Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Katarsa e mbretëreshës

Pak para se Billie Eilish të fitonte çmimin për albumin më të mirë të vitit në “Grammys”, u kap nga kamera teksa po thoshte: “O mos qofsha unë”. Dukej sikur ajo i frikësohej suksesit të vet. Dhe ishte një natë e jashtëzakonshme.

Inovatorja tetëmbëdhjetëvjeçare e popit ia doli të rrokte vëmendjen e madhe në “katër kategoritë e mëdha” – albumi i vitit, incizimi më i mirë i vitit, kënga më e mirë dhe artistja më e mirë e re – me albumin e saj “When We All Fall Asleep, Where Do We Go?”.

Ajo u bë vetëm personi i dytë në histori që shënon këtë sukses madhor – dhe femra e parë dhe personi më i ri (personi i parë që fitoi krejt çmimet e këtyre katër kategorive ishte Christopher Cross më 1981). Ajo theu rekordin që më parë mbahej prej Taylor Swiftit, transmeton Koha Ditore. 

Një dekadë më parë, Swifti u bë personi i parë më i ri që do të fitonte çmimin e albumit të vitit në moshën njëzetvjeçare. Eilish ia mori vendin me një produkt që asnjëherë nuk ishte menduar se kishte gjasë të rrokte vëmendjen e “mainstreamit”.

Dhe ja se si do ta shpjegonte vëllai dhe bashkëpunëtori i saj, Finneas, në fjalimin e pranimit të çmimit: “Ne shkruam tekstet e një albumi për depresionin dhe mendimet për vetëvrasje dhe ndryshimin klimatik. Dhe ja ku jemi këtu, të hutuar dhe mirënjohës”.

Kur Swifti ishte njeriu që rrokte vëmendjen në ceremoni shpërblimesh me këngët e saj të dashurisë me elemente country, askush nuk do të parashikonte se si do të dukej pasuesja e saj dhe se si do të tingëllonte ajo: Eillish, pop këngëtarja që do të përshkruhej prej reperit Tyler, the Creator, si “shtatëmbëdhjetëvjeçare që vishet si para një çerekshekulli”. Por kushdo që i kishte kushtuar vëmendjen, dominimi i Elishit në “Grammy” nuk duhet të jetë kurrfarë befasie. Në thelb ajo përfaqëson yllin e muzikës pop të Gjeneratës Z (dhe ylli i parë i vërtetë global i popit lindur në këtë mijëvjeçar), me bazë fansash tinejxherësh përreth vetes, bash sikurse Swifti një dekadë më parë.

Edhe Të gjithë fituesit e “Grammy Awards 2026“ Showbiz 5 muaj më parë Të gjithë fituesit e “Grammy Awards 2026“

Këngëtarja ka qenë pjesë e muzikës prej moshës trembëdhjetëvjeçare, kur ajo dhe Finneas (atëherë shtatëmbëdhjetë vjeçe) krijuan “Ocean Eyes”, një këngë e lehtë elektronike e popit, në dhomën e tij të gjumit. Ata do ta ngarkonin në “SoundCloud” dhe kënga do të merrte hov falë vokalit të ngjirur falceto dhe talentit të dyshes me stil unik. Dhe derisa po vazhdonin të shkruanin bashkë – ndihmuar atëherë prej prindërve – njëri aktor e tjetri artist, të cilët do t’u mbanin fëmijëve në shtëpi leksione për teorinë e muzikës dhe flinin në dhomën e gjumit në shtëpinë e tyre në Los Angeles për t’u krijuar atyre hapësirën e nevojshme – ana artistike e Eilishit do të fuqizohej edhe më shumë.

Duke integruar incizime të ndryshme nga terreni, përfshirë edhe ushtimën e pajisjeve dentare, dhe mostra të versionit amerikan të “The Office”, dyshja do të krijonte njëfarë soji të muzikës eksperimentale e të çuditshme popi që huazon prej videove të ASMR-së në YouTube.....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)