Prishtinë, 19 shtator – Stafi politik ku përfshihen ministri, zëvendësministrat e këshilltarët në Ministrinë e Kulturës për 23 muaj i kanë kushtuar shtetit 459 mijë e 76 euro e 99 centë.
Janë gjithsej 128 mijë e 287 euro e 99 centë që ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, bashkë me 5 zëvendësministrat e 6 këshilltarët e tij i kanë shpenzuar për më pak se dy vjet pa përfshirë pagat. Bëhet fjalë vetëm për mëditje, shpenzime të udhëtimit, ato për reprezentacion, biletat e avionit e pagesat me kartelë nga ministri e zëvendësit e tij. Pjesë e këtyre shpenzimeve janë edhe telefonatat e ministrit e zëvendësve të tij e derivatet, përfshirë edhe ato të disa prej këshilltarëve që u është lejuar të kenë veturë zyrtare në përdorim.
Kujtim Gashi u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në shtator të vitit 2017. Lista e shpenzimeve i është dërguar gazetës nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike. Në këtë listë janë përfshirë shpenzimet jashtë pagës. Pagat e tyre janë llogaritur nga gazeta në bazë të pagave për zyrtarë që ata kanë marrë para dhjetorit të vitit 2017, dhe pas vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje të pagave tre muaj pasi mori pozitën në krye të Qeverisë.
Ministria e Kulturës nuk i ka dhënë shifrat e pagave e shpenzimeve të tjera për asistentët e ministrit e shoferin e tij, e as për asistentët e shoferët e zëvendësministrave.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")