Në natën e tretë të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, ku kompozime të përjetshme jehojnë për tash e 18 edicione, dy pianistë të rinj u ngjitën në skenë. Performanca e tyre jo vetëm që u dha jetë veprave të njohura për piano, por gjithashtu la të kuptohet për një të ardhme premtuese në skenën e muzikës klasike. “Podium Juvenis – Simfoni e talentëve të rinj”, është titulluar koncerti.
Mbrëmja filloi me një ndjenjë të pritjeje, ndërsa publiku zuri vendet në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Arlind Lamaxhema iu afrua skenës e pas një frymëmarrjeje të thellë gishtat i ranë mbi tastet bardhezi. Qe sonata e Ludëig van Beethovenit vepra që e hapi programin e tij për mbrëmjen e së enjtes.
Lamaxhema, një talent i ri, në vitin e parë të studimeve për muzikë, vazhdoi koncertin me etude të Moritz Moszkoëski dhe e përmbylli me vals nga Chopini. Pjesa përmbyllëse e koncertit shpalosi aftësitë teknike të pianistit të ri. Ka qenë një arritje e jashtëzakonshme për dikë të kësaj moshe dhe një dëshmi e përkushtimit dhe pasionit.
Lamaxhema këtë sukses ia dedikoi profesoreshës së tij, Lule Elezit dhe me emocion pas performancës ka folur për ndjenjën që koncerti i ka dhuruar.
“Po ndjehem shumë i lumtur sepse kam pasur një performancë shumë të mirë dhe jam i lumtur që me punën e palodhshme me profesoreshën Lule Elezi kemi arritur ta përfundojmë me një performancë aq komplete, aq të bukur sa për t’i bërë të lumtur publikun dhe të gjithë pjesëmarrësit”.
Pas paraqitjes së Arlind Lamaxhemës, një tjetër yll në ngritje në skenën e muzikës klasike, doli në qendër të skenës. Era Kume nga Shqipëria u prit me duartrokitje për të filluar një rrugëtim nëpër etydë e Chopinit, kompozime të Edvard Grieg e Simon Gjonit. Programi është vlerësuar sfidues, megjithatë Kume e ekzekutoi atë në mënyrë të përsosur. Interpretimi i këtyre veprave nuk ishte thjesht një shfaqje virtuoziteti, por një bisedë e përzemërt me shpirtin e kompozitorit.
Për profesoreshën e Kumes, ky koncert ka folur shumë edhe për të ardhmen e nxënëses së saj si pianiste.
“Era ka disa kohë që është me mua dhe për mua direkt kjo është performance e parë me Erën. Jam shumë e lumtur për të sepse gjatë orëve të bashkëpunimit mësojmë shumë gjëra nga studentët, por skena është komplet tjetër gjë, unë arrita të krijoj një besim dhe siguri që Era do të bëhet një pianiste shumë e madhe”.
Ajo që i dallon këta dy pianistë të rinj nuk është vetëm aftësia e tyre teknike, por aftësia e tyre për të mbushur çdo notë me një rezonancë të thellë emocionale. Ata kanë një kuptim të lindur për muzikën që luajnë, sikur të kishin lindur për t'u dhënë frymë këtyre kompozimeve të përjetshme. Paraqitjet e tyre ishin një rikujtim se muzika klasike nuk kufizohet në faqet e historisë, por jeton dhe merr frymë përmes talentit të muzikantëve të rinj.
Kume ende në emocionet e koncertit ka treguar për momentin kur ka kuptuar se do të marrë pjesë në festival.
“Kur kam marrë vesh që do të jem pjesë e festivait ka qenë emocion shumë i madh dhe kam qenë te skena e ‘Pianistit të ri’ dhe në momentin që e kuptova që do të jem pjesë e ‘DAM’ festivalit ishte një emocion shumë i madh. Programin ka qenë e vështirë për ta përgatitur, sepse është program i nivelit të lartë, por mund të them që ia dola”, tha Kume.
Nata e tretë e festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” u përmbyll me koncertin për dy violina dhe harqe të Antonio Vivaldit, interpretuar nga Orkestra e Shkollës “Prenk Jakova” në Prishtinë dhe Lindi Pasha e Sibora Resyli në violinë, nën drejtimin e dirigjentes Lirjona Sylejmani.