Oratoriumi “La Tempesta sul Lago” i Domenico Bartoluccit është i shenjtë e madhështor. Kështu ka qenë edhe koncerti i Filharmonisë së Kosovës bashkë me Korin e Operës së Kosovës në Romë. Është historik për disa arsye: i bashkohet shënimit të Jubileut nga Selia e Shenjtë, përcjell mesazhe paqeje në kohë stuhish. Në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli në Romë ka jehuar me rrëfimin që ka lënë aty Kosova, e cila çerekshekulli më parë kërkonte paqen
Krejt kanë ngjitur mbi 120 shkallë për të hyrë në kishë. Midis tyre, pesë meshtarë të Vatikanit, përfshirë edhe kardinalë. Ambasadorë të akredituar të asaj që është Selia e Shenjtë e mysafirë të tjerë që kanë përbërë publikun me rreth 700 veta, të dielën mbrëma kanë mbushur bazilikën Santa Maria in Aracoeli në Romë. Ndërtesa që zë fill në shekullin e gjashtë dhe kufizohet me atë që njihet si Monumenti i Vittorio Emanuele II – alamet pallati mbretëror – u ka bërë strehë krejt mysafirëve pasi qe nikoqire e Filharmonisë së Kosovës. Të pranishmit përballë muzikantëve nga Kosova, qysh pa nisur koncerti, kanë shfletuar programin, vargjet e solistëve e të korit. E kur koncertmjeshtri Visar Kuçi ka hyrë në sallë dhe ka dhënë sinjal për akordim, sytë janë ngulitur tek Orkestra. Në këtë moment ka filluar “shfaqja”. Publiku i pranishëm me përbërje rreth 95 për qind italianë, kësaj radhe ka pasur përballë artistët e shtetit më të ri në Evropë.

Bashkë me solistët e dirigjentin, 138 veta në skenë për një orë e 10 minuta i kanë dhënë zë një episodi biblik nëpërmjet muzikës. Të prirë nga dirigjenti italian Jacopo Sipari di Pescasseroli, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës bashkë me Korin e këtij institucioni dhe ai që është Kori i Operës së Kosovës, kësaj radhe kanë bërë një prej prezantimeve më të mira jashtë vendit në historinë e vet.
Oratoriumi “La Tempesta sul Lago” i Domenico Bartoluccit përpos mjeshtërisë muzikore, është edhe vepër me simbolika të forta. E bazuar dhe e frymëzuar në episodin biblik kur Krishti qetëson stuhinë mbi liqen, vepra sjell stuhi, dashuri ndërnjerëzore, mëshirën e Zotit e mbi të gjitha bën thirrje për paqe. Krejt këto i kanë bërë të ndjeshme muzikantët nga Kosova dhe atë me profesionalizëm serioz.
Vepra i ka futur të pranishmit në botën e pasigurt duke sjellë dramacitetin e stuhinë mbi liqen, siç mban edhe titullin. Shpërthimi i Korit me thirrje kolektive sjell atmosferë kaosi, e cila fuqizohet me të madhe nga loja e orkestrës. Kurse inkuadrimi në lojë i solistëve si sopranoja Besa Llugiqi, mexosopranoja Ivana Hoxha, tenori portugez Carlos Cardoso dhe basi italian Biagio Pizzuti, plotëson tensionin harmonik. Kaosi është i pafundmë derisa vjen zëri i Krishtit që në këtë rast interpretohet nga basi Biagio Pizzuti. Ky zë vjen në bazilikën që në shekujt 12-të e më pas 15-të ka marrë “veshjen” e stilit barok. Në atë që njihet edhe si kisha më e afërt me Zotin në Romë, shkaku i kodrinës ku qëndron, dallgët nisin të qetësohen e stuhia ul kryet ngadalë për t’iu kthyer normalitetit. Dhe krejt kjo shndërrohet në një festë për shpëtimin, jetën, lidhjen me hyjin e mbi të gjitha shpirtëroren si prehje e qetësim.

