Krijimtaria e tij pushtetarëve u hyn në punë kur duan ta paraqesin veten me alamet nami. Vargjet e Ali Podrimjes janë pjesë e manifestimeve të ndryshme. “Unë, biri yt, Kosovë” është interpretuar edhe në inaugurimin e Hashim Thaçit si president i Kosovës në prill të vitit 2016. Por institucionet dhe udhëheqësit e tyre heshtin në secilin përvjetor të vdekjes së poetit.
Njësoj ka ndodhur edhe të martën, në tetëvjetorin e vdekjes së Podrimjes. Asnjë aktivitet nuk është organizuar për të kujtuar krijuesin e njëherësh akademikun që u gjet i vdekur të shtunën e 21 korrikut të vitit 2012, në një pyll rreth 4 kilometra larg qendrës së qytetit të qetë e të vogël në jug të Francës, Lodève. Ministria e Kulturës është vetëmjaftuar me një komunikatë për media të lëshuar në mbrëmjen e së martës. E për dallim prej vitit të kaluar as në parkun kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë nuk është organizuar gjë.
As tetëvjetori i vdekjes nuk e ka gjetur kryeqytetin me bustin e mjeshtrit të vargut poetik. E ideja e vendosjes së penës tetë metra të lartë në oborrin e bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” po ashtu nuk është realizuar.