Arlind Lamaxhema dhe Era Kume në natën e tretë të festivalit “DAM” janë paraqitur para publikut me performanca në piano duke zbërthyer programin sfidues krahas moshës së tyre të re. Para audiencës nëpërmjet koncertit “Podium Juvenis – Simfoni e talentëve të rinj” është shpalosur potenciali i muzikantëve të rinj. Ka kulmuar edhe me nxënësit e “Prenk Jakovës”
Në natën e tretë të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, ku kompozime të përjetshme jehojnë për tash e 18 edicione, dy pianistë të rinj u ngjitën në skenë. Performanca e tyre jo vetëm që u dha jetë veprave të njohura për piano, por gjithashtu la të kuptohet për një të ardhme premtuese në skenën e muzikës klasike. “Podium Juvenis – Simfoni e talentëve të rinj”, është titulluar koncerti.
Mbrëmja filloi me një ndjenjë pritjeje, ndërsa publiku zuri vendet në amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare. Arlind Lamaxhema iu afrua skenës e pas një frymëmarrje të thellë gishtat i ranë mbi tastet bardhezi. Qe sonata e Ludwig van Beethovenit vepra që e hapi programin e tij për mbrëmjen e së enjtes.
Lamaxhema, një talent i ri, në vitin e parë të studimeve për muzikë, vazhdoi koncertin me etydë të Moritz Moszkowskit dhe e përmbylli me vals nga Chopini. Pjesa përmbyllëse e koncertit shpalosi aftësitë teknike të pianistit të ri. Ka qenë një arritje e jashtëzakonshme për dikë të kësaj moshe dhe një dëshmi e përkushtimit dhe e pasionit.
Lamaxhema këtë sukses ia dedikoi profesoreshës së tij, Lule Elezi, dhe me emocion pas performancës ka folur për ndjenjën që koncerti ia ka dhuruar.
“Po ndihem shumë i lumtur, sepse kam pasur një performancë shumë të mirë dhe jam i lumtur që me punën e palodhshme me profesoreshën Lule Elezi kemi arritur ta përfundojmë me një performancë aq komplete, aq të bukur sa për t’i bërë të lumtur publikun dhe të gjithë pjesëmarrësit”, ka thënë Lamaxhema.

Pas paraqitjes së Arlind Lamaxhemës, një tjetër yll në ngritje në skenën e muzikës klasike, doli në qendër të skenës.
Era Kume nga Shqipëria u prit me duartrokitje për të filluar një rrugëtim nëpër etyde të Chopinit, kompozime të Edvard Grieg e Simon Gjonit. Programi është vlerësuar sfidues megjithatë Kume e ekzekutoi mjeshtërisht. Interpretimi i këtyre veprave nuk ka qenë thjesht një shfaqje virtuoziteti, por një bisedë e përzemërt me shpirtin e kompozitorit.
Për profesoreshën e Kumes ky koncert ka folur shumë edhe për të ardhmen e nxënëses së saj si pianiste.
“Era ka disa kohë që është me mua dhe për mua direkt kjo është performancë e parë me Erën. Jam shumë e lumtur për të sepse gjatë orëve të bashkëpunimit mësojmë shumë gjëra nga studentët, por skena është komplet tjetër gjë, unë arrita të krijoj një besim dhe siguri që Era do të bëhet një pianiste shumë e madhe”, ka thënë Petrollari-Laço.
Ajo që i dallon këta dy pianistë të rinj nuk është vetëm aftësia e tyre teknike, por ajo për të mbushur çdo notë me një rezonancë të thellë emocionale. Ata kanë një kuptim të lindur për muzikën që luajnë, sikur të kishin lindur për t’u dhënë frymë këtyre kompozimeve të përjetshme. Paraqitjet e tyre qenë rikujtim se muzika klasike nuk kufizohet në faqet e historisë, por jeton dhe merr frymë përmes talentit të muzikantëve të rinj.
Kume ende në emocionet e koncertit ka treguar për momentin kur ka kuptuar se do të marrë pjesë në festival.
“Kur kam marrë vesh që do të jem pjesë e festivalit, ka qenë emocion shumë i madh dhe kam qenë te skena e ‘Pianistit të ri’ dhe në momentin që e kuptova që do të jem pjesë e ‘DAM Festivalit” ishte një emocion shumë i madh. Programi ka qenë i vështirë për t’u përgatitur, sepse është program i nivelit të lartë, por mund të them që ia dola”, ka thënë Kume.
Arlind Lamaxhema dhe Era Kume përfaqësojnë një brez të ri muzikantësh klasikë, të cilët nuk kanë frikë të përqafojnë traditën, ndërkohë që performancat e tyre i japin me shumë pasion. Përkushtimi i tyre ndaj muzikës dhe aftësia për t’u lidhur me audiencën në një nivel të thellë premton për të ardhmen e skenës së muzikës klasike në vend.
Kësisoj e ka vlerësuar drejtoresha artistike e “DAM-it” natën e tretë të Festivalit.
“Arritëm në natën e tretë gjegjësisht në një nga koncertet të cilat ne i kemi shumë për zemër, duke marrë parasysh që pranë nesh në këtë skenë kanë mundësinë të koncertojnë artistët nga më të vegjlit tanë. Kësaj radhe erdhëm me platformën tonë të dashur, bashkëpunimin me ‘Pianistin i ri’, të cilët po e jetësojnë për herë të dytë brenda këtij viti kalendarik për shkak se në pjesën e parë të vitit kishim edhe koncertin e realizuar nga Vesa Berisha, fituese e vitit të kaluar e cila koncertoi me Filharmoninë e Kosovës dhe tash kishim kënaqësinë ta kemi para nesh Erën dhe Arlindin”, ka thënë Kryeziu.
Nata e tretë e festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” u përmbyll me koncertin për dy violina dhe harqe të Antonio Vivaldit, interpretuar nga orkestra e shkollës “Prenk Jakova” në Prishtinë dhe Lindi Pasha e Sibora Resyli në violinë, nën drejtimin e dirigjentes Lirjona Sylejmani.