Në natën paraprake, kur është mbajtur një provë përfundimtare e xhiruar nga RAI si “back up” për transmetimin e koncertit të së dielës, atmosfera s’ka qenë bash e njëjtë. Të ftohtit dhe deri diku mosdisiplina e kanë bërë të veten. Por të dielën situata bashkë me energjinë kanë ndërruar. Në kuadër të Jubileut që organizohet çdo 25 vjet nga Vatikani me misionin e ripërtëritjes shpirtërore, Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me fondacionin “Bartolucci” kanë bërë që Kosova të jetë aty me alamet mesazhesh. Hapësira e mbuluar me freskat e artistit mesjetar Pinturicchio ka kumbuar nga tingujt e zërat që flasin për fatkeqësitë njerëzore e ndërhyrjen shpirtërore për të qetësuar situatën. Në atë që sivjet është Jubilu i Shpresës ka pasur ngjarje të ndryshme gjatë gjithë vitit dhe u kushtohet faljes së mëkateve e ripërtëritjes shpirtërore. Mesazhet e paqes janë aty gjithnjë. Siç janë edhe te vepra e kompozitorit, dirigjentit e kardinalit italian, Domenico Bartolucci (1917 – 2013). I njohur si një ndër figurat kryesore të muzikës sakrale të kohës moderne dhe drejtues i Kapelës Muzikore të Sistinës, Bartolucci konsiderohet edhe si një vazhdues i traditës së Giovanni Pierluigi da Palestrina (1525 –1594), mjeshtrit të hershëm të polifonisë së shenjtë.
E vepra “La Tempesta sul Lago” hyn tek ato më me nam të Bartoluccit. Kurse Filharmonia e Kosovës tashmë ka lënë vulën interpretuese te kjo vepër jo edhe aq interpretuar në botë. Filharmonia po e vazhdon interpretimin në ngjarjet e Vatikanit, pas vitit 2016, kur performoi në kuadër të Shenjtërimit të Nënës Terezë. Por tradita muzikore e Kosovës është edhe më e vjetër.

Këtë ua ka bërë me dije të pranishmëve kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, para se të nisë koncerti.
Ka mbajtur një fjalë rasti rreth pesë minuta dhe ka thënë se në kujtesën muzikore të Kosovës ka figura të cilat natyrshëm lidhen me traditën që nderohet në ngjarjen e së dielës. Ka përmendur Niketë Dardanin, vepra e të cilit, sipas tij, përbën një nga shtresat e para të këngës së krishterë në rajonin më të gjerë dardan. Më pas ka përmendur Lorenc Antonin si kompozitorin e parë dhe se në rininë e saj Shën Tereza e Kalkutës këndoi në koret që ai drejtonte. Kurse pas koncertit, ai ka vlerësuar lart interpretimin.
“Filharmonia e Kosovës dhe Opera e Kosovës bënë një performancë të paharrueshme dhe duartrokitjet frenetike të qindra njerëzve që u ngritën në këmbë janë dëshmia më e mirë për suksesin e shfaqjes sonte. Kjo është festë për artin dhe kulturën e Kosovës, është festë e urës së bashkëpunimit midis Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. Është edhe festë për diplomacinë kulturore të Kosovës pasi mund të organizosh edhe pa numër biseda, takime e aktivitete e që të gjitha ato bashkë, nuk arrijnë të krahason me një performancë sikurse ajo sonte këtu”, ka thënë Kurti. Sipas tij, mbresat e kësaj ngjarjeje do të ngelin gjithnjë te gjithsecili që ka qenë i pranishëm.
Kompozitori e dirigjenti, Rafet Rudi, i cili njihet për profesionalizmin e dhe kritikat e tij, kësaj radhe ka çuar në tjetër nivel vlerësimin për performancën.
“Mund të them me plot gojë se ky është një ndër prezantimet më të mira që kam dëgjuar nga Filharmonia jashtë Kosovës. Funksionoi në çdo pikëpamje. Përgjithësisht jam tepër, tepër i kënaqur. Nëse krahasohet me prezantimin e para nëntë vjetësh në Vatikan, ky është një prezantim shumë më i mirë për shumë arsye. Ajo që më bëri posaçërisht të lumtur është publiku aq i madh në numër dhe pjesa më e madhe ishin italianë për dallim nga nëntë vjet më parë kur ishin shumica shqiptarë”, ka thënë ai. Sipas Rudit, publiku aq bukur e pranoi prezantimin, gjë që e bën këtë një promovim të jashtëzakonshëm të kulturës së Kosovës në botë.

