Pas "Sugar Rush", skenën "C4" e ka rrëmbyer DJ dhe producenti brazilian Mochakk. Me ritme house dhe techno, ai e ka mbajtur gjallë publikun që ende është nën emocionet e performancës së artistit Shawn Mendes.

Mochakk, emri i vërtetë i të cilit është Pedro Luis Nunes Maia, është rritur në një rreth ku është dashur gjithmonë muzika. Është bërë viral në TikTok më 2022 dhe prej aty ka marrë vëmendje ndërkombëtare duke performuar rregullisht në qytete të ndryshme si Sao Paulo, Miami, Lisbonë e New York.

Natën e dytë të festivalit e mbyll ky DJ dhe për natën e tretë priten edhe emra të tjerë të njohur. Mes tyre, Anyma, Tommy Gold, Adrian Berisha e Peggy Gou.
 

Mbyllet me atmosferë festive performanca e artistit Shawn Mendes

1 muaj më parë / 3 gus 2025 00:09 Nga: Sinan Berisha
Shawn Mendes

Ka mbaruar performanca e artistit kanadez Shawn Mendes. Me fishekzjarre është përcjellë kënga e fundit që e ka kënduar dhe bashkë me to edhe brohoritjet e audiencës nuk kanë pasur të ndalur.

"Shihemi herave të tjera, natën e mirë!", ka qenë fjalia përmbyllëse e artistit.

Pas tij, në skenën "C4" do të vazhdojë festa me DJ. Producenti dhe DJ brazilian Mochakk pritet të sjellë ritmet e tij techno dhe house rreth orës 01:00.


 

"Señorita" e "Stitches" ngrenë publikun në "Sunny Hill" në këndim njëzëri

1 muaj më parë / 2 gus 2025 23:42 Nga: Sinan Berisha
Shawn Mendes

Performanca e Shawn Mendes po vazhdon, derisa e tërë turma ka qenë në pritje të kësaj performance për natën e dytë të "Sunny Hillit". Publiku duket ta shijojë në maksimum, duke qenë se vazhdimisht po këndon bashkë me të.

Mes këngësh, ai ka treguar motivin e veçantë të njërës prej këngëve të tij.

"Këtë këngë e kam shkruar kur shoku im i fëmijërisë ka vdekur, kështu që nëse keni dikë që doni ta kujtoni me këtë këngë, bashkohuni ta këndojmë së bashku", ka thënë ai para se të nisë ta këndojë këngën "Heart of Gold".

Pastaj e ka kënduar këngën e njohur, "Señorita", me të cilën publiku ka treguar maksimumin e energjisë. Me brohoritje të pafundme është përcjellë kënga dhe brohoritjet kanë vazhduar edhe pas përfundimit të saj.

Edhe me "Stitches" ka vazhduar i njëjti avaz i ngazëllimit të publikut. Teksti i këngës duket të jetë mjaft i njohur për audiencën e "Sunny Hillit", ngase bashkë me të kanë kënduar të gjithë njëzëri.

Mendes është artisti i fundit në skenën kryesore të festivalit, ndërkaq festa do të vazhdojë në skenën "C4" deri në orët e mëngjesit. Mochakk është emri kryesor në atë skenë.


Nis me fishekzjarrë performanca e yllit Shawn Mendes

Kryefjala e natës së dytë, Shawn Mendes, e ka nisur fuqishëm performancën e tij, teksa publiku është rrëmbyer bashkë me të.

Me fishekzjarre ka nisur interpretimi i tij, teksa në një ekran të madh vertikal sipër skenës kryesore është shfaqur për së afërmi performanca e tij.

Këngëtari kanadez Shawn Mendes, i njohur për hitet  "Stitches", "Treat You Better" dhe "Senorita", më 2013 kishte filluar të postojë në rrjete sociale versionet e tij të këngëve të njohura të asaj kohe. Prej atëherë deri tani, ai i ka publikuar pesë albume këngësh dhe është njëri prej emrave më të njohur të industrisë së muzikës pop.

Albumet dhe këngët e tij janë ranguar në top listat e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe dhjetëra shteteve të tjera. Më 2018, revista "Time" e kishte përfshirë në listën e saj me 100 personat më me ndikim në botë.

Me ta performuar këngën "Treat You Better", e gjithë audienca ka kënduar me ngazëllim.

"Faleminderit që na keni ftuar. Është shumë bukur të jemi këtu për herë të parë", ka thënë ai dhe publiku ka shpërthyer në duartrokitje e brohoritje.

"Si po ndiheni ju? Është hera ime e parë këtu, dhe sapo kam ardhur e kam parë nivelin e mirësisë dhe zemërgjerësisë këtu. Dua, faleminderit për gjithçka, faleminderit që na ke sjellë këtu", ka thënë ai në periodën mes këngësh, për ta nisur këngën thotë se e ka të preferuar: "It'll be okay".

Në Prishtinë ai ndodhet për herë të parë si pjesë e festivalit "Sunny Hill".
 

