Pas prolongimit disamujor, të dielën, në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” është mbajtur edicioni i tretë i festivalit “Kënga qytetare na bashkon në Prizren”. Në këtë festival të karakterit garues të organizuar nga ShKA “Agimi”, pos nikoqirit kanë marrë pjesë edhe katër ansamble të tjera muzikore, nga Berati, Tetova, Presheva dhe Ulqini.
Pas prezantimit të të gjitha ansambleve, para publikut në numër të kufizuar, shkaku i pandemisë, juria e përbërë nga Sami Piraj, Xheladin Kastrati dhe Rahmi Ymeri ka vendosur që çmimi i parë t’i takojë orkestrinës popullore “Margarita Tutulani” nga Berati. Çmimi i dytë i është ndarë ShKASh “Xheladin Zeqiri” nga Tetova. Ndërsa ShKA “Presheva” dhe ansambli “Marinarët” nga Ulqini kanë marrë çmimin e tretë të festivalit. Në të njëjtën kohë si solisten më të mirë, juria ka vlerësuar Jormilla Baballekun nga orkestrina popullore “Margarita Tutulani” nga Berati, derisa si solisti më i mirë është vlerësuar Mefail Ibrahimi nga Presheva. Juria ka ndarë edhe çmimet e veçanta për kontributin e dhënë në ruajtjen dhe avancimin e këngës qytetare për Jeton Pustinën nga Tetova, Floresha Dedinjën nga Berati, Agim Kadriun nga Presheva dhe për ansamblin “Marinarët” nga Ulqini.
Kryetari i jurisë së këtij festivali, Sami Piraj ka përgëzuar të gjitha ansamblet pjesëmarrëse për angazhimin në kultivimin dhe ruajtjen e traditës së veçantë të këngës qytetare, dhe jo vetëm.
Për dallim prej dy edicioneve të shkuara, festivali “Kënga qytetare na bashkon në Prizren” sivjet është mbajtur vetëm një ditë, shkaku i rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19. Pavarësisht sfidave, organizatorët kanë theksuar se nuk kanë hequr dorë nga realizimi i edicionit të tretë. Madje kryetari i ShKA “Agimi” dhe drejtues i festivalit, Festim Bytyçi, ka pohuar se prezantimi i ansambleve muzikore, sidomos në këto rrethana është i rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave.
“Rëndësia e këtij festivali është se krijuesit nga qytete të ndryshme që e kultivojnë këtë zhanër të muzikës mblidhen në Prizren, dhe vlerat e viseve të ndryshme prezantohen, si dhe shkëmbehen përvojat në mes të krijuesve dhe ansambleve”, ka thënë Bytyçi.
Hapja e edicionit të tretë të festivalit është bërë nga ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Vlora Dumoshi, e cila fillimisht ka vlerësuar 77-vjetorin e veprimtarisë së ShKA “Agimi”, që sipas saj në faza të ndryshme shoqërisë i ka dhënë jetë, zë e këngë të bukura.
“Edhe në vitet ‘90 ishte ShKA ‘Agimi’ që nuk e ndali punën asnjëherë dhe e mbajti jetën kulturore shqiptare në zë. Edhe pse në kohë pandemie, interesimi i qytetarëve ekziston, si dhe nevoja për këngën për ta na përmbushur në këtë sfidë të cilën po e përjetojmë. Ky festival me këto këngë të bukura, janë këngë bazë shqipe, të cilat e përfshijnë territorin mbarëshqiptar”, ka deklaruar Dumoshi.
Sipas saj, me aktivitete e festivale të kësaj natyre nderohen njerëzit që kanë kaluar nëpër ShKA “Agimi”, duke u bërë bazamenti i kompozitorëve të këngës shqipe serioze, popullore e qytetare. Prandaj ka kërkuar angazhim që vlerat e tilla të ruhen edhe për gjeneratat e ardhshme.
“MKRS ka marrë hapa të rëndësishëm këtë vit që ta pasurojmë trashëgiminë shpirtërore. Andaj pres prej juve që t’i bëni dosjet dhe ta fusim këtë në pjesën e trashëgimisë sonë shpirtërore, sepse është një ndër shoqëritë e para, të cilat e kanë promovuar identitetin tonë kulturor shqiptar. Kënga flet vetë për trungun tonë të gjatë, në kohë të vështira, me porositë që i ka dhënë populli ynë”, është shprehur Dumoshi.
Në anën tjetër, edhe drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prizrenit, Emilija Rexhepi, ka uruar që Prizreni të jetë mikpritës i këngëve të bukura tradicionale edhe në të ardhmen.
Folegjenda: Për dallim prej dy edicioneve të shkuara, festivali “Kënga qytetare na bashkon në Prizren” sivjet është mbajtur vetëm një ditë, shkaku i rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19. Pas prezantimit të të gjitha ansambleve, para publikut në numër të kufizuar, shkaku i pandemisë, juria e përbërë nga Sami Piraj, Xheladin Kastrati dhe Rahmi Ymeri ka vendosur që çmimi i parë t’i takojë orkestrinës popullore “Margarita Tutulani” nga Berati