Kulturë

Ministria e Kulturës planifikon angazhimin e konsulentëve në vlerë prej 372 mijë eurosh

Institucioni më i lartë kulturor në vend konsideron se nuk ka kapacitet për të çuar përpara punët e nisura. Për këtë arsye, Ministria e Kulturës është vënë në kërkim të 38 konsulentëve. Synimi është që ata të dërgohen në disa prej institucioneve nën vartësi të Ministrisë së Kulturës. Planifikimet janë që të shpenzohen deri në 372 mijë e 394 euro për konsulencë. Krejt këtë proces institucioni më i lartë i kulturës në vend e ka nisur nëpërmjet prokurimit publik. Ka hapur tenderë për të angazhuar kosulentë

Ministria e Kulturës është vënë në kërkim të 38 konsulentëve. Synimi është që ata të dërgohen në disa prej institucioneve nën vartësi të Ministrisë së Kulturës. Planifikimet janë që të shpenzohen deri në 372 mijë e 394 euro për konsulencë.

Krejt këtë proces institucioni më i lartë i kulturës në vend e ka nisur nëpërmjet prokurimit publik. Ka hapur tenderë për të angazhuar kosulentë.

Më të paguarit, sipas planit, do të jenë pesëshja që kanë të bëjnë direkt me Ministrinë. Për 12 muaj konsulenti për marrëdhënie me publikun do të marrë 13 mijë euro, tre të tjerë që do të angazhohen në Zyrën për të Drejtat e Autorit, për nga 15 ditë llogaritet të paguhen nga 1950 euro.

Kurse personi që kërkohet të jetë menaxher i lartë i portfoliove dhe analist i politikave planifikohet që për 24 muaj të marrë 150 mijë euro, që i bie 6250 euro në muaj.

Ky menaxher kërkohet të jetë me arsim shumë-disiplinorë dhe me përvojë profesionale shumë-funksionale në cilësi. Sipas përshkrimit, i angazhuari në këtë pozitë do të këtë funksione “të centralizuara ndërdikasteriale ndërmjet departamenteve, divizioneve dhe zyrave mbështetëse; ndërmjet entiteteve te specializuara institucionale, agjencive dhe instituteve; dhe kabinetit të ministrit, me qëllim të reformimit të politikave dhe portofoliove, dhe menaxhimit përkatës, me synim të rritjes së efektivitetit dhe efikasitetit të investimeve...”.

Ata që do të angazhohen në Zyrën për të Drejtat e Autorit planifikohet të japin mbështetje profesionale në vlerësimin e shumës së tarifave të përgjithshme për përdorimin e lëndës së mbrojtur me të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta në ritransmetim kabllor.

Treshja do të bëjë analizë krahasuese në lidhje me tarifat për kategoritë e njëjta të autorëve me vendet e rajonit si Sllovenia, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia Veriore. Po ashtu, do të bëjë “propozim për nivelin e tarifës, vlerësim mbi përshtatshmërinë e tarifës aktuale me të ardhurat e përdoruesve, me numrin e abonentëve, si dhe me çmimin e pakove për TV bazuar në hulumtim ekonomik të tregut”.

Kurse 33 të angazhuar të tjerë do të paguhen në total 6168 euro për 12 muaj. Do të angazhohen me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta.

Ministria nëpërmjet procedurës së hapur të prokurimit kërkon ndërtimtarë, e në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë, etnolog ose antropolog të kulturës po në këtë institucion. Më pas kërkon arkitekt dhe ndërtimtar në QRTK të Prizrenit, dy arkitektë dhe nga një ndërtimtar e etnolog në QRTK të Gjilanit, nga një ndërtimtar e antropolog dhe dy arkitektë për QRTK-në e Pejës. Profile të tilla kërkohen edhe për QRTK-të e tjera e pastaj edhe për Departamentin e Trashëgimisë Kulturore. Dy konservues llogaritet të angazhohen në Institutin Arkeologjik të Kosovës, një inxhinier elektrik në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve e një arkeolog dhe një numizmat në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Dy lektorë planifikohen për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Ministria e Kulturës nuk ka kthyer përgjigje sa u përket këtyre angazhimeve të konsulentëve. Por KOHA ka marrë vesh se të angazhuarit në Zyrën për të Drejtat e Autorit do të kenë përgjegjësi që të analizojnë GDP-në e vendit, në mënyrë që Ministria të propozojë ulje apo ngritje të tarifave për transmetuesit audiovizuelë. Kurse sa i përket menaxherit të lartë të portfoliove dhe analist i politikave, i angazhuari që do ta ketë pagesën më të lartë se vetë ministri i Kulturës do të merret me projektet kapitale e strategjike të MKRS-së. Do të merret me detyrën projektuese të tetarit të operës dhe baletit, do të ndihmojë në kriteret e vëna nga Departamenti i Prokurimit, specifikimet teknike e profesionale, si dhe do të koordinojë ndërlidhjen midis departamenteve. Njëjtë do të veprojë edhe me restaurimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me shpronësimet që planifikohen, e po ashtu edhe me projekte të tjera kapitale.

Kurse sa u përket 33 vetave të tjerë që do të angazhohen në institucione, sipas një zyrtari të MKRS-së, bëhet fjalë për mungesë të stafit dhe aktualisht nuk mund bëhet punësim në baza të rregullta të marrëdhënies së punës. “Është gjetur kjo formë e angazhimit në mënyrë që të plotësojmë të paktën disa nevoja për staf në institucionet e trashëgimisë kulturore”, ka thënë një zyrtar i MKRS-së. Për 33 veta konkursi është i hapur deri sot (e martë). Kurse për pjesën e parë konkurrentët janë duke u vlerësuar.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, MKRRS-ja numëron 792 punonjës bashkë me institucionet vartëse. Kurse si paga dhe shtesa janë llogaritur 5 milionë e 306 mijë e 572 euro.