Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Institucionet e harrojnë përvjetorin e Podrimjes, Gjakova e kujton me poezi

Prishtinë, 21 korrik – Shtatëvjetori i vdekjes së poetit Ali Podrimja ka kaluar krejtësisht në heshtje në Prishtinë. Asnjë aktivitet nuk është mbajtur në kryeqytet, përderisa në qytetin e lindjes, në Gjakovë, poeti është kujtuar nëpërmjet poezive të tij.

Në parkun kulturor që mban emrin e njërit prej poetëve më të njohur shqiptarë, njëherësh akademikut, Ali Podrimja, janë lexuar disa poezi të tij, janë shpalosur kujtime të afërme të poetit e po ashtu është inauguruar edhe biblioteka e parkut. Pos moskujtimit të Podrimjes nga institucionet shtetërore, si Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, as shtatëvjetori i vdekjes nuk e ka gjetur kryeqytetin me bustin e mjeshtrit të vargut poetic.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ideja e vendosjes së penës 8-metërshe në oborrin e bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” po ashtu nuk është realizuar. Të dyja këto iniciativa qenë përmendur qysh shtatë vjet nga skulptori Luan Mulliqi, i cili kishte qenë edhe mik i afërt me Podrimjen. Por sot e asaj dite, institucionet përkatëse - Komuna e Prishtinës e Ministria e Kulturës - nuk i janë përgjigjur kërkesës së Mulliqit për ndihmë në lidhje me jetësimin e këtyre dy ideve.

Madje institucionet në gjithë këto vite i kanë injoruar plotësisht përvjetorët e vdekjes së poetit, dhe kjo ditë kishte kaluar pa asnjë aktivitet qysh prej njëvjetorit të vdekjes. Në korrik të vitit 2013, ASHAK-u kishte përuruar ribotimin e veprave të Podrimjes. Të shtypura në nëntë vëllime, ato përmbledhin gjithë krijimtarinë e tij. Në vitin 2014, kur u shënua dyvjetori i vdekjes së poetit Podrimja, në Gjakovë, në sheshin që mban emrin e tij, qe përuruar busti i tij i realizuar nga Luan Mulliqin.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")