Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Homazhe me vargje për poetin që “ka ditur të jetojë, por edhe të vdesë”

Ka qenë një mbrëmje krejt e thjeshtë, por kuptimplote në kujtim të mjeshtrit të fjalës, poetit të madh, Ali Podrimja. Miqtë e tij e kanë kujtuar nëpërmjet poezive që ia kanë dedikuar. Poetja Ilire Zajmi ka risjellë takimin e fundit me të. “Në fund ai u gjet i vdekur me një gur nën kokë, pranë një lumi. Mund të them se Podrimja ka ditur të jetojë, por ka ditur edhe të vdesë”, ka thënë ajo

Me lule të freskëta është mbushur holli i bibliotekës kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Por, përveç luleve, në qosh janë vendosur qirinj të vegjël që i bënin dritë portretit të Ali Podrimjes, të vendosur si poster në murin përballë. Në Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtave të Autorit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të premten mbrëma, ka organizuar homazhe në 10-vjetorin e vdekjes dhe 80-vjetorin e lindjes së Ali Podrimjes.

Nën tingujt e violinës Alkesta Gllogjani, aktori Bislim Muçaj hapi organizimin me vargjet e poezisë “Ankthi” dhe ato të poezisë “Epika”. Pas recitimit plot ndjenja nga aktori Muçaj, poetja Ilire Zajmi, e cila kishte qenë me Podrimjen në orët e tij të fundit, në udhëtimin e përbashkët në Francë. Ali Podrimja u gjet i vdekur të shtunën e 21 korrikut të vitit 2012, në një pyll rreth 4 kilometra larg qendrës së qytetit të qetë e të vogël në jug të Francës, Lodève. Aty po merrte pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”, ku po përfaqësonte poezinë shqipe. Poezia shqipe përfaqësohej në atë ngjarje edhe nga Zajmi, e cila ka rikthyer te publiku momentet e fundit të poetit. Kujtoj me mall fjalët e fundit të Podrimjes, të cilat lidheshin me poezinë, jetën e posaçërisht me Lumin.

“Kjo ishte një përvojë e tmerrshme për mua që kam qenë bashkudhëtarja e tij e fundit, që kam ndarë me të edhe bisedat për Lumin, edhe ato për poezinë e tij të fundit ‘Fustani i verdhë’, kujtimet e të tjera. Aliu gjatë gjithë kohës thoshte se po shkonte te Lumi, sepse Lumi tani do të diplomojë, Lumi është këtu. Në fund ai u gjet i vdekur me një gur nën kokë, pranë një lumi. Mund të them se Podrimja ka ditur të jetojë, por ka ditur edhe të vdesë”, ka kujtuar Zajmi.

Në homazhe nuk munguan edhe poetët e njohur, Adem Gashi, Vlora Ademi dhe Imer Topanica. Ilire Zajmi ka lexuar poezinë “Është herët për të vdekur” kushtuar Podrimjes dhe menjëherë pas saj Adem Gashi poezinë “Po m’rri përballë Ali Podrimja”. Në vazhdën e recitimeve, Vlora Ademi ka sjellë poezinë “Është herët për të vdekur”, ndërsa Imer Topanica atë “Këshilla”.

Image

I pranishëm në këtë organizim kushtuar Ali Podrimjes ka qenë edhe këshilltari i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Liburn Jupolli. Në emër të ministrit ka falënderuar të gjithë të pranishmit dhe theksoi rolin e rëndësishëm të Podrimjes në letërsinë shqipe.

Njëherësh këshilltari Jupolli ka ripërsëritur nismën për hapjen e institutit kulturor që do të merret me mbrojtjen dhe trajtimin adekuat të akterëve kryesorë të kulturës.

Edhe Ekspozohet veprimtaria e poetit Ali Podrimja në Tiranë Kulturë Ekspozohet veprimtaria e poetit Ali Podrimja në Tiranë

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndërmarrë hapat e parë për themelimin e institutit kulturor, strukturë kjo që do ta adresojë hulumtimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e veprimtarisë së të gjithë akterëve të kulturës në vend, duke përfshirë edhe trajtimin adekuat dhe profesional të veprimtarisë dhe trashëgimisë së Ali Podrimjes”, ka thënë Jupolli.

Ngjarja kulturore u përmbyll me hapjen e ekspozitës dhe promovimin e katalogut, “Ali Podrimja në 80-vjetorin e lindjes”.

Ali Podrimja cilësohet si zëri më i veçantë i poezisë shqipe, mjeshtri i vargut, e zëri që artikuloi dhembjen e shpresat e Kosovës. Lamtumira e fundit iu dha në 26 korrikun e 2012-s, në Prishtinë, me nderime të larta shtetërore. Në Lodèv, më 2013, në vendin ku ishte gjetur i vdekur, qe vendosur një pllakë përkujtimore në nderim të tij. Ajo ishte vendosur pranë lumit ku ai kishte lexuar poezitë e tij, derisa po merrte pjesë në “Zërat e Mesdheut”. Ali Podrimja u lind më 28 gusht të vitit 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës. Më 1976 kaloi në edicionin e botimeve “Rilindja”, ku udhëhoqi bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i PEN Qendrës. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 u zgjodh anëtar i rregullt. Me shkrime filloi të merrej qysh si gjimnazist. Poezinë e parë “Arabja” e botoi në revistën “Jeta e re” nr. 4, më 1957. Po kjo revistë në vitin 1961 botoi dhe librin e tij të parë “Thirrje”. Në përkthim të poetit Esat Mekuli u botua edhe në gjuhën serbokroate, me ca plotësime (1968). Përmbledhja “Thirrje” në vitin 1971 u bë kartuç në Tiranë, shkaku i disa poezive “hermetike”. Ekzemplari i shpëtuar nga një poet tiranas udhëtoi deri te autori hiç më pak se 20 vjet pas kësaj. Ali Podrimja ishte ndër krijuesit e brezit të njohur të letrave shqipe, i cili, më 1971, botoi në “Rilindje” tekstin me titull “Vox Clamantis in Deserto” (Zëri i të dëshpëruarit në shkretëtirë). Ky tekst kritik e programatik, i nënshkruar nga krijues të tjerë, miq të Podrimjes, si Anton Pashku, Rexhep Ismajli, Gani Bobi, Mensur Raifi.... jo vetëm që pati bërë bujë të madhe, por qe shndërruar në një lloj manifesti edhe për brezat e mëvonshëm krijues, sidomos në Kosovë, sepse ishte i pari tekst që hapur i shpallte luftë realizmit socialist në letërsi dhe në artet e tjera. Pos poezive, Podrimja ka shkruar edhe ese e tregime. Ka bashkëpunuar me të gjitha revistat e fletushkat në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë vendit. Është fitues i shpërblimeve të ndryshme letrare. Në vitin 1999, në Shtutgart të Gjermanisë, u nderua me shpërblimin e mirënjohur letrar “Nikolas Linau”. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë.