Shtojca për Kulturë

Lufta në muze me objekte të ushtarëve rusë

Artefaktet e lëna pas nga ushtarët rusë janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar të Ukrainës (Foto: Ed Ram)

Muzeu Kombëtar i Historisë së Ukrainës i zëvendëson ekspozitat e historisë së lashtë me ato të tmerreve të luftës, nëpërmjet objekteve të marra nga zonat e pushtuara më parë

Më 24 shkurt të vitit 2022, dita kur Rusia nisi invazionin e plotë të Ukrainës, Oleksandr Lukianov shkoi në punë – por nuk i ngjante aspak një dite normale në zyre.

Ai dhe një grup i vogël kolegësh në Muzeun Kombëtar të Historisë në Kiev, ku ai është hulumtues i lartë, filloi me nxitim të çmontonte ekspozitat, duke i dërguar disa objekte në vende më të sigurta në perëndim të vendit dhe disa duke i ruajtur në përdhese. Grupi me kuratorë përfundoi duke jetuar në ndërtesë për dy muaj rresht.

Një ditë ai doli të shikonte jashtë përmes dritares së madhe të Muzeut, prej ku shihet nga lart lugina e Dnjeprit dhe pa shpërthime dritash në qiell: një helikopter rus duke u goditur. “Teksa ditët kalonin, unë mund të dëgjoja të shtënat dhe goditjet në Irpin dhe Bucha”, ka thënë ai, duke iu referuar qyteteve të afërta që forcat ruse kishin okupuar në javët e para të shpërthimit të luftës.

Përfundimisht vitrinat – dikur të mbushura me 20 mijë objekte nga koleksioni prej 800 mijë eksponatesh të Muzeut – ishin bosh. Iku ari i punuar imët nga njerëzit e lashtë, nomadë të stepave, kalorësit e mëdhenj, skithët. Ikën edhe monedhat, manuskriptet dhe hartat; iku edhe qeramika e kolonive të lashta greke në Detin e Zi.

Image
Ekspozita sjell objekte të gjetura pas betejave në Irpin dhe Bucha

Gërmimi në front

“Mendova se kurrë nuk do të ndryshonte”, ka thënë ai, duke kujtuar qetësinë e pandryshueshme të dhomave të Muzeut ku ai kishte punuar për shtatë vjet. “Por, ja ku jemi”. Ai nisi ta mbushte përsëri Muzeun.

Në javën e parë të prillit, nën rrezet e diellit të një dite të ngrohtë pranvere, Lukanikov dhe një grup i vogël kolegësh u nisën për në Irpin, prej nga rusët janë tërhequr përpara më shumë se një jave. Misioni i tyre: të mbledhin artefakte të reja për Muzeun. “E para ishte ushtria, pastaj ishin ekspertët ligjorë, pastaj ishim ne”, ka thënë ai.

Image
Ekspozita e re përkujton mbrojtësit e uzinës Azovstal në Mariupol

Gjëja e parë që ata panë ishte një makinë lufte e djegur e ushtrisë ruse prej nga ata morën helmetat dhe syzet e dëmtuara.

“Në këtë pikë ne ishim fort të gëzuar. Ne morëm gjithçka që mundëm. Por më pas ne pamë një tjetër e një tjetër – kështu që nisëm të jemi më selektivë”, ka thënë ai.

Dhuna ishte tmerrësisht e freskët. “Pamë dhe dëgjuam erën e trupave të kalbur dhe pamë mjete të paeksploduara”, ka thënë ai. “Por kurioziteti ynë e mundi atë e po kështu edhe dëshira për ta gjurmuar historinë. Gjëja më e vështirë ishte të shihje makinat e civilëve të goditura dhe të kuptoje se në to kishte njerëz, përfshirë edhe fëmijë, që kishin vdekur në to.

Objektet që Lukianov dhe kolegët e tij mblodhën atë ditë – përfshirë sinjalistikën gjysmë të shkatërruar të një farmacie, çizmet e një ushtari rusë, një dozimetër të viteve 1970 për matjen e niveleve të rrezatimit teksa autokolonat pushtuese kalonin nëpër Çernobil dhe paketat me racione ruse – tani përbëjnë bazën e një ekspozite, e cila ka zënë vend në katin e parë të Muzeut.

Image
“Është e lehtë të mendosh se historia u ka ndodhur njerëzve të tjerë”. Ekspozita synon të tregojë realitetin e luftës

“Kurrë mos e përmendni fjalën luftë”

Si shtesë e objekteve të sjella nga kuratorët janë edhe një numër artefaktesh të dhuruara nga ushtarët dhe popullata lokale. Midis tyre gjenden një palë udhëzime, me sa duket u janë dhënë ushtarëve okupues, se si të ndërveprojnë me vendasit.

