Kulturë

Jazz-saksofonisti i gjurmimit të rrënjëve

Një LP nga Dave Brubec e “Take Five” është në mesin e dhjetëra të tillave që saksofonisti, kompozitori e aranzhuesi hungarez Kristóf Bacsó i dëgjonte si fëmijë. Mban në mend se kur ishte 10-vjeçar shkonte te këndi i shtëpisë ku prindërit kishin një alamet koleksioni dhe jo rrallë përzgjidhte ndonjërën për ta dëgjuar.

“Kishte shumë, veçanërisht jazz”, kujton ai. Sipas tij, pikërisht këto LP ishin lidhja e tij me muzikën pasi që në familjen e tij nuk kishte muzikantë. Që atëherë kishte dashur që të luante në muzikë dhe çdoherë mbresa i linte tingulli i saksofonit, shkruan KOHA.

Ato LP që i kishin prindërit e tij, por edhe të tjera që i grumbulloi më kohë, thotë se ende i dëgjon. Këto kujtime të fëmijërisë Bacsó i ndan me KOHËN një natë pas koncertit që ka mbajtur në Kosovë në kuadër të “Prishtina Jazz Week”.

“Kur i dëgjoj këto LP më shërbejnë edhe si inspirim”, thotë Bacsó, i cili para publikut në kryeqytet luajti së bashku me këngëtaren e njohur Nikoletta Szőke, Zsolt Farkas (piano), Jozsef Barcza Horvath (bas) e Peter Kaszas (bateri). Ata bënë hapjen e edicionit të tretë të “Prishtina Jazz Week” që këtë vit u mbajt prej 2 deri më 6 mars.

“Kur je i ri dëshiron që të luash çdo herë e më mirë, çdo herë e më shpejt, gjëra çdo herë e më shumë të komplikuara. Pas një kohe është sikur një trajektore. Ndonjëherë të pëlqen e ndonjëherë dëshiron që ta lësh, është një rrugë e vështirë në fakt”, tregon ai për rrugëtimin e tij muzikor. Studimet për saksofon i filloi në vitin 1989 dhe pasi që u diplomua në Departamentin e Jazzit në “Franz Liszt Academy of Music” në Budapest, i vazhdoi studimet në “Conservatoire National Supérieur de Musique et de Danse” në Paris dhe në “Berklee College of Music” në Boston në SHBA-së.

“Kam shkuar që të studioj jashtë. Kam kaluar dy vjet në Francë e dy e gjysmë në Amerikë. Gjersa po studioja, atje edhe luaja. Pastaj jam kthyer në Hungari. Që atëherë jetoj në Hungari, mirëpo jam gjithmonë duke udhëtuar, kompozuar e luajtur e po ashtu edhe duke aranzhuar këngë”, thotë Bacsó, i cili me muzikën e tij ka prekur pothuajse çdo stil, nga jazzi, etno dhe funk, dhe nuk u është frikësuar as trendëve më eksperimentalë të jazzit.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.