Vepra që krijon tension të jashtëzakonshëm muzikor krijon stuhi jo veç në rrëfim, por edhe në tinguj, duke i bërë të pranishmit që të preken nga muzika, mirëpo edhe duke nxjerrë në pah cilësitë e Filharmonisë, që në këtë rast është ndihmuar nga dirigjenti e tre solistë mysafirë.
Sopranoja Besa Llugiqi ka thënë të jetë tejet e lumtur për prezantimin e dy institucioneve.
“Mendoj se ka qenë një prezantim i denjë i të dy institucioneve të shtetit tonë duke promovuar kulturën tonë dhe gjithë pasurinë tonë artistike. Mendoj që kemi bërë maksimumin tonë. Përshtypjet e publikut ishin shumë të mira dhe kjo ka shumë rëndësi për të zbukuruar e për ta bërë më të ndritshëm imazhin tonë jashtë vendit”, ka thënë ajo.
Shumë prej atyre që ishin në radhët e para të sallës kanë xhiruar me telefonat e tyre pjesë të ndryshme të koncertit. Edhe Llugiqin, që është një prej zërave kryesorë operistikë të Kosovës. Publiku në Romë s’ka qenë sikurse ai që shpesh qëllon në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë me zhurma e hallakama të tjera. Shumë prej të pranishmëve edhe e kanë përcjellë performancën duke lexuar vargjet bashkë me korin e solistët.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se për Filharmoninë e Kosovës çdo prezantim ndërkombëtar është i veçantë.
“Ky sonte është më specifik pasi Filharmonia është kthyer në Romë e Vatikan pas gati një dekade dhe vjen e prezantuar në një koncert, fizionomia e të cilit u shkon për shtat vendit, qëllimit për të cilin Orkestra e Kori janë këtu. Mbaj mend në prezantimin e parë këtu kemi ardhur me një repertor do të thosha të menduar jo shumë mirë kur e shoh nga perspektiva e sotme. Tash kemi sjellë një oratorium, ndonëse jo i popullarizuar dhe që nuk ka shumë incizime, kështu që ne mund të jemi referenca për këtë vepër në të ardhmen”, ka thënë ai. Ka shtuar se janë shumë dimensione që e bëjnë të rëndësishëm këtë organizim.
“Natyrisht që për ne çdo prezantim qoftë në Kosovë apo jashtë është i rëndësishëm. Momentet si këto e tejkalojnë një prezantim artistik. Konsideroj që është e rëndësishme që të bashkëpunojmë me akterë që udhëheqin me skenën kulturore në Vatikan e në Romë", ka thënë ai.

Me saktësi të nivelit të lartë artistët nga Kosova kanë zbërthyer veprën që në botën kishtare njihet për polifoninë e muzikës së shenjtë. Dramaciteti që ka imponuar Filharmonia ka treguar pjekuri të madhe. Maturia institucionale përballë publikut do të duhej të merrej shembull edhe në aspekte të tjera. Një varg zyrtarësh administrativë e anëtarë të Këshillave Drejtues përtej shpenzimit të buxhetit provokojnë edhe avari në udhëtime. Kjo anë mbetet tjetër muhabet. S’e ka ndikuar atë që është parë në skenë.
Koncertmjeshtri Visar Kuçi pas koncertit ka thënë se mendon që është shumë e rëndësishme për ata që së pari të përfaqësojmë Kosovën, por edhe të respektojmë një vend si Roma e Vatikani duke e interpretuar veprën e një prej kardinalëve të Vatikanit dhe duke e bërë atë me një profesionalizëm serioz.
“Mendoj që e kemi bërë një hap të vogël për të përmirësuar imazhin tonë si shtet sonte”, ka thënë Kuçi.
Kur vepra ishte interpretuar paraprakisht në Prishtinë, të enjten e javës së kaluar, dirigjenti Jacopo Sipari di Pescasseroli kishte thënë se është një vepër e fortë me përplot emocione, ku mund të dëgjohet zëri i Zotit.
“Posaçërisht në këtë përudhë secili prej nesh ka nevojë të ndiejë këto emocione, ta ndiejë veten në krahë të Zotit. Pra është vepër e veçantë për moment të veçantë”, kishte thënë ai.
Shteti i ri i Kosovës prej së dielës ka vënë një tjetër komunikim me Romën e Vatikanin. Ka shpërfaqur talent e profesionalizëm në interpretim bashkë me ndjesinë e rrëfimin muzikor për stuhi e paqe. Muzikantët e Kosovës i takojnë vendit që para pak më shumë se çerekshekulli është përballë me luftën që ka lënë mbi 10 mijë civilë të vrarë. E tash institucionet e Kosovës bartin mesazhe paqeje. Dhe atë në qendër të Romës, në ndërtesën me tulla që është prej ikonave të metropolit botëror, e seli shpirtërore e një pjese të madhe të krejt njerëzimit.