“Nëse ju pyesin nëse jeni rus apo ukrainas, i thoni: ‘Ne jemi të dyja palët rus dhe ukrainas dhe më e rëndësishmja ne jemi të gjithë të krishterë ortodoksë’”, thuhet në dokument. “Nëse ata fillojnë të debatojnë, flisni për paradën e gayve dhe prishjen e ortodoksisë… Kurrë mos e përmendi fjalën ‘luftë’ – nëse ata pyesin për luftën, flisni për policinë dhe administratën lokale”.

Pak më vonë, më 23 prill, Lukianov u nis për një tjetër mision për mbledhjen e artefakteve – kësaj here te një fabrikë dritaresh afër qytetit Dymer, në veri të Kievit, e cila ishte përdorur si shtab nga forcat pushtuese. Ai ka thënë se gjëja e parë që nuhati ishte “një erë e fortë fekalesh – ju nuk mund ta parafytyroni se si kishin jetuar ata”.

Gjësendet nga fabrika, përfshirë edhe një kopje e hedhur e gazetës ruse “Ylli i kuq”, e cila ka për datë: e mërkurë, 16 mars, çuditërisht, një atlas rrugor i Ukrainës, që daton nga viti 1975. Ata gjetën fotografi të grave – të të dashurave, bashkëshorteve – dhe një letër drejtuar një të dashuri, e cila fillonte me “Përshëndetje Zhenya, tani, nuk ka…” dhe më pas e shqyer.

Lukiano ka thënë se ishte e rëndësishme që të mblidhnin gjësende sa më shpejt që ishte e mundur pas çlirimit të zonave. Ishte përgjegjësi e Muzeut që të mblidhte dhe ruante këto gjurmë dhune, pasi lajmet e zymta mbetën në kujtesën historike jetike. “Sa më shpejt ta bëjmë, aq më mirë. Kur shkuam në misionin tonë të dytë, tashmë diçka kishte humbur – gjërat ishin hequr nga komuniteti lokal dhe ushtria.”

Ruajtja e kujtimeve të këqija

Ai ka thënë se instinkti i natyrshëm ishte që operacioni i pastrimit të fillonte sa më shpejt që të ishte e mundur.

“Njerëzit nuk duan t’i ruajnë gjërat që bartin kujtime të këqija. Por është puna jonë dhe sa më mirë që arrijmë ta kapim gjendjen tani, aq më lehtë do të jetë për ata që vijnë më pas, ta hulumtojnë dhe kuptojnë këtë periudhë”.

Për të shënuar përvjetorin e pushtimit të plotë rus, më 24 shkurt, Muzeu hapi ekspozitën e re rreth rrethimit shkatërrues të vitit të kaluar të fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol.

“Është ekspozitë shumë emocionuese për ne”, ka thënë udhërrëfyesja e Muzeut, Natalya Lykhytska. “Prindërit e të vrarëve vijnë këtu çdo ditë dhe vendosin lule. Dikur në këtë sallë ishin artefaktet skite – tani është luftë, luftë, luftë.”

Ekspozita e fundit e Muzeut, e cila u hap në fillim të prillit, ka të bëjë me fshatin Iahidne, vend në periferi të Chernihiv, Ukraina veriore, ku 368 banorë u detyruan të qëndronin në bodrumin e ngushtë të shkollës fillore për më shumë se një muaj, duke duruar kushte të tmerrshme. Rusët pushtues përdorën pjesët e sipërme të ndërtesave si selinë e tyre. Ekspozita përfshin vizatime dhe lodra të fëmijëve dhe një riprodhim të mureve të përdheses në të cilën, ata që mbijetuan, shkruan një raport të atyre që vdisnin teksa ditët kalonin.

Image
Një burrë duke fotografuar një dron të ekspozuar në muze

Gabimi për fundin e historisë

Ka kohë që nuk ka pasur mundësi për të bërë ekspedita grumbullimi, por çdo ditë u vijnë eksponate të dhuruara. Kur e vizitoi “The Guardian”, Lukianov sapo kishte marrë një sasi ditarësh të mbajtura nga ukrainasit, të cilët gjendeshin nën pushtimin rus – ai nuk kishte pasur ende mundësinë t’i shikonte ato.

“Kam studiuar histori: kur isha student, ishte e lehtë të mendosh se historia u ndodhte njerëzve të tjerë në kohë të tjera. Francis Fukuyama shpalli fundin e historisë”, ka thënë ai, duke iu referuar deklaratës së famshme të shkencëtarit të njohur amerikan, të bërë në fund të Luftës së Ftohtë. “Doli se ai kishte gabuar”.

Marrë nga “The Guardian” Përktheu: Mirjetë Sadiku