Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ikonat nga Ukraina gjejnë shpëtimin në Muzeun e Louvreit

Gjashtëmbëdhjetë ikona bizantine ishin evakuuar nga një muze në Ukrainë, i cili gjendej nën flakë. Ato janë disa nga veprat më të vlefshme në historinë e artit. Pesë prej tyre tani janë ekspozuar në Muzeun e Louvreit në Paris

Një ekspozitë në Louvrein parisien, e quajtur “Origjina e pikturave të shenjta”, ekspozon pesë nga gjashtëmbëdhjetë veprat të cilat janë evakuuar nga Ukraina: katër ikona të shekujve VI dhe VII – të realizuara me pirografi që i takojnë Manastirit të Shën Katarinës në Gadishullin Sinai në Egjipt – dhe një ikonë në mikro-mozaik nga fundi i shekullit XIII ose fillimi i shekullit XIV, nga Kostandinopoja, më një kornizë luksoze prej ari.

Ikonat janë portrete të personave të shenjtë të besimit ortodoks. Kryesisht janë gjetur në kisha e Evropës Lindore. Shembujt më të hershëm datojnë nga shekujt VI-VII, siç janë ato që ekspozohen në Muzeun e Louvreit. Ato konsiderohen si monumente tepër të rëndësishme në historinë e artit.

“Që nga fillimi i luftës, sikurse muzetë e tjerë, ne jemi interesuar lidhur me atë se si mund t’i ndihmojmë kolegët tanë ukrainas. Në vjeshtë, të përballur me rritjen e intensitetit të konfliktit, ne vendosëm t’i shpëtonim këto vepra”, ka thënë drejtoresha e Louvreit, Laurence des Cars, për agjencinë AFP. “Nuk është shumë në detin e pikëllimit dhe të shkatërrimit, por është simbolike”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se Muzeut i Louvreit ishte veçmas i shqetësuar nga rreziku i vjedhjes dhe trafikimit të paligjshëm që mund të kishte prekur veprat e artit dhe reliktet nëse do të kishin qëndruar në Ukrainë.

Ikonat e shpëtuara analizohen në laboratorë

Edhe Izraeli me masa të larta për mbrojtjen e muzeve në kohë sulmesh Kulturë Izraeli me masa të larta për mbrojtjen e muzeve në kohë sulmesh

Njëmbëdhjetë veprat e tjera, “më emblematiket dhe më të brishtat”, të koleksionit ukrainas, do të zënë vend në fondusin e Louvreit, “derisa situata të përmirësohet”, ka njoftuar institucioni prestigjioz muzeor i Parisit.

Ikonat, që përfaqësojnë themelet e qytetërimit bizantin dhe marrëdhëniet e tij novatore me pikturat, fshehin mistere të shumta që ende nuk janë zbuluar. Kjo është arsyeja për të cilën Louvrei ka krijuar një komitet ndërkombëtar, i përbërë nga shkencëtarë ukrainas dhe specialistë të njohur të fushës, për të kryer analiza dhe studime të thella, duke hedhur dritë mbi rëndësinë e këtyre veprave.

Ikonat e çmuara janë sjellë në Francë nga Polonia dhe Gjermania më 10 maj, nën shoqërimin ushtarak dhe me ndihmën e Aleancës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Trashëgimisë në Zonat e Konfliktit (ALIPH).

Bombat në afërsi të muzeut

Në fillim të muajit një raketë ra afër muzeut “Khanenko” në Kiev duke i thyer dritaret. Që nga fillimi i pushtimit rus, koleksioni i tij është bartur në një vend të sigurt dhe ndërtesa është e zbrazët. Në tetor të vitit 2022, ndërtesat historike dhe dekorimet e enterierit janë dëmtuar nga një sulm me raketa. Veprat e mbetura të artit tani janë në rrezik nga ndryshimet e temperaturës të shkaktuara nga ndërprerjet e energjisë.

Muzeu “Bohdan dhe Varvara Khanenko” përfshin rreth 25 mijë vepra të artit antik, bizantin, evropian dhe aziatik. Koleksioni i tij i detyrohet vizionit dhe pasionit të Bohdan dhe Varvara Khanenko, sipërmarrës artdashës dhe filantropistë ukrainas të shekullit XIX.

Çifti e pasuroi koleksionin e vet duke udhëtuar nëpër botë gjatë katër dekadave. Ata bënë blerjet e tyre të para gjatë muajit të mjaltit në Itali në vitin 1874. Që në fillim dëshira e tyre ishte të mblidhnin një koleksion eklektik për vete, të nxitur nga qëllimi përfundimtar për ta bërë atë të qasshëm për sa më shumë njerëz.

Edhe Veprat artistike të shpëtuara në Odessa ekspozohen në Berlin Kulturë Veprat artistike të shpëtuara në Odessa ekspozohen në Berlin

Pas u ka mbijetuar Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, muzeu “Khanenko” tani po përjeton luftën e tretë në historinë e tij.

Marrë nga DW. Përktheu: Mirjetë Sadiku