Kulturë

I ndaluari me 200 artefakte, gërmues ilegal e shitës detektorësh

I ndaluari me 200 artefakte, gërmues ilegal e shitës detektorësh

Të enjten, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjilan, nga Policia është realizuar urdhër kontroll në lokalin e të ndaluarit në Gjilan, ku janë gjetur dhe sekuestruar mbi 200 artefakte arkeologjike. “Prej të cilave 80 monedha janë prej periudhës së sundimit romak, bizantin dhe mesjetar”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë së Kosovës (Foto: Prokuroria e Kosovës)

“Me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar i pandehuri D.H., në kohëzgjatje prej 48 orëve, pasi dyshohet se ka kryer aktivitete hulumtuese të paautorizuara në vende arkeologjike me pajisje detektuese”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë së Kosovës. KOHA ka zbardhur prapaskenën e intervenimit të Policisë, iniciuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. I ndaluari është vetidentifikuar duke rrëfyer për “hobin” e tij, përderisa është shitës detektorësh metali. “Kam gjetur shumë sende me vlerë”, thotë ai në një video në platformat online

Ndalim prej 48 orësh, është masa e parë e institucioneve ligjzbatuese për të dyshuarin D.H. nga Gjilani, të cilit i janë gjetur mbi 200 gjetje arkeologjike nga gërmimet e paautorizuara arkeologjike.  Si i dyshuar për “përvetësim të monumenteve kulturore”, i dyshuari do të përballet me drejtësinë.

Rastet e gërmimeve ilegale në Kosovë nuk janë të rralla, por gjetja e një numri të tillë artefaktesh nuk është e shpeshtë. Me urdhër të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës të enjten kanë kryer edhe kontrollet. KOHA ka zbardhur prapaskenën e intervenimit të Policisë, iniciuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.

I dyshuari D.H. ka kohë që posedonte detektor për detektimin e metaleve. Aktivitetin e tij e ka zhvilluar në hapësirat përreth Gjilanit, sipas vetë të dyshuarit, në fshatin Velekincë. Në këtë fshat shteti ka identifikuar dhe ka marrë nën mbrojte lokalitetin arkeologjik të antikitetit të vonë, “Koka e Ilisë”. D.H. është vetidentifikuar nëpërmjet një platforme online ku shpalos rrëfimin e tij si gërmues i metaleve. Ka treguar se si dikur kishte një detektor dhe për hobi detektonte metale e më pas bënte gërmime dhe i merrte ato. Ai posedon një dyqan detektorësh në Gjilan dhe i shet këto pajisje. I pyetur për gjetjet e tij të vlefshme, ai ka treguar se posedon shumë sosh.

“Kam gjetur shumë sende me vlerë. Por, më së shumti në këtë sport e kam gjetur veten”, thotë ai në një video të hedhur në platforma online para dy javësh. Aty tregon se çmimet e detektorëve variojnë nga 275 euro deri në 10 mijë euro. Thotë se nuk posedon detektorë profesionalë, por asi që përdoren për hobi.

“E kam hobi dhe është sport i mirë pasi të shtin me ecë”, thotë ai në këtë video.  Më pas shfaqet në kodrat e fshatit Velekincë. Thotë të jetë në “Kodrën e Lekë Dukagjinit”. Aty detekton dhe gërmon në hapësira që, sipas tij, potencialisht kanë metale.

“Këtu kam gjetur shumë sende të vjetra që datojnë para 1.700 vjetëve. Kjo dëshmon edhe sa është e vjetër Velekinca”, thotë ai. Në atë video D.H. demonstron edhe gjetjet e bëra ndër vite. Të njëjtat i ruan në dyqan, në një vitrinë ku i ka të renditura e të ekspozuara të gjitha. I paraqet si artefakte të vjetra e të vlefshme. Aty renditen vegla hekuri e shumë monedha. Ato janë të përmendura edhe në Raportin e Policisë së Kosovës.  

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës, kanë identifikuar aktivitete të paautorizuara në vende arkeologjike dhe më datën 10 shkurt 2025 është autorizuar Njësia për hetimin e krimeve mjedisore në kuadër të Drejtorisë së Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Prishtinë, që të ndërmarrin veprime hetimore, në çështjen penale ndaj të pandehurit D.H., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Punimet e paautorizuara dhe përvetësimet e monumenteve kulturore’ nga neni 355 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë së Kosovës. Aty bëhet e ditur se të enjten, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjilan, nga Policia është realizuar urdhër kontroll në lokalin e tij në Gjilan, ku janë gjetur dhe sekuestruar mbi 200 artefakte arkeologjike.

“Prej të cilave 80 monedha janë prej periudhës së sundimit romak, bizantin dhe mesjetar. Me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar i pandehuri D.H., në kohëzgjatje prej 48 orëve, pasi dyshohet se ka kryer aktivitete hulumtuese të paautorizuara në vende arkeologjike me pajisje detektuese”, shkruhet në njoftim. Sqarohet se i njëjti dyshohet për vepër penale pasi me veprimet e tij ka kryer gërmime apo hulumtime arkeologjike pa autorizimin e organit kompetent.

Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, qytetarët e Kosovës edhe kur krejt rastësisht gjatë punimeve të tokës apo gërmimeve për të ngritur ndonjë ndërtesë hasin në gjetje arkeologjike, duhet që më së largu në ditën pasuese të lajmërojnë Institutin Arkeologjik të Kosovës.

“Të gjitha gjetjet arkeologjike dhe ato të zhgroposura nga gërmimet arkeologjike janë pronë e Kosovës”, shkruhet në nenin 7 të këtij Ligji. I njëjti ligj përcakton se nuk lejohet asnjë veprimtari qё shkakton dëmtim të ndonjë rezervati arkeologjik pa lejen e shkruar nga institucioni kompetent. Madje, Ligji përcakton se edhe institucionet ose personat fizikë apo juridikë mund të lejohen të bëjnë gërmime arkeologjike vetëm me licencë dhe për këtë duhet të marrin leje nga Instituti Arkeologjik Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Milot Berisha, ka thënë se rasti është ende nën hetim.

“Si Institut Arkeologjik i Kosovës do të përgatisim një raport përmbledhës dhe duke respektuar ndjeshmërinë e çështjes, do të publikojmë një prononcim”, ka thënë Berisha, duke mos ndarë detaje të rastit e të gjetjeve.

Prej pasluftës së fundit institucionet e Kosovës kanë identifikuar shumë hapësira ku paraqiten shenja të gërmimeve arkeologjike ilegale. Zakonisht përdorën detektorë. Shitja e detektorëve nuk është e ndaluar në Kosovë, përderisa gërmimet e paautorizuara arkeologjike bashkë me përvetësimin e gjetjeve përbëjnë vepër penale.