet e tyre dhe kisha “Shën Katarina” filloi të kumbojë.
Kështu u shënua decentralizimi kulturor, teksa interpretimet artistike nën dirigjimin e Memli Kelmendit u stacionuan në Pejë, pas premierës në Prishtinë.
Renesanca e bashkëkohorja frymuan në veprat që u dha jetë Kori, nën përcjelljen instrumentale të pianos, kontrabasit, tamburit, kastonit e fizarmonikës, duke qenë një gërshetim mes artit ndërkombëtar e vendor.
Gjithçka ishte njësoj, përveç publikut dhe dedikimit që u shfaq para tij. Në mesin e disa veprave vendore – “Dimër” e Hajrullah Sylës, “Sa bukur ka dalë nusja” e Memli Kelmendit – pjesa “Siparantum” e Kreshnik Aliçkajt u interpretua në kujtim të një personi të dashur për dirigjentin e mbrëmjes të së enjtes.
“Ka qenë një prej shtyllave tona më të forta. Ne e humbën njeriun kryesor”, ka thënë Kelmendi për kryetarin e korit “Siparantum”, Fatmir Bajraktari.
Në vendin e tij të lindjes, dirigjenti nga Peja shfrytëzoi rastin ta nderonte Bajraktarin, ashtu siç thotë ai, me tingujt muzikorë.
“Vepra e fundit ishte paraparë ta realizonim koncertin e parë me Korin ‘Siparantum’”, por Zoti deshi ta marrë afër vetes. Ne nuk arritëm që ai ta shijojë këtë pikë, por unë e kam menduar këtë pikë si dedikim”.
Ndërkaq, shfaqja e dimensioneve të ndryshme muzikore, prej më të qetave e deri tek ato të cilat bënë që publiku të ishte sykatër drejtuar skenës, bëri që ky koncert të ishte atraktiv nga aspekti i veprave të interpretuara.
“Kësaj radhe kam menduar më shumë edhe për audiencën”, përmblodhi Memli Kelmendi.
Në anën e ulëseve ndodhej edhe profesoresha e Fakultetit të Arteve, Zana Badivuku–Basha.
“Memlin e njoh që nga fillet e tij, si kuadër i ri që erdhi në Pejë. Krejt këtë ecurinë e tij artistike e kam përcjellë me entuziazëm, duke e ditur që ai ka qenë një tip shumë energjik”, u shpreh ajo.
Përveçqë vlerësoi lart performancën e Filharmonisë, ajo çmoi ngritjen profesionale të dirigjentit Kelmendi.
“Shumicën e këtyre pjesëve ai i ka pasur në repertor, duke e ditur që Filharmonia e Kosovës është kulmi i muzikës korale, ka pasur një përgjegjësi shumë të madhe ta marrë përsipër, por si gjithmonë ai e realizon shumë me sukses dhe ka qenë një mbrëmje shumë e këndshme, ekspresive, me origjinalitet”, përfundoi profesoresha Badivuku–Basha.
Magjia melodike e këtij koncerti e kishte bërë Burim Kasapollin të thellohej për të dytën herë me radhë në këtë ngjarje kulturore, si një dëshmi profesionalizmi e Filharmonisë.
“Isha edhe në koncertin premierë në Prishtinë, jashtëzakonisht më pëlqeu, prandaj erdha. Në këtë format, Korin e Filharmonisë, sa jam duke e përcjellë, s’e kam parë asnjëherë. Ishte me të vërtetë natë magjike”, u shpreh ai me entuziazëm.
Ndërrimin e roleve nga soliste në publik e shijoi me kënaqësi edhe këngëtarja Shpresa Gashi.
“Me një nostalgji të madhe i dëgjova, sepse para katër vjetësh isha pjesëtare e këtij Kori, por me mallëngjim shumë, me një timbër shumë unik, dirigjenti shumë i mirë, i ri, por i suksesshëm. Po më vjen mirë që po shoh vepra aq avangarde, që po i ekzekuton me sukses”, ka thënë Gashi.
Gërshetimi mes veprave që kanë shëtitur botën dhe atyre që janë krijuar nga kompozitorë vendorë bëri që koncerti i Korit të Filharmonisë së Kosovës të mbetet në mendjen e publikut pejan.