Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Koncerti në kujtim të Skënderbeut, moment historik i artistëve shqiptarë

Prishtinë, 21 nëntor – Tingujt e pianos në lojën mjeshtërore të Genc Tukiçit hapën atë që u cilësua si “koncert madhështor”. Pianisti shqiptar i cili jeton në Paris e kompozoi këtë vepër enkas për këtë koncert.

“Fantasia Argentina” i dedikohet Papa Françeskut. Skena prestigjioze italiane, të hënën mbrëma, përveç Tukiçit mirëpriti një numër të muzikantëve shqiptarë të cilët tashmë kanë arritur të bëjnë karrierë botërore. Salla e madhe me platformën me më shumë se 600 ulëse, gjashtë kate përreth ku po ashtu është e dizajnuar për publik, kompletohet me freskat në tavanin e lartë. “Teatro Argentina” është një prej teatrove dhe shtëpive muzikore më të vjetra në Romë, në objektin e ndërtuar në vitin 1731 dhe të inauguruar më 31 janar të vitit 1732 me veprën “Berenice” të kompozitorit Domenico Sarro.

Pas Tukiçit, siç ishte paraparë në program, në skenë u ngjit këngëtarja shqiptare Elhaida Dani për të kënduar “Adagio” të Laura Pausinit. Dani ia la skenën tenorit të suksesshëm kosovar Ramë Lahaj, i cili para publikut italian e atij shqiptar që kishte mbushur sallën këndoi “Rrjedh në këngë e ligjërime”, të Feim Ibrahimit.

“Moment historik” e ka cilësuar Lahaj në një bisedë telefonike për gazetën, edhe koncertin ashtu sikurse pritjen që u është bërë nga Papa Françesku.

Inva Mula, po ashtu, ishte pjesë e këtij koncerti në Romë i cili i dedikohej heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, për të shënuar 550-vjetorin e vdekjes së tij. Ajo,njëjtë si Rama kishte zgjedhur që të këndonte në shqip. Ka përzgjedhur “Moj e bukura Arbëri” nën përcjellje të Tukiçit me piano. Koncertin madhështor “Të bashkuar në kujtim të Skënderbeut” e kompletuan edhe yje të tjerë shqiptarë. Violinisti Olen Cesari solli “Ave Maria”. Këtë vepër në fillim të këtij viti e kishte interpretuar mbi statujën e Krishtit në Rio de Janeiro, në Brazil. Cesari arriti të krijojë karrierë në Itali, për të vazhduar më pas edhe në skenat botërore. E njëjta është edhe me këngëtarin Ermal Meta. Në koncertin madhështor i cili mblodhi shqiptarët në një vend, ai këndoi “Non mi avete fatto niente”, me të cilën e përfaqësoi Italinë në edicionin e sivjetmë në “Eurovision” në Lisbonë. Me prezantimin e tij, Italia zuri vendin e 5-të. Për t’i dhënë një ngjyrë tjetër kësaj mbrëmjeje futbollisti, ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, deklamoi një poezi, ndërsa balerini Eno Peçi emocionoi të pranishmit me një pikë vallëzimi. Dua Lipa solli para publikut baladën e saj “Homesick”, e cila është pjesë e albumit të saj të parë. E veshur me të zeza, nën përcjelljen e pianistit të saj, ajo mrekulloi të pranishmit. Krejt në fund të kësaj mbrëmjeje, vëmendja u kthye nga 13-vjeçarja Erza Muçolli, e cila ka një kapacitet të madh vokal. Me ëmbëlsi ajo këndoi “Hallelujah” /Sihana Klisurica

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)