Kulturë

“Zgjoi”, rrëfimi inspirues nga Kosova shfaqet para publikut të festivalit prestigjioz

Prishtinë, 31 janar – “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, është një rrëfim që thyen heshtjen, që vë në pah paragjykimet, vështirësitë e një gruaje nga Krusha e Madhe. Tashmë ky rrëfim, që ka në qendër Fahrije Hotin, është ndarë edhe me botën. Mbrëmjen e së dielës, në formatin online u dha premiera botërore e filmit. “Zgjoi” u shfaq në kuadër të “Sundance Film Festival”, festival i kategorisë A. Edicioni i sivjetmë i Festivalit nisi më 28 janar dhe pritet të përfundojë më 3 shkurt.

“Zgjoi”, për të cilin Basholli ka shkruar edhe skenarin, është në mesin e më shumë se 70 filmave të metrazhit të gjatë, që po shfaqen në kuadër të Festivalit. “Zgjoi” thekson origjinalitetin kinematografik të regjisores Blerta Basholli. Nëpërmjet lojës së natyrshme të Yllka Gashit, filmi, që është në garën kryesore në festivalin prestigjioz “Sundance Film Festival”, shfaq sfidat e një gruaje kosovare në mëshirë të fatit.

Aktorja Yllka Gashi e portretizon Fahrije Hotin. Filmi përcjell një kronologji të jetës së saj. Kërkimin e vazhdueshëm për të gjetur burrin e saj, Bashkimin, të cilin e pa për herë të fundit më 25 mars të vitit 1999. Protestat e saj dhe të familjarëve të tjerë që janë në kërkim të të afërmve të tyre, si dhe boshtin e filmit, luftën e saj për pavarësi. Nisjen e një biznesi të vogël me gratë e Krushës. Paragjykimet dhe fjalët e rrethit, janë një anë tjetër e monedhës.

Filmi tregon sesi një grua nuk e ka ndërmend të rrijë duarkryq duke pritur. I përvishet punës që t’u sigurojë ushqim fëmijëve të saj. Shikon përpara, ani pse gjërat përreth saj nuk janë të lehta. Një revolucion për të dhe një hap drejt pavarësisë është marrja e patentë shoferit.

Për dhënien e premierës botërore të dielën vonë ka njoftuar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës. “‘Zgjoi’ filmi debutues i Blerta Bashollit, shfaqi premierë tejet të rëndësishme në edicionin e sivjetshëm virtual të Sundance, festivali më i madh i filmit të pavarur në SHBA. Filmi kosovar u shfaq në kuadër të konkurrencës kryesore të festivalit – ‘World Cinema Dramatic Competition’”, shkruhet në komunikatën e QKK-së.

“Sundance Film Festival”, i cili nisi në gusht të vitit 1978, këtë vit do të zgjasë vetëm shtatë ditë dhe pjesa më e madhe e publikut do ta përcjellë atë larg nga epiqendra e tij, Park City në Utah të SHBA-së. Festivali po mban të hapur vetëm disa kinema për vetura dhe pjesën më të madhe të programit është duke e shfaqur online.

Përveç aktores Yllka Gashi dhe aktorit Çun Lajçi, në film luajnë edhe Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami. Drejtor i fotografisë është Alexander Bloom, montazhi i filmit është bërë nga Enis Saraçi dhe Félix Sandri, ndërsa producentë janë Yll Uka, Agon Uka dhe Valon Bajgora.

Për dallim nga publiku amerikan, ai kosovar ende nuk e ka parë filmin. Imazhet e para të këtij projekti filmik i ka parë në trailerin gati 2-minutësh të publikuar fillimisht në portalin e njohur “IndieWire”. I njëjti e ka vlerësuar “Zgjoin” si një portret feminist. Mediumi me nam, i themeluar në vitin 1996, që ka në fokus kinematografinë, ka shkruar se filmi është një rrëfim i fuqishëm për gruan që lufton patriarkatin në Kosovë. Bashkëproducenti Yll Uka ka thënë se së shpejti do të mundohen që ta sjellin filmin edhe në Kosovë. Pritet që kjo të bëhet e mundur gjatë muajit tetor.

Ka shtuar se tani janë të fokusuar në “Sundance Film Festivale” dhe në festivale të tjera.

“Jemi duke punuar shumë dhe jemi duke pasur kërkesa të shumta prej festivale dhe shumë shpejt do të sjellim edhe premierën evropiane dhe rajonale. Po ashtu, jemi duke punuar shumë në kuadër të distribuimit. Sigurisht, po shohim mos po mund të shpërblehemi në kuadër të ‘Sundance Film Festival’”, ka thënë ai.

E Fahrije Hoti ka thënë për KOHËN se i është gëzuar shumë faktit se filmi ka nisur që të shihet nga njerëzit. Sipas saj, kushdo që e sheh “Zgjoin” do t’i kuptojë vuajtjet e saj dhe vështirësitë që i ka kaluar.

“Është një film që shumë mirë përmbledh 22 vjet të jetës sime. Por, gjithashtu, filmi përçon imazhin e grave të Kosovës që kanë mbetur të veja dhe fuqinë e tyre për të ecur përpara. Pa shikuar prapa, anash, por vetëm përpara”, ka thënë Hoti.

Vitin e kaluar në “Sundance” pati premierën “Exil” i regjisorit Visar Morina. Filmi ishte edhe në garë në kategorinë “World Cinema Dramatic Competition”. Edicioni i sivjetmë shënon debutimin e regjisores Basholli. Qendra Kinematografike e Kosovës e mbështeti filmin “Zgjoi” në konkursin e vitit 2015 për zhvillim skenari, e një vit më vonë në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë.