E para e kulturës në Shqipëri ministrja, Elva Margariti, ka bërë të ditur se ka nisur puna për restaurimin e Kalasë së Lezhës.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka thënë se është duke u punuar për fazën e parë të studimit që i paraprin zbatimit të projektit, mbi ndërhyrjen emergjente në murin verior në Kalanë mesjetare, ku janë evidentuar çarje.
Gërmimet arkeologjike në kuadër të projektit “Stabilizimi emergjent i një pjese të murit verior të Kalasë së Lezhës” tashmë janë në proces e sipër.
Sondat e studimit të terrenit, ku do të kryhet ndërhyrja përforcuese dhe stabilizuese në mure, kanë përmasa 5 me 2 metra katrorë dhe thellësi maksimale deri në tabanin e shtresave të mundshme kulturore
“Segmenti ku po realizohet ndërhyrja nuk mund të aksesohet me mjete mekanike dhe i gjithë procesi arkeologjik i sondës së propozuar po realizohet manualisht”, ka bërë të ditur Margariti nëpërmjet rrjeteve sociale. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, po asiston procesin duke dhënë ekspertizën e saj si dhe duke punuar për pastrimin e zonës së propozuar nga depozitimet e rrënojave.
Kalaja e Lezhës është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore ku bashkohen gjurmët e arkitekturës ilire, romake, bizantine dhe osmane dhe që dëshmon lashtësinë e qytetërimit të kësaj zone.
Ky monument i rrallë që u ka mbijetuar shekujve, do të marrë një vlerë të shtuar falë projektit të ndriçimit, i cili do të nxjerrë në pah trashëgiminë kulturore, historike, arkitekturore.
Kalaja mesjetare e Lezhës është ndërtuar mbi rrënojat e Akrolisit antik në shekullin IX, duke marrë kështu karakterin e një qendre qytetare.
Sipas të dhënave historike e arkeologjike, ajo është rindërtuar disa herë duke filluar që nga shek. III para Krishtit nga Mbretëria Ilire: nga bizantinët pas djegies nga inkursionet sllave të vitit 592, nga dukagjinasit vendës pasi u dogj aksidentalisht në vitin 1398, venedikasit gjatë viteve 1440-1451, duke e marrë edhe formën që ka sot.
U dogj dy herë në vitet 1478 dhe 1503 nga vetë qytetarët lezhjanë, pasi u rrezikua nga osmanët të cilët e përdornin si bazë për t’i sulmuar vendësit që ishin zhvendosur në Ishullin e Lezhës. Të rrezikuar nga sulmet e mundshme veneciane nëpërmjet lumit Drin dhe sulmet e kryengritësve shqiptarë, sulltan Sulejman Selim Bajazit Han (Sulejmani i Madhërishëm) urdhëroi rindërtimin e kalasë në vitet 1521-1522.
Muret e kësaj periudhe janë të mbivendosura mbi ato veneciane dhe kësaj periudhe i përket edhe restaurimi i Xhamisë së Sulejmanies dhe muret turke që ndajnë oborrin e brendshëm me atë të jashtëm brenda hapësirës së Kalasë.
Kjo kala dominon deri në bregun e detit dhe mbyll pothuajse gjithë rrugët për në brendësi. Ana Komnena e quajti kështjellën e Elissonit, “një kështjellë në ajër, syri i djathtë i Durrësit”.
Sot në Kalanë e Lezhës mund të shihen, përveç peizazhit të bukur e relaksues, edhe teknikat dhe fazat e ndryshme të ndërtimit mijëravjeçar të vendosura sipër njëra-tjetrës, si dhe një sipërfaqe rreth 1.5 ha me ambiente çlodhëse.