Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Jugosllavia u përmend për herë të parë më 1849

“Jugosllavia (Jugoslavija sic) u përmend për të parën herë në vitin 1849 dhe madje në revistën ‘Slovenija’, në tekstin autorial të Bukovshekut, slloven, emri i plotë i të cilit nuk është shënuar dhe të dhënat për të deri më tash nuk kam arritur t’i gjej në literaturë”, ka thënë për të përditshmen “Danas” të Serbisë, Gjokica Jovanoviq, sociolog i kulturës, profesor universitar në pension. Siç ka thënë ai, ky slloven në tekstin e tij mbrojti idenë e krijimit të një bashkësie të popujve sllavë në Ballkan, për hir të mbijetesës së tyre, duke i nxitur ata që të heqin dorë nga “egoizmi”.

Jovanoviq ka thënë se ai fillimisht mësoi për këtë fakt nga një intervistë e Bozhidar Jezernikut, profesor i etnologjisë së Ballkanit dhe antropologjisë kulturore në Universitetin e Lubjanës.

Pas kësaj, nëpërmjet Millan Komcas, mikut dhe profesorit nga Universiteti i Lubjanës, ai arriti të siguronte nga fondet e bibliotekës numrin 84 të revistës “Slovenija”, të vitit 1849, në të cilin u botua teksti i Bukovshekut: “A kemi të ardhme ne sllavët?”

“Dhe ashtu doli: ‘Jugoslavija’ në atë tekst të shkurtër përmendet gjashtë herë. Bukovsheku mbron idetë e nacional-romantizmit dhe mbron mjaft qartë idenë e krijimit të një bashkësie të popujve sllavë në Ballkan, sepse ata janë nën presionin e faktorit gjermanik nga veriu dhe faktorit osman nga jugu. Për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm ai u kërkon sllavëve dhe të tjerëve që të heqin dorë nga ‘çdo egoizëm, çdo arbitraritet, çdo ekskluzivitet’. Nëse një integrim i tillë nuk ndodh, kombet e dobëta do të ‘gjëllijnë dhe ’zhduken’, beson autori i tekstit, i cili nuk ka shkruar nga pikëpamja e ‘madhështisë’ dhe ‘heroizmit’ të historisë sllave, por me idenë që kombet e vogla të gjejnë mundësinë e mbijetesës në përafrim të barabartë”, ka shpjeguar Jovanoviq.

Sipas tij, duhet theksuar se Bukovshek, Jugosllavinë e përmend dy vjet para se këtë ta bënte Njegoshi në “Krali i rremë Shqepani i Vogël”. E bën këtë edhe ca dekada para Lëvizjes ilire dhe veprimtarisë së Josip Juraj Strossmayerit e Franjo Raçkit.

Edhe Beshlin: Nikeziq dhe Peroviq, të parët që ngritën idenë që Kosova të bëhej republikë në Jugosllavi Arbëri 2 j. më parë Beshlin: Nikeziq dhe Peroviq, të parët që ngritën idenë që Kosova të bëhej republikë në Jugosllavi

“Ai e shkruan tekstin në vitin e dytë të krizës së madhe revolucionare evropiane (1848-1849), kur shpërthyen trazira revolucionare në Evropë midis qytetarisë së sapoformuar kundër autoriteteve absolutiste. Kriza solli me vete rreziqe dhe pasiguri të mëdha dhe nevoja që kombet e vogla të radhiten me njëri-tjetrin është gjithnjë e më e qartë. Si shembull inkurajues ai thekson se ‘shtypi njoftoi me entuziazëm se rutenët janë në prag të bashkimit terminologjik me çekët’, duke bërë thirrje që ky të jetë ‘një shembull i shenjtë për ne sllavët, sepse askush nuk do ta fshehë se ata janë shumë më afër ilirëve sesa rutenët me çekët”, ka thënë Jovanoviq.

Ai thekson se jugosllavizmi ishte shprehje e procesit të fuqishëm historik, i cili zgjati për disa dekada, dhe i bazuar në besimin e fortë se është një bazë e mirë për zhvillim kulturor, ekonomik dhe politik të të gjithë popujve dhe bashkësive sllavojugore.

“Jugosllavizmi është ideja më domethënëse integruese e shekullit XIX midis sllavëve të jugut dhe më e vjetër sesa shpesh mendohet. Është krijuar, sipas dëshmive të shkruara, afërsisht katër shekuj para se të formohej Jugosllavia si shtet. Si një ide romantike, ajo u shfaq në rajonin tonë gjatë Rilindjes Evropiane. Italianët ringjallën namin e Romës së lashtë, humanistëve gjermanë, zbulimi i “Germanisë’ nga Taciti ua riktheu kujtesën për të parët dhe krenarinë për gjyshërit e tyre, dhe tek ne nocionet ‘Iliria’ e ‘sllavizmi’ dhe për ‘historinë e lavdishme të tyre’”, thotë Jovanoviq.

Ai ka shtuar se që atëherë ka pasur propozime të ndryshme se cila do të mund të ishte baza për konstituimin e identitetit jugosllav dhe se njëri prej tyre ka qenë edhe – miti i Kosovës.

“Ivan Meshtoroviq, skulptor dhe arkitekt jugosllav e kroat, prej vitit 1908 ka realizuar një seri skulpturash që ai i quajti ‘Cikli i Kosovës’. Ai besonte dhe ndante këtë bindje me shumë aktivistë kulturorë dhe politikë nga hapësira e sllavëve të jugut, se ‘Cikli i Kosovës’ duhet pranuar si bazë historike dhe kulturore për ndërtimin e idesë së bashkimit midis popujve sllavë të jugut, përkatësisht për ndërtimin e Jugosllavisë”, ka thënë ai.

Gjokica Jovanoviq ka thënë se Bukovshek në tekst u referohet librave të botuar në Slloveni, në të cilët trajtohet trashëgimia e përbashkët gjuhësore e popujve ballkanikë. Kujdes të veçantë i kushton ruajtjes së letërsisë kombëtare të sllavëve tok me bashkësitë e tjera të sllavëve të jugut. Mbështetje të fortë gjen në idenë e krijimit të një gjuhë unike ilire-letrare.

Edhe Pse u përjetua rënia e Rankoviqit si rilindje e Kosovës? PIKË me Veton Surroin 3 j. më parë Pse u përjetua rënia e Rankoviqit si rilindje e Kosovës?

Marrë nga “Danas”. Përktheu: KOHA