Bukuritë natyrore e monumentet e trashëgimisë kulturore nuk janë krejt çfarë mund të gjejë një turist në listën e destinacioneve për t’u vizituar në Kosovë. Menjëherë pas luftës, më 1999, qoftë edhe në mënyrën më modeste, u përjetësuan emrat, portretet e veprat e të rënëve për liri. Sot historia, faktet e kujtimet janë përmbledhur në disa vende në formë kompleksesh memorialë, ani pse gjithherë ka pasur jo pak vërejtje se trashëgimia e luftës nuk ka zënë vendin e merituar. Disa projekte për muze lufte kanë mbetur vetëm premtime, e përditë e më shumë po zhduken objekte që janë dëshmi autentike e asaj se çfarë ka ngjarë në këto anë.
Si shembull se si mund të synohet depërtimi i historisë së vendit jashtë kufijve, të premten në një hotel në Prishtinë, janë publikuar videoincizimet dhe fletëpalosjet e prezantimit të komplekseve memorialë në Reçak të Shtimes dhe Gradishë të Rahovecit. Këto prezantime, organizata joqeveritare “Instituti TJP” i ka promovuar në kuadër të projektit “Promovimi i trashëgimisë historike dhe kulturore të fundshekullit XX – Komplekset Memorialë”, listës të së cilës pritet t’i shtohen edhe të tjera projekte të tilla. Materialet e prezantuara sjellin pamje që japin ndjesinë sikur vizitori ecën nëpër rrugicat e komplekseve edhe pse kryesisht janë të realizuara nga lartësia me dron, për pamje më të qartë se si janë pozicionuar varrezat e objektet.
Menaxheri i kësaj organizate, Blerim Morina, ka thënë se videot janë publikuar në rrjetin YouTube dhe Facebook.
“Qëllimi fisnik i ekipit të TJP-së është i fokusuar në informim rreth komplekseve memorialë që gjenden në Republikën e Kosovës, të nxisë institucionet përkatëse në mirëmbajtjen e tyre në mënyrë që ato të jenë të vizituara gjatë gjithë vitit dhe të ketë informata të bollshme të tyre”, ka thënë ai.
Pamjet shpërfaqin në mënyrë të përgjithshme memorialët, të cilëve për vendin përkatës u janë ndarë sekuenca të shkurtra nga lufta. Për Reçakun ato të pamjeve të masakrës dhe deklarata e njohur e ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Po aty shihet edhe shtatorja e tij e përuruar më 2017. Ndërsa nga memoriali në Gradishë vijnë pamjet nga varrezat e dëshmorëve, amfiteatri, shtëpia-muze dhe obelisku që mban logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fletëpalosje përfshihen historiku i ngjarjes, datat, përshkrimi i objekteve brenda memorialëve e nuk mungon as drejtimi që çon deri në vendndodhjen e memorialëve.
Edhe
Koleksionuesi Esat Shala nis i vetëm muzeun e mijëra dokumentimeve të luftës
Projekti, realizimi i të cilit ka zgjatur për katër muaj, nga janari në prill, synon nxitjen e vizitorëve vendorë e të huaj, njohjen e brezave të rinj me atë çfarë kaluan të parët e tyre dhe avokimin e promovimin e trashëgimisë historike e kulturore.
“Kemi ndikuar të bëhet më i vizituar, fillimisht kemi filluar me këto dy fletëpalosje për secilin kompleks veç e veç dhe videot e shkurtra që njerëzve veçse u krijohet një vizion se si duket. Kjo do të shërbejë të jenë më atraktivë për të tërhequr vizitorë dhe t’ia vlejë që nëse shkojnë të jenë të informuar se çfarë do të shohin. Këto komplekse kanë ekzistuar, ne thjesht jemi fokusuar t’u japim dritë. Gjeneratat më të reja nuk e dinë se kush i ka ndërtuar dhe pse i ka ndërtuar dhe nuk u duket atraktive. Ata duhet ta dinë se ky shtet që ekziston, nuk ekziston rastësisht, por dikush ka kontribuar për të”, ka thënë Morina, i cili gjithashtu ka zbuluar pak nga puna që pritet të jetë vazhdimësi në promovim të trashëgimisë historike. Bëhet fjalë për përmbledhjen e të gjitha komplekseve memorialë, në librin i cili do të shoqërohet me përshkrime dhe informacione të tjera.
Ky projekt i ishte paraqitur Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport për memorialët e të gjitha komunave në Kosovë, mirëpo nga një numër i konsiderueshëm, Ministria kishte zgjedhur vetëm dy, Memorialin e Reçakut dhe atë të Gradishës.
Arbër Bardhi, xhirues i videove, ka thënë se “ideja e realizimit të këtyre videove është shfaqja e tyre në rrjete sociale, në media, të shihet kompleksi si duket, ku gjendet, që të tërheqë njerëz nga vende të ndryshme, të dinë pse është ndërtuar e çfarë ka ndodhur”.
Në konferencën e së premtes, nga organizata njoftuan se për të arritur te produkti final së pari janë identifikuar dy komplekset memorialë, si dhe janë zhvilluar takime me kryetarët e dy komunave, Smajl Latifin e Rahovecit e Qemajl Aliun e Shtimes, si dhe drejtorin e Agjencisë për Menaxhim të Komplekseve Memorialë, Bislim Zogaj. Në konferencë, Zogaj ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me “Institutin për të Vërtetën, Drejtësinë dhe Paqen”.
“Ne kemi pasur disa takime, ju jeni munduar të bëni më të mirën të mundshme, por me mundësitë buxhetore që i kemi dhe me numrin e punëtorëve në staf, prandaj mendojmë që ne si agjenci kemi shumë nevojë të bashkëpunojmë me ju, por edhe me të tjerët që shprehin gatishmërinë dhe kanë vizion se çfarë do të bëjnë”, ka thënë Zogaj.
Lufta e fundshekullit të kaluar në Kosovë ishte shkak i rënies së shumë dëshmorëve, të masakruar, dhunuar e zhdukur. Për kontributdhënësit e kësaj kohe ngjarjet e tilla që kthejnë në përkujtim këtë sakrificë janë të mirëseardhura.
Edhe
Kosova – destinacion për turistë të huaj si vend i dalë nga lufta
“Kam marrë pjesë të shoh se çfarë kanë punuar, më pëlqeu si punë, thjesht duhet të vazhdoj prapë, mirë është, por duhet të vazhdojë. Ndoshta nuk mjafton vetëm kjo, në Rahovec ka shumë të vrarë, do të ishte mirë të ketë më shumë memorialë, më shumë fakte të luftës që të informohen njerëzit, sidomos gjeneratat e reja, sepse nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, e ajo mund të përsëritet”, ka thënë përfaqësuesi i shoqatës “Operacioni Shigjeta”, Selajdin Gashi.
Ngjarja u zhvillua nën sloganin “Ne nuk kemi nevojë të krijojmë një të vërtetë, por vetëm ta nxjerrim atë në dritë. Organizata joqeveritare “Instituti për të Vërtetën, Drejtësinë dhe Paqen” ka filluar me projektet e saj vitin e kaluar, ndërsa ishte regjistruar si e tillë në vitin 2020.