Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka cilësuar krenari përfaqësimin e kineastëve të Kosovës në Festivalin e Filmit në Venecie. Një ditë pas premierës botërore të filmit “Bota jonë” të Luana Bajramit, ministri Çeku ka uruar artistët. Në edicionin e 80-të të më të vjetrit festival të filmit në botë, Kosova ka përfaqësim të trefishtë.
“Kineastët tanë po shfaqin talentin dhe kreativitetin e tyre në mesin e krijuesve të shquar nga e gjitha bota, në ngjarjet më të mëdha të filmit e artit në botë. Premiera e filmit ‘Bota jonë’ nga regjisorja Luana Bajrami u dha mbrëmë në Festivalin e Filmit në Venedik. Gjithashtu u shfaqën ‘House keeping for beginners’, me aktore Ilire Vinca dhe Rozafa Çelaj, si dhe “A Short Trip” i Erenik Beqirit. Gjithmonë krenarë me përkushtimin dhe angazhimin e tyre. Suksese në garë!”, ka shkruar ministri Çeku.
E mërkura dhe e enjtja kanë qenë ditët e Kosovës në ngjarjen madhore. Në premierën e “Bota jonë”, që garon në kategorinë “Orizzonti Extra”, ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Praninë e tij e ka theksuar edhe Ministria e Kulturës nëpërmjet një komunikate.
“Filmin e ndoqën kryeministri Kurti bashkë me regjisoren Bajrami, producentët Valbone Rahmani dhe Eric Toledano, aktorët e roleve kryesore, Elsa Mala, Albina Krasniqi, Don Shala, Aurora Ferati, Gani Rrahmani, Uratë Shabani dhe Tristan Halilaj, ambasadoren Lendita Haxhitasim, Blerta Zeqirin, drejtoren e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Rozafa Imamin, këshilltare politike në MKRS”, shkruhet në njoftim. Po aty shkruhet se i gjithë ekipi u përshëndet dhe u përgëzua nga Roberto Ciccutto, presidenti i Bienales së Venecias gjatë koktejit të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Itali.
“Bota jonë” është produksioni i parë që përfiton nga marrëveshja e bashkëprodhimit kinematografik që Franca dhe Kosova nënshkruan vitin e kaluar në Festivalin e Filmit në Cannes. Të mërkurën në Venecie janë shfaqur “House keeping for beginners”, me aktore Rozafa Çelaj e Ilire Vinca, për të vazhduar me “A Short Trip” të Erenik Beqirit nga Shqipëria, ku luajnë edhe Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj.
Kosova i kthehet Festivalit të Venecias pas dy vjetësh. Më 2021 ishte e pranishme me historinë e jashtëzakonshme të një gruaje 64-vjeçare që interpreton gjuhën e shenjave në filmin “Vera andrron detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit e me skenar të Doruntina Bashës. Ishte po në kategorinë “Orizzonti”. Kishte marrë dy çmime nga platforma që bashkëpunojnë me Festivalin. Është ajo që njihet si kinema e zgjatur “Venezia a Napoli. il Cinema Esteso”, që ia kishte ndarë Çmimin e regjisë më të mirë për autorët nën moshën 40-vjeçare, Kaltrina Krasniqi. Po ky film kishte marrë edhe “Prize for the inclusion Edipo Re” (Çmimi i gjithëpërfshirjes, Edipo Re) që u jepet figurave globale të filmit që kanë dalluar veten për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj krijimit të filmit. Festivali i Venecias përfundon sonte (e shtunë) me ndarjen e çmimeve.
-
Aktorë e bashkëprodhime nga Kosova lënë shenjë në Venecia
-
Kosova me përfaqësim të trefishtë në Festivalin e Filmit në Venecie
-
Luana Bajrami: Në film eksploroj njeriun, Kosova është inspirim
-
Kapitulli në Venecia mban ritmin e vëmendjes te filmi i Kosovës
-
Kosova merr Mirënjohje të Veçantë në Bienalen e Venecias