Koncerti “Në nderim të Beethovenit” ishte një sfidë për studentët të cilëve, ashtu sikurse artistëve me nam, u ka munguar koncertimi para publikut. Për interpretimin e tyre në kuadër të “Chopin Piano Festit” zgjodhën vepra sfiduese e po ashtu edhe të tilla që i kanë luajtur për herë të parë duke prezantuar aftësitë e tyre profesionale e artistike
Një përjetim i bukur muzikor dhe njëkohësisht një mundësi për t’i përkrahur artistët e rinj në rrugëtimin e tyre profesional e artistik është cilësuar koncerti i së mërkurës mbrëma në kuadër të “Chopin Piano Festit”. Njëlloj si edhe koncertet e dy netëve të tjera, skena e Festivalit është rezervuar për studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Secila mbrëmje ka temën e vet, e sagën e ka nisur koncerti “Në nderim të Beethovenit” që iu kushtua pianistit dhe kompozitorit gjenial, 250-vjetori i lindjes të të cilit u shënua vjet në mbarë botën, por që “Chopin Piano Fest” e shënoi këtë vit, pasi që vitin e kaluar nuk u mbajt për shkak të pandemisë.
Që në nisje të koncertit pianistja Alberta Troni, njëherësh edhe koordinatore e programit të Festivalit, ka thënë së “Chopin Piano Fest” çdoherë edhe nëpërmjet masterklasave, por edhe me mbrëmje të tilla koncertuese krijon mundësi e hapësirë për studentë. “Kjo natë shpërfaq potencialin artistik që e kanë të rinjtë”, ka thënë Troni.
Mbrëmja nisi me interpretimin e Dafina Kerleshit dhe Poema Zhavelit, studente të pianistes Valbona Petrovci, të cilat sollën “Sonatën në D për katër duar”, për të kaluar te interpretimi i Adea Malës në korno, shoqëruar nga Melos Buza në piano. Dyshja solli “Sonatën për kornë dhe piano op.17”. Pas tyre interpretuan Viola Sulejmani – që solli “Sonatën op.54, F-dur) pasuar nga Melisa Ibrahimi, e cila solli sonatën op.57, “Appassionata”.
Ibrahimi ka thënë se koncerti sa ishte sfidues, ishte edhe kënaqësi, pasi e ka ndarë skenën me miqtë e saj.
“Sonte e performova sonatën ‘Appassionata’, një ndër veprat me të njohura e që vetë Beethoveni e ka cekur që është vepra e tij më e mirë që e ka kompozuar. Po ndihem shumë mirë tash pas koncertit. Ishte një atmosferë shumë e mirë me publikun”, ka thënë ajo. E të lumtur e ka bërë edhe një fakt.
Edhe
Harmonia në dialog me “Chopin Piano Festin” e festës dhe të urave
“Ka një vit që nuk kemi performuar për shkak të pandemisë dhe ky kthim në skenë ishte jashtëzakonisht i mirëseardhur për të gjithë ne, edhe sfidues njëkohësisht”, ka thënë ajo.
Koncerti vazhdoi me interpretimin e Bimi Millës, që solli sonatën Pp.111 nr.32 dhe u mbyll me treshen Rron Bakalli në violinë, Andi Duraku në piano dhe mysafiri i tyre nga Shqipëria, violonçelisti Kaludio Zoto. Ata sollën “The Ghost Trio”. Treshja, që është formuar në vitin 2018, si fitues të garës “Ars Kosova” e luajti për herë të parë këtë vepër.
“Kemi parë që kemi një frymë të përbashkët muzikore dhe, edhe pse jemi pak në distancë pasi që violonçelisti është nga Tirana, nuk e ka zbehur atë lidhjen tonë muzikale pasi që sa herë që bashkohemi muzika është ajo që na bashkon dhe është një trio e cila duket që do të vazhdojë edhe më tutje”, ka thënë Andi Duraku. Ka shtuar se vepra që e kishin përzgjedhur është mjaft e bukur, por edhe e vështirë në aspektin teknik, muzikal, si dhe për t’ia dalë që të tingëllojnë bashkërisht mirë.
Për publikun mbrëmja ishte një dëshmi e potencialit dhe talentit që kanë artistët e rinj.
Mimoza Ibrani, prorektore për çështje akademike, e cila më pas u shpërndau edhe mirënjohje studentëve, ka thënë se ata nëpërmjet interpretimit vunë në pah talentin e tyre, por edhe punën që bëjnë në kuadër të studimeve.
“Secili festival artistik përcjell një porosi, porosia e përcjellë sot nga studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës ishte shumë domethënëse posaçërisht në kohë pandemie. Unë u ndava shumë e kënaqur me performancën e tyre, të cilën e kanë treguar edhe në gara e festivale të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
Besa Luzha, drejtuese organizative e Festivalit, ka thënë se ky koncert është vetëm fillimi i netëve të tilla ku vihet në pah puna e studentëve.
“Një mbrëmje shumë e bukur, vërehen stilet e veçanta të studentëve. Veprat që kanë përzgjedhur janë mjaft sfiduese dhe jemi të kënaqur që ata vijnë kaq shumë të përgatitur. Më të vërtetë një mbrëmje shumë e këndshme edhe për studentët, por edhe për ne që i kemi dëgjuar”, ka thënë Luzha.
Edhe
Beethoveni në Prishtinë me notat e magjisë, guximit e sfidave
Mbrëmjet studentore do të përfundojnë më 29 qershor, kur do të performojë pianisti nga Italia, Gabriele Carcano. Ai është vlerësuar nga “Suddeutsche Zeitung” si një “skulptor i tingullit”. U lind në Torino dhe filloi studimet për piano kur ishte shtatëvjeçar dhe u diplomoi në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare në konservatorin “Giuseppe Verdi” po ashtu në Torino.
Edicioni i 11-të i “Chopin Piano Festit” do të përfundojë në ditën e fundit të qershorit, me mjeshtren e pianos Zoya Shuhatovich, që sjell “Tinguj romantikë”.