Emri i Musa Piperkut është dëgjuar shumë në dekadën e shtatë dhe të tetë të shekullit të kaluar. Është dëgjuar për mësimdhënie, për pjesëmarrje në “Akordet e Kosovës” e për “Okarinat e arta”. Këngët e shkruara prej tij kanë marrë jehonë gjithandej ku ka shqiptarë. Por kur këngët kanë nam të madh, autorësia sikur s‘figuron shumë, sidomos te dëgjuesit. E “Kanga jonë”, të martën mbrëma në sheshin qendror të kryeqytetit, ka kthyer e vlerësuar një prej emrave që vulosi vitet e arta të muzikës shqipe në Kosovë. E ka bërë këtë me emra të shquar të muzikës, prej Inva Mulës, Armend Rexhepagiqit, Genc Salihut, Eneda Tarifës, Vlashent Satës e të tjerë, që kanë rikthyer këngën e Piperkut si një thirrje për rikthim te vlerat
Është rikthyer në Prishtinë për të qenë në skenë. Jo aty ku ia thotë më së miri, por për diçka që e bën të ndihet mirë dhe i plotësuar. “Kur i dëgjon ato melodi e atë ritëm e sheh se diçka është e zbrazët në atë që po prodhohet sot”, ka thënë aktori i përmasave ndërkombëtare, Alban Ukaj, pasi bashkëmoderoi koncertin që iu dedikua krijimtarisë së kompozitorit Musa Piperku. Ndjesinë e tij duhet ta ketë pasur secili prej rreth dy mijë vetave në publik. Me një gjurmim në vitet ’70 dhe ’80, organizatorët e koncertit “Kanga jonë” s’janë kthyer thjesht katër e pesë dekada prapa, por kanë hequr pluhurin e partiturave, ku përmbajtja ishte në rend të parë. Asaj muzike që komercialiteti s’kishte të bënte me të, krijimtarisë që konceptohej te vlerat e njëmendta. Dhe në një rast të tillë, koncerti del të jetë i njëmendtë.
Muzika që s’njeh kohë
Emri i Musa Piperkut është dëgjuar shumë në dekadën e shtatë dhe të tetë të shekullit të kaluar. Është dëgjuar për mësimdhënie, për pjesëmarrje në “Akordet e Kosovës” e për “Okarinat e arta”. Këngët e shkruara prej tij kanë marrë jehonë gjithandej ku ka shqiptarë. Por kur këngët kanë nam të madh, autorësia sikur s‘figuron shumë, sidomos te dëgjuesit. E “Kanga jonë”, të martën mbrëma në sheshin qendror të kryeqytetit, ka kthyer e vlerësuar një prej emrave që vulosi vitet e arta të muzikës shqipe në Kosovë.

Para të pranishmëve që midis nostalgjisë e konsideratës së madhe për Piperkun – i cili vdiq në qershorin e vitit 2005 – prisnin të niste koncerti, gjithçka ka nisur me “Kaltrina” e “Të fala nga Prishtina” nën interpretimin e Genc Salihut. Ai është mjeshtër i krijimit dhe interpretimit. Performanca e tij qe intro e mbrëmjes së mbajtur në 26-vjetorin e çlirimit të Prishtinës dhe të Kosovës. Në skenën goxha glamuroze në ambient të hapur, moderuar nga Dojna Mema e Alban Ukaj, mbrëmja ka vazhduar me ”Malli për ty lotin ndjelli” dhe “Kosovarja e bukur” nën interpretim të Eneda Tarifës. “Malli për ty lotin ndjelli” daton prej vitit 1975 me tekst të Eqrem Bashës dhe kënduar nga Sabri Fejzullahu. Tarifa ka kthyer ngjyrat e dikurshme të muzikës. Në skenë ka ngjallur nostalgjinë për Bilbilin e Kosovës, Nexhmije Pagarusha, e cila qe e para që interpretoi këngën “Kosovarja e bukur”. Bash në pranverë, “Pranvera në vendin tim” është interpretuar nga Shpat Deda. Është vepër me tekst të Enver Gjergjekut dhe interpretuar fillimisht nga Ismet Koshutova. Deda ua ka anën këtyre këngëve që kanë një dramaticitet të qetë. I tillë përshkruhet edhe vetë kompozitori Piperku, që u lind më 1945 në Dibër, të asaj që tash është Maqedonia e Veriut. Pas Shkollës së Muzikës në Prizren do të studionte në Akademinë e Muzikës në Beograd, në drejtimin teorik-pedagogjik. U kthye në vendlindje si mësimdhënës muzike, ku formoi një orkestër mandolinash dhe korin e shkollës. Drejtoi shoqërinë kulturore e artistike “Liman Kaba” dhe vazhdimisht kompozoi këngë. Më pas u zhvendos në Shkup në radio e po ashtu si mësimdhënës. E prej vitit 1973 kaloi në redaksinë e muzikës së lehtë të Radio Prishtinës, ku punoi deri në dëbimin nga puna nga pushteti serb më 1990. Këngët e tij u kënduan nga këngëtarët më me nam të kohës dhe nëpërmjet tyre mori shtatë “Okarina të Arta”. Me muzikë, por jo në kompozim, merret vazhdimisht e bija e Piperkut, Albana Piperku. Është pjesë e Korit të Filharmonisë së Kosovës e po ashtu e ansamblit “Zanat”. Në kuadër të Ansamblit në mbrëmjen kushtuar të atit të saj interpretoi këngët “Kënga shpirtin ma rrëmben” dhe “Lidhja e Prizrenit”.
Por lidhja me muzikën e Piperkut ka kohë që ka kaluar kufijtë e Kosovës.

