Kulturë

“I am Alfred Hitchock” fut publikun në botën e regjisë së veçantë

Filmi dyorësh i ndarë në gjashtë pjesë njofton që në fillim se aty rrëfehet nga vetë regjisori Alfred Hitchcock. Seria e gjatë e komentimit të pjesëve nis me statujën e madhe të kohës së tij, me pretendimin se publikut po i drejtohet nga varri. “Ata ma bënë këtë monument pasi vdiqa. Dukem si Buda i filmave”, thuhet në dokumentarin që nis fillimisht me një pjesë biografike për regjisorin

“DokuFest” pos misionit për shpalosjen e fuqisë së dokumentarit jep edhe prapaskenat e realizimit të projekteve filmike. Narracioni vjen për regjisorin ikonik Alfred Hitchcock me shpjegimet për filmat e tij. Mund të duken krejt të natyrshme skenat e secili veprim në to, bashkë me detajet më të imëta të realizimit. Derisa vijon rrëfimi me shpjegimet se gjithçka ka qenë e mirëmenduar. Krijimtarinë e britanikut, regjisori irlandez Mark Cousins e zbërthen nëpërmjet ikjes, dëshirës, vetmisë, kohës, përmbushjes dhe lartësisë.

Filmi dyorësh i ndarë në gjashtë pjesë njofton që në fillim se aty rrëfehet nga vetë regjisori Alfred Hitchcock. Seria e gjatë e komentimit të pjesëve nis me statujën e madhe të kohës së tij, me pretendimin se publikut po i drejtohet nga varri. “Ata ma bënë këtë monument pasi vdiqa. Dukem si Buda i filmave”, thuhet në dokumentarin që nis fillimisht me një pjesë biografike për regjisorin. “Hitchcock”, që thuhet të jetë narrator, thotë se ishte zhvendosur në nga Britania e Madhe për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1958, porse nuk ishte ndikuar të bënte filma “western”. Dhe menjëherë nis gama e gjerë e pamjeve të zgjedhura prej krijimtarisë së britanikut Hitchcock.

Publikut i thotë se e do atë dhe se i pëlqen të luajë me ta. Komentet në të shpesh përfshijnë marrëdhënien me publikun dhe krijojnë interaksion me ata që ishin me sy prej ekranit në kinemanë “DokuKino”.

Filmi nxit dhe të mban lidhur me të për shkak të shëtitjes nëpër skena dhe çdo detaj që përfshihet aty. Në fakt është rrëfimi i irlandezit Cousins nëpërmjet të cilit Hitchcock tregon se donte të devijonte nga mënyra e zakonshme e të bërit të gjërave. Filmi mbulon prej filleve të Hitchcock si regjisor deri në filmat e tij më profesionalë me të cilët kishte tërhequr vëmendje ndërkombëtare.

Në filmin dokumentar zbulohet stili i tij vizual dhe teknikat për tërheqjen e audiencës. Ai nuk i shmanget ekspozimit të anës së errët të regjisorit dhe trajtimit të disa prej aktoreve në rolet kryesore.

Kur jepen pamje përrallore të hapësirave të pemëve me gjethe shumëngjyrëshe thotë se ka dashur të arratiste publikun nga jeta. Haptazi për krejt krijimtarinë e tij në detaje jepen prapaskenat e përgatitjes së filmit. Tregohet se si duhej të bënte filma tejet atraktivë në kohën kur ata ishin pa zë, atyre që u referohet si “filma gjermanikë”. Tregon se ka dashur të bënte gjithmonë gjërat më të veçanta dhe jashtë së zakonshmes me anë të efekteve vizuale që ka shtuar në filma.

Ato që mund të duken të natyrshme në film, në fakt janë menduar prej regjisorit si ngjyrat e pamjes së ambientit në sfond e kuadrot e pamjeve. Seria e atyre statike në filmat e tij thotë se është bërë qëllimisht për të krijuar një ngjarje dramatike përbrenda. Nganjëherë praktikonte detaje të imëta për t’i ikur seriozitetit. Madje e kishte praktikuar edhe filmin pa asnjë prerje të vetme të pamjes për gjysmë ore.

I veçantë është kapitulli për kohën ku tregon se në vitin 1974 i ishte vendosur një stentë shkaku i komplikimeve me zemër. Sipas narracionit të paramenduar të Hitchock, filmat vlerësohen si kontrollues kohe dhe thotë se donte të kontrollonte njerëzit ashtu sikur mjeti në zemrën e tij.

“Kur koha jep imagjinatën për t’i paramenduar gjërat, e bën shikuesin të ndiejë se sa kohë i duhet karakterit për ta vrarë. Ngadalësojini gjërat kur karakteri është në nxitim. Unë e vë kamerën në të kaluarën derisa flas për të tashmen. Kamera është një makinë kohe”, vijon narracioni i “Hitchcock”-ut në dokumentar.

Alfred Hitchcock ka qenë ndër regjisorët më të famshëm dhe më të dashur të shekullit të kaluar që shihet edhe si babai i trilerit. Si 15-vjeçar kishte nisur të interesohej në industrinë e re të prodhimit të filmit në atë kohë. Duke bashkëpunuar me gruan e tij, shkrimtaren, mbikëqyrësen e skenarit dhe redaktoren Alma Reville, pothuajse që nga dita e parë, Hitchcock do të bënte emër si regjisor vetëm pak kohë më vonë me trilerin e tij të parë, “The Lodger: A Story of the London Fog” në vitin 1927.

Pas tij regjisori do të drejtonte edhe filmat: “Blackmail” e vitit 1929, “The 39 Steps” të 1935-s e “The Lady Vanishes” të 1938-s. Përfundimisht, ai do të zhvendosej në Hollywood, me filmin debutues “Rebecca” të 1940-s. Do të pasonin edhe më shumë trilerë ikonikë si: “Notorious” (1946), “Dial M For Murder” (1954), “Rear Window” (1954) dhe “To Catch a Thief” (1955).

Prodhimi i filmave të tij do të ngadalësohej gjatë viteve '60 dhe '70, pasi përjetoi probleme shëndetësore me filmin e tij të fundit “Family Plot” i publikuar në vitin 1976. Hitchcock vdiq më 29 prill 1980 në moshën 80-vjeçare.

Aktorja Adriana Matoshi ka vlerësuar se mënyra e të krijuarit film në shekullin e kaluar bëhet më e qartë për filmbërësit sot nëpërmjet “I am Alfred Hitchcock”.

“Filmi është i shpjeguar shumë mirë. Unë nuk është se i kam parë këta filma kohëve të fundit. Sot e pashë një anë tjetër të shpjegimit se si i ka bërë filmat dhe ishte shumë interesant e kontribuuese për neve që bëjmë filma. Një detaj që më pëlqeu ishte ajo kur tha ‘unë dua ta bëj publikun të hyjë në ngjarje’. E tregoi ambientin, peizazhin e natyrës që njerëzit kur e shohin filmin nuk i vërejnë ato gjëra, por e ndien atë që vjen prej narrativës”, ka thënë aktorja Matoshi.

Filmi dokumentar “I am Alfred Hitchcock” është eksplorim interesant i punës së një prej regjisorëve të shquar të shekullit të kaluar që zbulon në detaje artin e krijimit të filmave.