Ishte nata e dytë e edicionit të 18-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, që në skenën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare solli dy muziktarë të rinj, Arsim Gashi dhe Andi Duraku. Që në ngjitjen e parë në skenë u pa që dyshja ishte gati për të çuar audiencën në një udhëtim emocionesh dhe veprash të rëndësishme në repertorin e violinës.
Të dy virtuozë, njëri në violinë e tjetri në piano e filluan udhëtimin muzikor për mbrëmjen e së martës me sonatën për violinë të Edvard Grieg në c-mol. Që në tingujt e parë u bë e qartë që një pasion i madh ishte duke ushqyer një sinergji që shkonte përtej thjesht bashkëpunimit, çdo notë rezononte me intensitetin e dashurisë së tyre për muzikën.
Violinisti Gashi ka thënë se skena e festivalit “DAM” kishte qenë një ëndërr e kamotshme për të duke u shprehur mirënjohës për mundësinë që profesoresha e tij, njëherësh drejtoresha artistike e Festivalit i ka ofruar.
“Tash shumë mirë që e përfundova, sepse në fillim pata shumë stres pasi që ishte hera e parë që po performoj në këtë festival dhe është njëri prej festivaleve që e kam pasur ëndërr që nga fëmijëria dhe e falënderoj profesoreshën Rreze Kryeziu për këtë mundësi. Tash jam shumë i qetë e më herët kam qenë përplot emocione”.
Dyshja kaloi nëpër repertorin e saj nga kompozimi në kompozim dhe secila pjesë mbante peshën e vet emocionale për performuesit. Mbrëmja kulmoi me solo performancën e Gashit të sonatës për violinë të Giuseppe Tartinit në g-mol.
Ky koncert për të e shënon të fundit paraqitje si student, prandaj edhe programi ishte i tillë, një përmbledhje e veprave me të cilat janë njoftuar nëpër vitet e studimeve.
“Unë tash thuajse e kam përfunduar universitetin dhe ky koncert ndoshta nuk ka pasur ndonjë titull, por unë e kam bërë për përmbylljen si jetë studenti, sepse është koncerti i fundit si student për këtë arsye janë rikthyer disa prej veprave prej viteve të kaluara ku jam munduar të bëj një përmbledhje dhe këtu e pamë rezultatin. Punë kemi bërë më shumë individualisht, sepse e mira është që i tërë ansambli harkor të gjithë janë profesionistë dhe kolegë të mi dhe s’kemi pasur shumë punë me ta. Kanë qenë të përkryer, provat kanë zgjatur pak ditë dhe rezultati ka dalë i mrekullueshëm”, deklaroi Gashi.
Në pjesën e fundit të koncertit Arsim Gashit i është bashkuar ansambli harkor dhe me aq magji sa ka nisur edhe është përmbyllur koncerti. Drejtoresha artistike e Festivalit, Rreze Kryeziu, përpos si pjesë e ekipit organizues të “DAM-it” ka thënë se ndihet krenare edhe si profesoreshë e tyre, ku edhe i është dhënë rasti për nga afër ta shohë progresin e studentëve të saj.
“Duke qenë pjesë e vetë institucionit ku Arsimi dhe Andi i cili e shoqëroi Arsimin të kryejë studimet kam pasur mundësinë për të qenë me afër edhe me zhvillimin e tyre profesional, kështu që nuk kam pritur më pak. Kam kënaqësinë që ne po i rikthehemi misionit tonë primar që është promovimi i muziktarëve të rinj të cilët janë në ngritje sikurse Arsimi e po ashtu edhe Andi, të cilët janë të dalluar për skenën vendore dhe po shpresojmë që shumë shpejt do të shkelin edhe atë ndërkombëtare”.
Për programin e përzgjedhur, Kryeziu ka thënë se tregon shumë për pasionin e entuziazmin e muzikantëve për ta sfiduar veten dhe të paraqiten sa më mirë para publikut. Ka vlerësuar se me koncerte të tilla i afrohen misionit me të cilin ka nisur Festivali.
“Arsimi, shumë entuziast është një djalë fantastik i cili e ka sfiduar veten vazhdimisht me programe të tilla mjaft impenjuese, duke prekur stile të ndryshme teknikisht jo të lehta programe, ka arritur mjaft mirë t’i realizojë ato dhe në të njëjtën kohë ajo që më gëzon shumë është që ende kemi nga ata muziktarët e rinj shumë të pasionuar në profesionin e tyre dhe entuziast për të vazhduar tutje dhe në të njëjtën kohë mirënjohës për ata të cilët përkujdesen që me aq mundësi sa kanë qoftë me anë të festivaleve apo aktiviteteve të tjera si motër t’i ndihmojnë ata. Arsimi e tha që ka qenë një ëndërr e tij, mua nuk më ka treguar ndonjëherë që e ka ëndërr me qenë pjesë e Festivalit, sepse fundja Festivali është në shërbim të tyre dhe ëndrrat të tilla paçin të gjithë”.
Andi Duraku e ka përcjellë koncertin me piano. Për të është hera e dytë që shkel në skenën e festivalit “DAM”. Ka thënë që secila herë është kënaqësi dhe se është një mundësi shumë e mirë, sidomos për muzikantët e rinj.
“Arsimi kishte marrë ftesën për t’u paraqitur në ‘DAM’ festival dhe në të njëjtën kohë kam marrë ftesë edhe unë që të paraqitemi së bashku në këtë festival, në të cilin për mua është hera e dyte dhe është çdoherë kënaqësi”.
Edicioni i 18-të i festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” do të vazhdojë me programin e tij deri më 9 shtator.