Një shembull për kulturën mbarëshqiptare
Vlashent Sata është kantautor i njohur me karrierë midis Parisit dhe Tiranës. “Buzëqesh prapë o Suzi”, është këngë që e interpreton për pikë të qejfit. Dhe atë shpesh. Te “Kanga jonë” erdhi po me këtë krijim të Piperkut. I pëlqen pak të jetë “One man show”. Edhe i ka hije. Interpretoi i vetëm në piano – pa orkestër – dhe Suzit i këndoi e i recitoi. E zgjoi shumë kureshtjen e publikut dhe e imponoi atë qetësinë e mirëfilltë prej krijuesi e interpretuesi.
“Gjëja më e bukur ishte të këndojmë në shqip. Të këndojmë në shqip edhe në formën e muzikës. Me thënë të drejtën Musa Piperkun nuk e njihja si emër, por si muzikë. Është shumë e rëndësishme për mua të jem pjesë e këtij koncerti dhe ishte privilegj. Është gjë shumë me vlerë që vlerësohet një artist që ka lënë gjëra shumë me vlerë dhe që i ka dhënë shumë popullit dhe është i pavdekshëm në punën që ka lënë prapa”, ka thënë ai. Sipas tij, është vlerë e madhe të vlerësohet dikush dhe t’i jepet vendi që meriton.
“Ngjarja është një gjë me shumë vlerë në kohën kur vlera ka humbur kuptimin e vet. E bukura është të kuptojmë se shqiptarët kanë ditur të jetojnë, të krijojnë, t’i gëzohen jetës e të mbijetojnë edhe në kushte shumë të vështira. Kjo tregon se kanë qenë brenda jetës plot me muzikë e art, ashtu si kanë dashur të jetë jeta e tyre. Nga kjo mbrëmje duhet të marrë shembull e gjithë kultura jonë. Jo vetëm shqiptarët e veriut, edhe ata që janë në kufijtë natyralë të kombit tonë dhe jashtë këtyre kufijve”, ka thënë ai.

Vlerat kanë vazhduar në koncertin e kuruar nga bashkëproducentët Dardan Selimaj e Jehona Sopi. Këngëtarja Sopi ka interpretuar “Ku mbet hareja” me tekst të Eqrem Bashës dhe kënduar dikur nga Sabri Fejzullahu. Kjo performancë i ka hapur rrugë interpretimit të radhës.
“Kënga e rinisë” nga Akordet e Kosovës të vitit 1974 ka marrë Shpërblimin e Dytë të jurisë dhe është nderuar me “Okarinën e Artë” dhe “Plaketën e artë” me tekst të Migjenit, e interpretuar nga Fillorreta Raçi – Fifi, e cila ka kthyer kohën prapa. E Fifi për këngë të dytë ka pasur “O bilbil” me tekst të Gani Misinit. Këngëtarja që ka bërë emër në muzikën pop ka potencial e zotësi për të interpretuar muzikë të lehtë. E sjell dramacitetin e këngëve dhe ka afinitet për atë që interpreton. Shumë prej të pranishmëve kanë qenë fëmijë në kohën kur Piperku ka realizuar këngët. Por kompozitori ishte edhe mjeshtër i këngëve për fëmijë.

Një thesar të paçmuar për artin shqiptar
Kori “Okarina” nën dirigjimin e Elikona Hysajt ktheu në skenë “Fidanin”. Orkestra “Libertas” nën dirigjimin e Edon Ramadanit ka pushuar për pak, derisa presidentja Vjosa Osmani ia ka dorëzuar familjes “Medaljen Presidenciale të Meritave – Post Mortem” për të nderuar veprën e Musa Piperkut. Kompozitori është meritor për shumë këngë të pavdekshme e edhe aso që konsiderohen si bazë e fortë e muzikës shqipe.
“Pranvera në Prishtinë” me tekst të Milaim Berishës ka bërë që në skenë të ngjitet sopranoja e operave botërore, Inva Mula. Ka ardhur me ngjyra të veçanta muzikore. Përtej interpretimit me delikatesë, mjeshtëria e saj në skenë ka edhe mesazh. Atë që me fjalë e ka thënë pas koncertit.
“Ato janë këngë të mrekullueshme. Duke i dëgjuar gjatë provave, nuk e dija që të gjitha këto këngë kanë qenë të Musa Piperkut. Nganjëherë kur këngët bëhen kaq popullore sikur bëhen edhe anonime. Ky rikthim me gjithë krijimtarinë e kompozitorit na kthen te shumë vlera, pasi na kthen në identitetin e një njeriu që ka lënë një thesar të paçmuar për artin shqiptar”, ka thënë ajo. Sipas Mulës, këngët e Piperkut janë frymëzim dhe ADN-ja e muzikës shqiptare.

“Prandaj ka shumë rëndësi që t’i rikthehemi kësaj krijimtarie. Ka kompozitorë të rinj që shkruajnë me ritmin e kohës. Por kur shikojmë edhe traditën e kompozitorëve të vendeve të tjera, e shohim se të gjithë kanë një rikthim, sepse rikthimi krijon të renë mbi baza të mrekullueshme”, ka thënë sopranoja.
I frymëzuar nga krijimtaria e Piperkut, në fund të viteve ’90, kantautori Armend Rexhepagiqi do të krijonte këngën “Dashurinë ku e kam”. Interpretimi i tij në Prishtinë, siç ngjan zakonisht, ka sjellë alamet entuziazmi. Por më e veçanta qe dyshja Mula dhe Rexhepagiqi me “Këngë moj”. Siç thuhet në kohët tona, kanë elektrizuar publikun. Dhe atë me muzikë të mirëfilltë. Me një prej këngëve që sa më shumë kohë kalon, aq më shumë i shtohet vlera.
Për aktorin Alban Ukaj, i cili jeton në Sarajevë, mbrëmjet si këto janë të veçanta. Ka pranuar të moderojë në nderim të Piperkut. Ukaj ka kujtuar se me Albana Piperkun, vajza e kompozitorit, ishin shokë qysh nga çerdhja. “Kemi pasur shumë miq e familjarë që kanë punuar në RTP në atë kohë dhe ne jemi rritur me këto këngë. Kam pasur një nder të madh, tremë të madhe, pasi është përgjegjësi e madhe të prezantoj koncertin që i kushtohet një kompozitori të madh”, ka thënë ai. Ka shtuar se sa herë dëgjohen këngët që janë bërë me Orkestrën e RTP-së në atë kohë, shihet se sa ka humbur koha që e jetojmë sot.

“Unë shpresoj që dikush të ketë vesh e koshiencë e ta rikthejmë atë që e kanë sjellë Piperku, Randobrava e kompozitorë të ndryshëm”, ka thënë ai.
Sopranoja Besa Llugiqi që ka karrierë të pasur në Kosovë e sidomos në Bullgari, kësaj radhe qe në publik. Sipas saj, koncerti ka qenë i veçantë pikërisht për shkak të repertorit që është zgjedhur. Ka thënë se kompozitori Piperku konsiderohet si ikonë e melodive të thjeshta, të bukura e të kapshme për secilin.
“U kënduan këngët e tij në versione të ndryshme, ku secili këngëtar shkëlqeu në mënyrën e vet. Uroj që tradita të mos ndalet, të përkrahen ngjarje të tilla që janë të rralla e plot vlerë për kombin tonë e sidomos për të lartësuar artistë e emra që vendit tonë i kanë dhënë art të mirëfilltë. E pazëvendësueshme figura e kompozitorit Piperku... Bravo organizatorëve”, ka thënë ajo.

Bashkëproducenti Dardan Selimaj ka treguar se prej vitesh si i përfshirë në prodhimin e disa koncerteve, pothuajse në shumicën ka hasur në këngë të Musa Piperkut. Sipas tij, kurrë nuk e ka parë një dedikim më të veçantë për një kompozitor që sa herë i vjen rasti të hulumtojë për një këngë të tij, habitet me talentin dhe krijimtarinë që ka lënë pas.
“Një pjesë e këngëve që janë përfshirë në natën e sotme nuk është se janë dëgjuar e interpretuar shpesh. Ka shumë këngë të tjera, të cilat ka qenë e pamundur të përfshihen në koncertin e sotëm. Mendoj se ai është një prej figurave që duhet të hulumtohet e të zbulohet më shumë. Besoj që kjo do të ndodhë, por konsideroj që ky koncert ka qenë një moment për ta kthyer vëmendjen jo vetëm nga Musa Piperku, por nga kompozitorët të cilët kanë krijuar në kohë të tjera, në kohë kur gjithçka ka qenë e shkruar dhe e menduar”, ka thënë Selimaj. Atë kohë e ka përshkruar si periudhë që edhe nëse kanë humbur incizimet, ekzistojnë partiturat.
“Një nga këngët është interpretuar sonte duke iu referuar partiturës dhe jo incizimit. Muzika pop e kohëve moderne nuk është se arkivohet e dokumentohet. Ne sot mendojmë pak për të ardhmen në kuptimin e dokumentimit të së tashmes. Prandaj koncertet s’i konsideroj që janë edhe një thirrje për të dokumentuar muzikën e së tashmes”, ka thënë Selimaj.
“Kanga jonë” përtej telasheve organizative në një hapësirë ku ngjarjet është vështirë të realizohen në përpikëri me konceptin, ka hapur një tjetër shteg: atë të vlerësimit të krijimtarisë përmbajtjesore. Ose siç ka thënë aktori Ukaj, të krijimeve që shpërfaqin se sa zbrazëti kanë veprat që prodhohen tash.
