Kulturë

“IndieWire”: “Zgjoi” – rrëfim i fuqishëm për gruan në mëshirë të fatit

“Inspiruar nga një histori e vërtetë, ‘Zgjoi’ është një rrëfim i fuqishëm për një grua në mëshirë të fatit, por që ia del mbanë pas zhdukjes së burrit”, është përshkrimi që ia bën filmit “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, portali i njohur “IndieWire”, i cili ka shpërndarë edhe trailerin e filmit, që është në konkurrencën zyrtare në festivalin prestigjioz “Sundance Film Festival”. Portreti feminist, siç e konsideron filmin “IndieWire”, jepet premierë botërore në ditën e fundit të këtij muaji

Pamjet e para të filmit “Zgjoi” theksojnë origjinalitetin kinematografik të regjisores Blerta Basholli. Nëpërmjet lojës së natyrshme të Yllka Gashit, filmi, që është në garën kryesore në festivalin prestigjioz “Sundance Film Festival”, shfaq sfidat e një gruaje kosovare në mëshirë të fatit.

Aktorja Yllka Gashi e portretizon Fahrije Hotin. Nuk shfaq asnjë emocion gjersa ngjitet në një kamion për të kontrolluar thasët e bardhë me mbetje mortore të të pagjeturve nga lufta. Bashkimi, bashkëshorti të cilin Fahrije Hoti e pa për herë të fundit më 25 mars të vitit 1999, nuk është në mesin e tyre. Imazhet në vazhdim ofrojnë pamje nga protestat e familjarëve që janë në kërkim të të afërmve të tyre. E pjesa tjetër luftën e Fahrije Hotiti për pavarësi.

“Jam t’u dashtë më e nis një punë me krejt gratë e Krushës”, i thotë ajo vjehrrit të saj, Haxhiut, të cilin në “Zgjoi” e portretizon Çun Lajçi. “Qysh don me e këqyr në sy djalin tem kur të kthehet”, i thotë ai. “Nëse kthehet”, ia kthen Gashi.

Traileri e bën të qartë se ajo nuk e ka ndërmend të rrijë duarkryq duke pritur. I përvishet punës që t’u siguronte ushqim fëmijëve të saj. Shikon përpara, por gjërat përreth saj nuk janë të lehta.

“Njëqind herë të kam thanë, çkado që bën ti e rrok krejt familjen”, ia kujton vjehrri i saj në trailerin njëminutësh, që zbulon imazhet e para. Shoqërimi i imazheve me këngën “Kur do të pushojë kjo këngë” nga grupi “Jericho” i bën ato me të fuqishme, veçanërisht për publikun shqiptar që arrin ta deshifrojë tekstin.

“Zgjoi” është në konkurrencën zyrtare në “Sundance Film Festival”, festival i kategorisë A, i cili nisi në gusht të vitit 1978. Këtë vit do të zgjasë vetëm shtatë ditë dhe pjesa më e madhe e publikut do ta përcjellë atë larg nga epiqendra e tij, Park City në Utah të SHBA-së. Festivali do të mbahet kryesisht në formatin online, me disa kinema për vetura në rajonin e Los Angeles-it, që nënkupton se nuk do ta ketë atë shkëlqimin nëpër rrugët kryesore nga audienca e etur për të zbuluar filma të rinj. Edicioni i sivjetmë do të mbahet nga 28 janari deri më 3 shkurt.

Portali i njohur “IndieWire” e vlerëson “Zgjoin” si një portret feminist. Aty u publikua për herë të parë traileri. Mediumi me nam, i themeluar në vitin 1996, që ka në fokus kinematografinë, ka shkruar se filmi është një rrëfim i fuqishëm për gruan që lufton patriarkatin në Kosovë.

“Inspiruar nga një histori e vërtetë, ‘Zgjoi’ është një rrëfim i fuqishëm për një grua në mëshirë të fatit, por që ia del mbanë, pas zhdukjes së burrit”, është përshkrimi që ia bën filmit mediumi me bazë në Angli. Teksti përfshin edhe përshkrimin që i bëhet në ueb-faqen e Festivalit. Aty tregohet sesi në një vend të vogël të Kosovës, Krusha e Madhe, familjaret presin në ankth lajme për burrat, prindërit dhe fëmijët që janë zhdukur gjatë luftës. Në mesin e tyre, Fahrije Hoti pret lajme për bashkëshortin e saj.

“Kur puna me bletët nuk i ecën, Fahrija merr patentë shoferin dhe nis të shesë ajvar të bërë në shtëpi nëpër dyqane të ndryshme. Me zgjuarsi dhe ambicie sfidon bisedat e njerëzve përreth, që janë të palëkundur nga traditat dhe prirjet patriarkale. Ajo shpërfill fyerjet, thashethemet, madje edhe sulmet fizike me qëllim që të fuqizojë gratë drejt rrugës për të qenë të pavarura”, është përshkrimin që ia bën “Sundace Film Festival”.

Përveç aktores Yllka Gashi dhe aktorit Çun Lajçi, në film luajnë edhe Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami. Drejtor i fotografisë është Alexander Bloom, montazhi i filmit është bërë nga Enis Saraçi dhe Félix Sandri, ndërsa producentë janë Valon Bajgora, Agon Uka dhe Yll Uka.

Vitin e kaluar në “Sundance” pati premierën “Exil” i regjisorit Visar Morina. Filmi ishte edhe në garë në kategorinë “World Cinema Dramatic Competition”. Edicioni i sivjetmë shënon debutimin e regjisores Basholli. Qendra Kinematografike e Kosovës e mbështeti filmin “Zgjoi” në konkursin e vitit 2015 për zhvillim skenari, e një vit më vonë në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë.