Kulturë

Këshilli jofunksional harxhon 147 mijë euro, hapet konkursi për anëtarë

Sekretariati i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin e kaluar është paguar 60 mijë e 913 euro. Është organ mbështetës profesional, administrativ dhe teknik për nevojat e Këshillit. E Këshilli praktikisht nuk ekziston. Nuk ka asnjë prej shtatë anëtarëve sa përcaktohen me ligj.

Pagesa që i bën shteti një sekretariati me shërbyes civilë që nuk ka kujt t’i shërbejë konsiderohet e papranueshme për ekspertë të trashëgimisë kulturore e deputetë. Madje ka prej tyre që krejt këtë e shoshin si shkelje të rëndë. Sipas Raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin e kaluar – i publikuar të enjten në ueb-faqen e këtij institucioni – KKTK-ja kishte buxhet final prej 150 mijë eurosh.

Prej tyre pos pagave dhe mëditjeve janë shpenzuar edhe 85 mijë e 660 euro për kategorinë mallra e shërbime dhe 691 euro për shërbimet komunale. Sekretariati në përgjithësi ka shpenzuar 147 mijë e 264 euro. Prej vitit 2009, kur është themeluar, Këshilli nuk ka qenë funksional deri më 2015. Asokohe qenë emëruar shtatë anëtarët të cilëve u ka përfunduar mandatit trevjeçar në korrik të vitit 2018. Për krejt këtë periudhë anëtarët kishin arritur që të përcaktonin vetëm 23 monumente për Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, detyra kryesore e KKTK-së si organ i Kuvendit është shqyrtimi i propozimeve të Ministrisë së Kulturës për monumentet që duhet të jenë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.

Gjejlane Hoxha deri në vitin 2015 ka qenë udhëheqëse ekzekutive në KKTK, në një periudhë prej gjashtë vjetësh, kur po ashtu KKTK-ja sikurse tash nuk kishte anëtarë.

Ajo ka thënë se KKTK-ja e ka në mandat përcaktimin e aseteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje ligjore të përhershme. Ka shpjeguar se ky përcaktim bëhet në bazë të propozimeve dhe dokumentacionit që e dorëzon MKRS-ja. Ka përmendur se për tre vjet sa Këshilli ishte funksional (2015-2018) kishte përcaktuar që vetëm 23 asete të jenë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.

“Këshilli në mënyrën që është duke funksionuar është institucion i kotë dhe vetëm për shpenzim buxheti e pa asnjë efekt pozitiv nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, ka thënë ajo. Sipas saj, në atë organ duhet të ketë personel të specializuar me përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore.

“Ndërsa në atë institucion personeli nuk është i specializuar dhe nuk ka përvojë për trashëgimi kulturore. Komplet personeli është pa kompetencë për mbrojtje teknike dhe juridike të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Hoxha.

Ndër vite “Koha Ditore” ka raportuar për shpenzimet e këtij organi jofunksional. Ndër të tjera, për shtatë vjet kishte shpenzuar hiç më pak se 200 mijë euro vetëm për qira në një objekt prej 600 metrash katrorë, ku ishte vendosur stafi prej shtatë anëtarësh. Po ashtu, për “punë” jashtë orari bëheshin pagesa deri në 400 euro në muaj. Prej shtatorit të vitit 2016, KKTK është vendosur në kontejnerët afër ish-Pallatit të Shtypit.

Kujtim Gashi, tash deputet, prej shtatorit të vitit 2017 deri në shkurt të këtij viti ishte ministër i Kulturës. Në periudhën që ai ka drejtuar MKRS-në, ky institucion ka pasur goxha përplasje me KKTK-në. Gashi thoshte se KKTK-ja nuk ekziston pasi nuk ka anëtarë. Sekretariati, sipas tij, është staf administrativ që nuk ka kujt t’i shërbejë.

“Jo shpenzim i atyre mjeteve, por kjo është një shkelje e rëndë. Ata janë ‘off’. Nuk ekzistojnë”, ka thënë Gashi, deputet i PDK-së. Ka shtuar se asnjëherë nuk do të votonte një raport pune të KKTK-së. Kuvendi nuk kishte miratuar raportin e punës së këtij organi për vitin 2017.

“Asnjëherë nuk do të votoj raportin e tyre të punës. Madje do të ketë veprime nga deputetët tanë në Komisionin për kulturë”, ka thënë Gashi.

KKTK-ja numëron tetë zyrtarë në Sekretariat. Vitin e kaluar janë angazhuar edhe pesë të tjerë me Marrëveshjen për shërbime të veçanta.

Isuf Koci është udhëheqës ekzekutiv i KKKT-së. Në këtë pozitë, në nëntor të vitit 2017, zëvendësoi Gjejlane Hoxhën. Procedura e përzgjedhjes së tij qe shpallur e jashtëligjshme nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil. Ishte konstatuar se nuk i plotësonte kushtet.

Të enjten Koci ka thënë se punonjësit e Sekretariatit kanë marrëdhënie të rregullta pune dhe nuk mund t’iu ndalet paga me arsyetimin se nuk ka anëtarë të Këshillit. Sipas tij, në dy javët në vazhdim pritet të raportojnë në Kuvendin e Kosovës për punën që kanë bërë vitin e kaluar.

“Është një Raport për Qendrën Historike të Prizrenit. I kemi trajtuar 118 asete. Kemi bërë një raport preliminar për gjendjen e aseteve. Kemi pasur një punëtori rajonale për trajtimin e aseteve të trashëgimisë kulturore për mbrojtje paraprake. Kemi nxjerrë edhe rekomandime”, ka thënë ai, kur i është kërkuar të numërojë disa nga punët që kanë bërë. Sipas Kocit, vitin e kaluar është punuar edhe në një memorandum me një organizatë gjermane për punë vullnetare në trashëgimi kulturore e edhe në një tjetër me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

“Kemi pasur takime me MKRS-në për një platformë që kemi zhvilluar ne”, ka thënë Koci.