Nxënësit më të dalluar të dhjetë shkollave të Komunës së Kaçanikut janë mbledhur për të garuar në fushën e artit pamor, letërsisë dhe moderimit.
Gara e cila është e projektit të realizuar nga Qendra Kulturore në Kaçanik, financuar nga CDF përmes programit BRICK, ka pasqyruar punën kreative të nxënësve të cilët kanë prirje për të pikturuar, prezantuar dhe interpretuar monologë.
Juria e përbërë nga profesorët Arif Mulaku, Zeqir Gjokli, Nuhi Kuqi, Vlora Rexha dhe gazetarja Fatlume Gashi, pas prezantimeve kanë vendosur që fituese në kategorinë e artit pamor të jetë Argjenda Gashi me pikturën e titulluar “Natyrë e qetë”.
Nxënësja Fatlida Mulaku ishte më e mirë në konkurrencën e moderimit, ndërkohë në interpretimin e monologut si më e mira arriti të jetë Elmedina Gashi e cila recitoi poezinë “Për ne”, të shkruar nga Orges Tanushi.
Njëri nga anëtarët e jurisë thotë se ky aktivitet ka motivuar të rinjtë kaçanikas të merren me disa fusha të artit.
Edhe
“Brick” identifikon talentet në këndim, vallëzim dhe instrumente muzikore
Remzije Dardhishta, kryetare e Qendrës Kulturore thotë se kjo garë është organizuar me qëllimin që talentet e kësaj komune jugore të vendit ta fuqizojnë kreativitetin në veprimtaritë kulturore.
Projekti “Identifikimi i talenteve të reja - trego talentin që ke, në mendjet e ndritura” do të vazhdojë të mbahet edhe gjatë muajit korrik të këtij viti.