Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Komuna e Prishtinës kujtohet për leje të “Ishullit...”, por ia huq adresës

“Ishulli urban Arbëri – Pallati i Rinisë”

“Ishulli urban Arbëri – Pallati i Rinisë” ka nisur të ndërtohet, por ende s’i ka letrat e kompletuara. Në ditën kur është kujtuar për leje të institucioneve të trashëgimisë kulturore, ka dalë edhe vendimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, ku shkruhet se “urdhërohet ndalimi i çdo veprimi të paautorizuar në hapësirën e aseteve kulturore nën mbrojtje ligjore, Qendra historike e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë në Prishtinë”

Fiks shtatë ditë pasi i janë ndalur punimet nëpërmjet një procesverbali nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, Komuna e Prishtinës ka nisur të respektojë Ligjin për trashëgimi kulturore. Institucioni lokal ka paketuar dosjen dhe bashkë me një kërkesë për shqyrtim i ka nisur në adresë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Por, ia ka huqur adresës. E krejt këto ngjajnë për projektin 6.5 milionë eurosh

Komuna e Prishtinës është kujtuar se duhet të pajiset me leje për të realizuar projektin “Ishulli urban Arbëri – Pallati i Rinisë”. I ka rënë ndërmend se projekti duhet të ketë miratim të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Këta hapa i ka marrë tek pasi i janë ndalur punimet. Por prapë ia ka huqur në hapa. Pasditen e së enjtes, nja gjysmë ore para se të përfundonte orari zyrtar i punës, i është drejtuar me kërkesë Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Por proceduralisht duhet që kërkesën dhe dosjen t’i dorëzojë te Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, institucion ky që bën vlerësimin administrativ të lëndës. Gjendet ngjitur me ndërtesën e Komunës. Për pasojë, Komunës tash do t’i duhet të ndërrojë adresën e kërkesës. 

Fiks shtatë ditë pasi i janë ndalur punimet nëpërmjet një procesverbali nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, Komuna ka nisur të respektojë Ligjin për trashëgimi kulturore. Institucioni lokal ka paketuar dosjen dhe bashkë me një kërkesë për shqyrtim i ka nisur në adresë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. 

“Pasdite kemi pranuar kërkesën. Por, të premten do ta njoftojmë Komunën se Komisioni i institucionit tonë bën vlerësimin, por në këtë rast kërkesa duhet drejtuar Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore pasi ajo është institucioni i parë që pranon kërkesat e tilla”, kanë bërë të ditur në IKMM të enjten në mbrëmje. 

Komuna e Prishtinës të mërkurën nëpërmjet një alamet ceremonie ka inauguruar punimet për një lloj mbikalimi nëpërmjet të cilit synohet të lidhet “Arbëria” me pjesën qendrore të qytetit, konkretisht me Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Por, mund të zhvillojë punime vetëm në “Arbëri” e jo edhe në pjesën matanë hekurudhës dhe rrugës automobilistike, ku edhe nis parcela e asaj që tash është parking prapa Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Synimet ishin të tjera, por institucionet e trashëgimisë kulturore kanë vepruar. 

Tabelat informuese për projektin Komuna i kishte vendosur matanë hekurudhës e rrugës automobilistike. Aty qenë pozicionuar edhe mjetet e rënda për të inauguruar punimet. Por hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Pallati i Rinisë dhe Sportit po ashtu është monument. Inspektorati i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në ditën e fundit të muajit të kaluar kishte dalë në terren. E në ditën e parë të këtij muaji kishte ndalur punimet që me vënien e tabelave. 

Edhe “Ishulli...” shkel Qendrën Historike, Komuna e Prishtinës luan me tabela Kulturë “Ishulli...” shkel Qendrën Historike, Komuna e Prishtinës luan me tabela

Të enjten Inspektorati ka lëshuar edhe vendim. 

“Urdhërohet ndalimi i çdo veprimi të paautorizuar në hapësirën e aseteve kulturore nën mbrojtje ligjore, Qendra historike e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë në Prishtinë”, shkruhet në pikën e parë të vendimit. 

“Obligohet Drejtoria për Investime Kapitale, Komuna e Prishtinës, që para secilës ndërhyrje në hapësirën e aseteve, si në pikën I të këtij dispozitivi, të sigurojë aprovimin nga ana e institucioneve të trashëgimisë kulturore, përkatësisht përmes Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit. 

Ligji për trashëgiminë kulturore, i miratuar që nga viti 2006, përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore duhet të kërkohet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent. Në këtë rast institucion kompetent është Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. 

“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga Institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.

“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një leje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9. 

Edhe Fushata rikthen në lojë “Ishullin urban” të nisur pa leje Kulturë Fushata rikthen në lojë “Ishullin urban” të nisur pa leje

Në inaugurimin e punimeve nuk është treguar se s’mund të vazhdohet tutje në drejtim të Pallatit të Rinisë. 

“Sot inauguruam fillimin e punës në një ndër projektet më të mëdha të Prishtinës, ishullin urban Arbëri - Pallati i Rinisë. Bashkë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe drejtorin për Investime Kapitale, Krenar Xhaferi, përuruam punimet e njërit prej projekteve më të mëdha transformuese të kryeqytetit”, kishte njoftuar kryetari Rama. 

Ka treguar se bëhet fjalë për projekt me kosto 6.5 milionë euro. 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës tërthorazi, në ceremoninë e edhe në njoftimin që ka lëshuar më pas, e kishte përmendur ndërprerjen e punimeve në anën tjetër të rrugës. Por, ka dhënë deklaratë politike. 

“Projekti, zotim i Përparimit dhe i yni elektoral, është ideuar, projektuar e financuar tërësisht nga Komuna e Prishtinës; dhe pavarësisht pengesave të pakuptueshme të qeverisjes qendrore, ai po merr jetë. U zotova, që nga 9 shkurti, nën qeverisjen time, të gjitha pengesat e nivelit qendror mbi kryeqytet do të marrin fund”, kishte njoftuar Abdixhiku. 

Edhe Rama: Qeveria po bllokon ndërtimin e “Ishullit Urban”, ndërsa po i jepet leje biznesit privat Arbëri Rama: Qeveria po bllokon ndërtimin e “Ishullit Urban”, ndërsa po i jepet leje biznesit privat

KOHA prej të mërkurës mbrëma ka tentuar të vërë kontakt me drejtorin e Drejtorisë së Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, por ai nuk është përgjigjur se përse ky projekt ka nisur pa kërkuar pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

LEXO EDHE: