Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“KamerFesti” ua lë skenën zërave dhe shpresave të reja

Prishtinë, 26 tetor – Për zërat dhe shpresat e reja, skena e festivalit të muzikës kamertale, që mbledh muzikantë nga e gjithë bota, qe në dispozicion edhe në koncertin e radhës. Arenë e talentëve të rinj – një pianisti e një violinisti – qe amfiteatri i Bibliotekës Universitare në mbrëmjen e pestë të “KamerFestit”.

Laureatët e garave “ARS Kosova 2017” qenë protagonistët e mbrëmjes së mërkurë. Rron Bakalli në violinë e Andi Duraku në piano e dëshmuan veten para audiencës duke u sfiduar në interpretim të veprave kërkuese të kompozitorëve botërorë. Pianisti amerikan Derek Han qe mysafir i mbrëmjes, duke e shoqëruar Bakallin në interpretimin e “Sonatës për violinë e piano nr.2 në A-dur” të Johannes Brahms. Violinisti i ri kosovar, me fort saktësi e finalizoi veprën kërkuese të kompozitorit gjerman të periudhës romantike. Me sonatë u sfidua edhe Andi Duraku, i cili solli “Appasionatan” e Ludwig van Beethovenit. Sonata nr. 23 në F-mol për piano solo e hapi koncertin. Qysh në fillim u pa se zërat e shpresat e reja janë goxha premtues. Me po të njëjtin emocion Duraku interpretoi edhe veprën “Mephisto Waltz” të Franz Lisztit. Koncertit iu vu kapak me “Carmen phantasy” të Bizet-Waxman për violinë e piano, që e solli Bakalli në violinë në shoqëri të Arbresha Shehut.

“Zërat dhe shpresat e reja” qe titulli edhe i koncertit të tretë, të hënën mbrëma, me klarinetistin Fisnik Shkodra, Dea Bajrami e Agron Shujaku në piano dhe tenorin Granit Musliu./E.Berisha (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore” ).