Rikthimi i individit në një premisë metodologjike i ka ndihmuar teorisë së sociologjisë që çështjet si intimiteti dhe relacionet në çift t’i analizojë përtej konceptimit tradicionalist të martesës dhe familjes. Hans Peter Blossfeld argumenton se “një fenomen social është më i kuptueshëm në qoftë se konsiderohet si rezultat i qëndrimeve, zgjedhjes dhe sjelljes së një personi”, shkruan Sibel Halimi në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore.
Qasjet e fundit sociologjike janë përpjekur t’i lidhin ndryshimet strukturore me veprimet individuale. Sipas Ulrich Beck, ndryshimet në strukturën e familjes janë nisur nga procesi i individualizimit, andaj, sipas tij, “individualizimi apo institucionalizimi i individualizimit” përfaqëson “ndryshimin strukturor të institucioneve sociale, marrëdhëniet, si dhe ndryshimin midis një individi dhe shoqërisë”. Në mënyrë që të integrohen diferencimet e shoqërisë moderne, lidhjet e vjetra tradicionale familjare braktisen. Kësisoj struktura e lidhjeve familjare ndikohet nga individualizimi, ndaj për këtë shkak janë shfaqur shumë role dhe marrëdhënie të reja.
“Si rezultat i procesit të individualizimit, individët kanë shumë opsione në dispozicion, në mënyrë që të bëjnë zgjedhjet e tyre. Madje, sipas Beckut, nga ana tjetër rëndësia e ndjekjes së vlerave, rregullat, besimet e rrjeteve të institucionalizuara / sistemet e kontrollit kanë rënë”.
Rritja e lirisë sociale dhe kontradiktat
Megjithatë, rritja e lirisë sociale, respektivisht e sjelljes, ka të ngjarë të shkaktojë kundërthënie dhe kontradikta. Përderisa fushëveprimi personal për veprimet dhe mundësitë janë rritur, ka shënuar rënie ndjenja e sigurisë sociale dhe e normave.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).