Shoqëria kulturore artistike “Agimi” ka realizuar koncertin tradicional festiv për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit. Publiku besnik i kësaj shoqërie edhe kësaj radhe ka mbushur sallën e shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren. Orkestrina bashkë me valltarët e shoqërisë, sikurse edhe solistët mysafirë, kanë sjellë folklor e muzikë popullore që janë karakteristike për rrethin e Prizrenit, por duke mos lënë anash as trevat e tjera shqiptare.
Të pranishmit në koncertin festiv, të dielën fillimisht i ka përshëndetur kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili ka theksuar se nuk është e rastësishme që paraqitjen e parë publike pas zgjedhjeve të rundit të dytë e realizon më 28 nëntor, dhe në koncertin e SHKA “Agimi”.
“SHKA ‘Agimi’ si shoqëria më e vjetër, si një emër ikonik jo vetëm i Prizrenit, por edhe i Kosovës, duhet të urohet për këtë organizim dhe manifestim. SHKA ‘Agimi’ do të jetë një ndër prioritetet e qeverisjes tonë të ardhshme”, ka thënë Totaj, duke uruar që festa kombëtare të kremtohet në unitet.
Programi festiv i përgatitur nga SHKA “Agimi” është hapur nga valltarët që kanë sjellë motive të jugut me koreografinë e Gëzim Sertollajt. Pastaj orkestrina popullore e SHKA “Agimi” nën drejtim të Armend Dedushajt ka shoqëruar solistët: Arben Bytyqi e Roza Bytyqi; duetin Fatmir dhe Erblin Hoxha, Fadil Bytyqi; si dhe Shkëlqim Bytyqi. Pastaj grupi i burrave është paraqitur me vallen tradicionale me surle e tupanë nga rrethi i Prizrenit. Në skenë është ngjitur sërish orkestrina për të përcjellë interpretimet nga Fatmir e Erblin Hoxha, Rina Ajeti, si dhe Fadil dhe Festim Bytyqi. Madje ky i fundit është paraqitur në skenë pas një pauze të detyruar për shkaqe shëndetësore.
Para këndimit në duet të këngës “Ani moj Shqipëri”, kryetari i SHKA “Agimi”, Festim Bytyqi, në emër të anëtarësisë së shoqërisë ka shprehur urimet për festat e nëntorit, duke mos harruar edhe mirënjohjen për kontribuuesit shumëvjeçar.
“S’kam kënduar moti, por sot do të këndoj. Do të këndoj sepse kemi festë”, ka thënë ai.
Programi është mbyllur me valle, me ç’rast valltarët e SHKA “Agimi” kësaj here kanë sjellë motive nga Dibra.
Pas përfundimit të koncertit festiv, kryetari i SHKA “Agimi”, Festim Bytyqi, është shprehur i kënaqur me pjesëmarrjen e publikut, duke theksuar se një gjë e tillë i motivon për punë të mëtejme, ani pse vazhdimisht janë në kontakt me audiencën për të përmbushur kërkesat e tyre.
“Ky ka qenë një koncert jashtëzakonisht i mirëseardhur, si për qytetarët e Prizrenit, si për neve që e kemi përgatit. Masiviteti i publikut në këtë eveniment ka qenë jashtëzakonisht mbresëlënës që neve na motivon për të punuar edhe tutje me të njëjtin vrull pa njohur asnjë pengesë”, ka deklaruar Bytyqi për KOHËN.
Sipas tij, “Agimi” është i nderuar që përfaqëson vlerat e Prizrenit me rrethinë, dhe jo vetëm. “Programi i sotëm i SHKA ‘Agimi’ ka sjellë vlerat e qytetit të Prizrenit dhe të rrethinës, me të cilat ne duhet të mburremi sepse janë në nivel të lartë. Në këtë aspekt, orkestrina bashkë me valltarët në këto kushte pandemie kanë qenë tejet të përkushtuar që ky program të jetë i mirë dhe të sjellë një freski për audiencën, sidomos në këto kushte pandemie”, ka përfunduar Bytyqi.
ShKA "Agimi" u themelua në nëntor të vitit 1994. Në fillim si ekip kulturor i komitetit shqiptar, ndërkohë që më 17 mars të vitit 1949 merr emrin ShKA "Agimi". Me formimin e kësaj shoqërie fillon jeta e organizuar kulturore e amatore e shqiptarëve të Prizrenit. Në programin e saj gjithnjë janë kultivuar vlerat e mirëfillta shqiptare, duke i kushtuar rëndësi ruajtjes dhe zhvillimit të këngëve e valleve, krijimtarisë letrare, artit pamor dhe skenik.