Headie One pushton skenën e "Sunny Hill" me ritme drill dhe afro-beat

1 muaj më parë / 2 gus 2025 21:54 Nga: Sinan Berisha
Headie One

Me radhë pas Ledrit, skenën e ka pushtuar këngëtari dhe reperi britanik "Headie One", emri i vërtetë i të cilit është Irving Ampofo Adjei. Ai njihet për këngët "18hunna" me reperin Dave, "Only Yoi Freestyle" me reperin Drake, si dhe me këngën "Ain't It Different", me reperët AJ Tracey dhe Stormzy.

Ky i fundit kishte qenë në "Sunny Hill" në edicionin e kaluar kur u mbajt për herë të parë në Bërnicë të Poshtme.

"Është kënaqësi ta kaloj këtë fundjavë në Prishtinë. Bëni shumë zhurmë!!", i ka bërë thirrje publikut ai.

Ledri me freestyle rrëmben turmën në kërcim pa ndalur

1 muaj më parë / 2 gus 2025 21:09 Nga: Sinan Berisha
Ledri Vula

Me "Mirëmbrama, Sunny Hill!" e ka nisur pjesën që i takon atij në skenën e madhe. Këngëtari i mirënjohur i hip-hopit shqiptar, Ledri Vula, e ka filluar me këngën "Krejt shokët e mi".

Tashmë në natën e dytë, skena e madhe ka ndërruar pamje, e artistët do ta kenë në dispozicion gjithë pistën, jo vetëm pjesën e poshtme sikurse në natën e parë.

Ledri Vula ka bërë freestyle në skenë, e jehonat e zërit të tij kanë mbërritur deri në fund të turmës, e cila qysh prej artistëve të grupit "Pint", nuk kanë lëvizur prej aty.

"Jam shumë i lumtur që jam sonte me ju!" i ka thënë ai publikut, i cili ia di çdo këngë dhe në sinkron me të këndojnë të gjithë.

"A keni hala energji a jo, a më doket jua ka marrë Dua krejt energjinë?!", i është drejtuar ai audiencës që sikurse në natën e parë, numëron rreth 30.000 veta, teksa me humor Duas ia ka uruar pasaportën e Kosovës.
 

Mc Kresha dhe Lyrical Son e nisin performancën në "Sunny Hill" me energji të jashtëzakonshme

1 muaj më parë / 2 gus 2025 20:25 Nga: Sinan Berisha
Mc Kresha

Mc Kresha dhe Lyrical Son e kanë nisur performancën e tyre me shumë energji të mirë.

Artistët kanë dalë në skenë duke bërtitur, në thirrje për t'u afruar pranë skenës, e nuk janë dashur më shumë se 2-3 minuta dhe hapësira para skenës kryesore të "Sunny Hillit" është mbushur plot.

Këngë si "Thirri krejt shoqet" e "Meine süße" e kanë dridhur skenën dhe publikun. E ky i fundit nuk ka reshtur së kënduari bashkë me ta.

Reperi Sainté i mban të gjithë me duart lart

1 muaj më parë / 2 gus 2025 19:54 Nga: Sinan Berisha
Sainte ne skenen e Sunny Hill

I radhës në skenë është ngjitur reperi anglez Sainté, i cili i ka tubuar të pranishmit shumë afër skenës.

Të gjithë i kanë mbajtur duart lart, duke vallëzuar nën ritmet e tij.

"S'dua të iki në shtëpi, dua të rri këtu", ka thënë ai gjatë njërës prej performancave.

Ai është reper anglez nga Leicester. Njihet për tingujt e veçantë prej kombinimit të repit anglez me ndikime nga artistë si Freddie Gibbs, Larry June, dhe Curren$y. E ka nisur fuqishëm karrierën kur kënga e tij debutuese "Envy Me" në 2019 ishte bërë hit menjëherë.

Pas tij do ta ngjitin skenën e madhe grupi "Pint" me Mc Kreshën dhe Lyrical Son.


KOHA live në natën e dytë të “Sunny Hill Festival”. Era Istrefi në skenë

Në natën e parë të festivalit “Sunny Hill”, këngëtarja Dua Lipa e ka kaluar çdo kufi ku para rreth 30 mijë vetash ka performuar për afro dy orë.

Nata e dytë tashmë ka nisur. Pas këngëtares Yanina dhe reperit Lluni, këngëtarja e famshme shqiptare, Era Istrefi, e ka elektrizuar skenën mes tjerash me këngën "BonBon", e cila mbetet një hit ndërkombëtar.

“I got lost for a minute! Sunny Hill, qysh jeni duke u ndi?", ka thënë ajo para se t'ia nisë kësaj kënge.
Pas saj do të performojë reperi anglez Sainté, derisa emri kryesor i kësaj nate të dytë do të jetë artisti Shawn Mendes.

Era Istrefi duke performuar në Sunny Hill


 

@koha.official

KOHA live në natën e dytë të “Sunny Hill Festival”. Era Istrefi në skenë

♬ original sound - koha.official - koha.official