Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ekspozohet veprimtaria e poetit Ali Podrimja në Tiranë

Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe “Vitit të Ali Podrimjes” që është shpallur të hënën në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, është hapur ekspozita në nderim të poetit e akademikut. Ekspozita sjell kontributin shumëdimensional prej poeti, përkthyesi e redaktori të krijuesit të ndjerë. Ajo vjen jo vetëm për të nderuar e kujtuar veprimtarinë letrare të poetit Podrimja, por edhe për të sjellë në qendër të vëmendjes poezinë si botë magjike të fjalës.

Krijimtaria shumëvjeçare e Podrimjes është shfaqur në tavolina ekspozuese, e cila është kuruar nga Etleva Domi, e cila është edhe zëvendësdrejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

“Në vitin e 80-vjetorit të lindjes së tij, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, nëpërmjet një ekspozite modeste, sjell sot, në vëmendje të publikut, për herë të parë, të gjithë krijimtarinë e jashtëzakonshme të Podrimjes, prej botimeve të para e deri në botimet më të fundit të veprave të tij”, ka thënë ajo në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, e cila është hapur nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Është thënë se ekspozita paraqet rrugëtimin e krijimtarisë letrare të tij, që nis në vitin 1961 me botimin “Thirrje”, për të vijuar më pas me botime të shumta. Podrimja paraqitet në role të ndryshme, herë si autor poezish, esesh, prozash, herë si përgatitës veprash të ndryshme, si dhe jo pak herë edhe si redaktor. Një vend të veçantë në të zë edhe vepra e tij, përkthyer në disa gjuhë të huaja, si pasqyrë se libri vazhdon të mbetet mjeti më i fuqishëm në epokën digjitale.

Hapjen e kësaj ekspozite e përshëndetën edhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, si dhe studiuesi Behar Gjoka, të cilët Podrimjen e vlerësuan si një nga poetët më të dashur dhe më të veçantë të letërsisë shqipe.

Autori i njohur për veprat “Lum Lumi”, “Torzo”, “Kredo”, “Sampo”, “Folja” e për shumë të tjera u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Ai është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe nga kritika cilësohet si njëri ndër më të mëdhenjtë e letërsisë së sotme shqiptare dhe si një poet që me mjeshtërinë e tij ia ka dalë t’i kapërcejë kufijtë e vendit të tij e të bëhet edhe poet ndërkombëtar.

Edhe Homazhe me vargje për poetin që “ka ditur të jetojë, por edhe të vdesë” Kulturë 4 v. më parë Homazhe me vargje për poetin që “ka ditur të jetojë, por edhe të vdesë”

Ndër veprat e tjera të njohura janë edhe: “Thirrje”- 1961, “Dhimbë e bukur”- 1967, “Drejtpeshimi”- 1981, “Lum Lumi”- 1982, ”Fundi i gëzuar” - 1988, “Zari” - 1990, “Në bisht të sorrës”- 1994, “Buzëqeshje në kafaz”- 1995, “Ishulli Albania” e “Pikë e zezë në blu”- 2005.

Podrimja ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i PEN Qendrës. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 u zgjodh anëtar i rregullt. Ishte edhe anëtar i Qendrës Evropiane të Artit të Greqisë. Në vitin 1999, në Shtutgart të Gjermanisë, u nderua me shpërblimin e mirënjohur letrar “Nikolas Linau”. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë.

Poeti Ali Podrimja, më 21 korrik të vitit 2012, u gjet pa shenja jete në qytetin Lodève të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë. Ai u varros me nderime të larta shtetërore më 26 korrik të vitit 2012. Më 2013, në Lodève, në vendin ku ishte gjetur i vdekur, qe vendosur një pllakë përkujtimore në nderim të tij.