Kulturë

Violina në dialog me piano realizon një ëndërr, paralajmëron skenën

Nata e dytë e festivalit “DAM” ka qenë e rezervuar për violinistin Arsim Gashi dhe pianistin Andi Duraku, të cilëve gjatë koncertit u është bashkuar edhe Orkestra e Harqeve. Me një program të pasur, dyshja ka sjellë para publikut disa prej veprave më të rëndësishme në repertorin e violinës. Për violinistin ka qenë një ëndërr, e për publikun vendor një dëshmi për potencialin vendor. Të dy instrumentistët janë emra të cilët qarqet muzikore ka kohë që i kanë paralajmëruar si emra që do të shquhen

Ka qenë një lloj dialogu muzikor nata e dytë e edicionit të 18-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Në skenën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare solli dy muzikantë të rinj: violinistin Arsim Gashi dhe Andi Durakun në piano. Që në ngjitjen e parë në skenë u pa që dyshja ishte gati për të çuar audiencën në një udhëtim emocionesh dhe veprash të rëndësishme në repertorin e violinës.

Të dy virtuozë, recitali i Gashit nisi me udhëtimin muzikor për mbrëmjen e së martës me Sonatën për violinë të Edvard Grieg në C-mol. Që në tingujt e parë u bë e qartë që një pasion i madh ishte duke ushqyer një sinergji që shkon përtej thjesht bashkëpunimit. Çdo notë rezonon me intensitetin e dashurisë së tyre për muzikën.

Violinisti Gashi ka thënë se skena e festivalit “DAM” kishte qenë një ëndërr e kamotshme për të duke u shprehur mirënjohës për mundësinë që profesoresha e tij, njëherësh drejtoresha artistike e Festivalit i ka ofruar.

“Tash shumë mirë që e përfundova, sepse në fillim pata shumë stres pasi që ishte hera e parë që po performoja në këtë festival dhe është njëri prej festivaleve që e kam pasur ëndërr që nga fëmijëria dhe e falënderoj profesoreshën Rreze Kryeziu për këtë mundësi. Tash jam shumë i qetë e më herët kam qenë përplot emocione”, ka thënë Gashi.

Dyshja kaloi nëpër repertor nga kompozimi në kompozim dhe secilës pjesë i është dhënë pesha e vet emocionale për performuesit. Mbrëmja kulmoi me solo performancën e Gashit të Sonatës për violinë të Giuseppe Tartinit në G-mol.

Ky koncert për të shënon të fundit paraqitje si student, prandaj edhe programi ishte i tillë: një përmbledhje e veprave me të cilat janë njoftuar nëpër vitet e studimeve.

“Unë tash thuajse e kam përfunduar universitetin dhe ky koncert ndoshta nuk ka pasur ndonjë titull, por unë e kam bërë për përmbylljen si jetë studenti, sepse është koncerti i fundit si student, për këtë arsye janë rikthyer disa prej veprave prej viteve të kaluara ku jam munduar të bëj një përmbledhje dhe këtu e pamë rezultatin”, ka thënë Gashi.

Koncerti ka qenë edhe një lloj feste e aty kanë qenë kolegët e tij.

“Punë kemi bërë më shumë individualisht, sepse e mira është që i tërë ansambli harkor, të gjithë janë profesionistë dhe kolegë të mi dhe s’kemi pasur shumë punë me ta. Kanë qenë të përkryer, provat kanë zgjatur pak ditë dhe rezultati ka dalë i mrekullueshëm”, ka thënë Gashi.

Në pjesën e fundit të koncertit Arsim Gashit i është bashkuar ansambli harkor, dhe me aq magji sa ka nisur edhe është përmbyllur koncerti. Drejtoresha artistike e Festivalit, Rreze Kryeziu, përpos si pjesë e ekipit organizues të “DAM-it” ka thënë se ndihet krenare edhe si profesoreshë e tyre, ku edhe i është dhënë rasti nga afër ta shohë progresin e studentëve të saj.

“Duke qenë pjesë e vetë institucionit ku Arsimi dhe Andi, i cili e shoqëroi Arsimin të kryejë studimet, kam pasur mundësinë për të qenë me afër edhe me zhvillimin e tyre profesional, kështu që nuk kam pritur më pak. Kam kënaqësinë që ne po i rikthehemi misionit tonë primar që është promovimi i muziktarëve të rinj, të cilët janë në ngritje sikurse Arsimi e po ashtu edhe Andi, të cilët janë të dalluar për skenën vendore dhe po shpresojmë që shumë shpejt do të shkelin edhe atë ndërkombëtare”, ka thënë Kryeziu.

Për programin e përzgjedhur, Kryeziu ka thënë se tregon shumë për pasionin e entuziazmin e muzikantëve për ta sfiduar veten dhe të paraqiten sa më mirë para publikut. Ka vlerësuar se me koncerte të tilla i afrohen misionit me të cilin ka nisur Festivali.

Image
Në pjesën e fundit të koncertit, Arsim Gashit i është bashkuar ansambli harkor, dhe me aq magji sa ka nisur edhe është përmbyllur koncerti

“Arsimi, shumë entuziast, është një djalë fantastik i cili e ka sfiduar veten vazhdimisht me programe të tilla mjaft impenjuese, duke prekur stile të ndryshme teknikisht jo të lehta programe, ka arritur mjaft mirë t’i realizojë ato dhe në të njëjtën kohë ajo që më gëzon shumë është që ende kemi nga ata muziktarët e rinj shumë të pasionuar në profesionin e tyre dhe entuziastë për të vazhduar tutje dhe në të njëjtën kohë mirënjohës për ata të cilët përkujdesen që me aq mundësi sa kanë, qoftë me anë të festivaleve apo aktiviteteve të tjera simotër t’i ndihmojnë ata”, ka thënë ajo. Se Gashi e ka pasur ëndërr për të interpretuar në “DAM”, ka thënë ta dëgjojë për të parën herë.

“Arsimi e tha që ka qenë një ëndërr e tij, mua nuk më ka treguar ndonjëherë që e ka ëndërr me qenë pjesë e Festivalit, sepse fundja Festivali është në shërbim të tyre dhe ëndrra të tilla paçin të gjithë”, ka thënë Kryeziu.

Andi Duraku e ka përcjellë koncertin me piano. Për të është hera e dytë që shkel në skenën e festivalit “DAM”. Ka thënë që secila herë është kënaqësi dhe se është një mundësi shumë e mirë, sidomos për muzikantët e rinj.

“Arsimi kishte marrë ftesën për t’u paraqitur në ‘DAM Festival’ dhe në të njëjtën kohë kam marrë ftesë edhe unë që të paraqitemi së bashku në këtë festival, në të cilin për mua është hera e dytë dhe është çdoherë kënaqësi”, ka thënë Duraku.

Edicioni i 18-të i festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” do të vazhdojë me programin e tij deri më 9 shtator, ditë gjatë të cilave përpos muzikantëve vendorë do të ketë edhe mysafirë nga vende të ndryshme të botës, ku më 8 shtator do të performojë klarinetisti i njohur francez Florent Charpentier, fitues i konkursit prestigjioz ndërkombëtar “Prague Spring Festival Competition”.

Edicioni i sivjetmë i “DAM”-it nisi të hënën mbrëma me koncertin “Virtuosos” me violinistet hungareze Mariam e Amira Abouzahra, shoqëruar nga e ëma e tyre, Nora Emody. Treshja tejet e veçantë ka interpretuar pjesë të kryeveprave botërore duke sjellë imazhin e misionit të Festivalit.